Shqiptarët kanë pasur dhe kanë krijues që sfidojnë pushtetarët matrapazë, por më i ashpri prej tyre mbetet, pa dyshim, At Gjergj Fishta, i cili, krahas epërsisë ndaj të tjerëve si poet epik, qe i pakalueshëm edhe si mjeshtër i satirës dhe sarkazmit.
Fishta këndoi sipas parimit të njohur të Horacit dhe dënoi duke qeshur “heronjtë” e tij të urryer. Satira qe arma me të cilën shkallmoi hajdutët, fajdexhinjtë, rrugaçët, sallahanët, vagabondët, riqnat e ndytë, shakllabanët, gomerët, zuzarët me e mentalitet feudalësh anakronikë dhe tuxharët që shisnin interesat etnike dhe hanin me lugë prej ari hisen e bashkëvendësve.
Me 100.000 vargjet dhe mbi 20.000 fjalët që shfrytëzoi në veprën e tij monumentale (po aq sa Shekspiri e Pushkini), Fishta bën pjesë ndër klasikët e letërsisë botërore.
Për meritat e mëdha në fushën e artit letrar, Fishta u bë i pari shkrimtar shqiptar i propozuar për çmimin Nobel, në një kohë kur ai akoma nuk u ndahej njeringrënësve si ivoandriqët e peterhandket. Për të njëjtat merita, Fishta qe dhe laureat i katër shpërblimeve të mëdha, të fituara nga katër shtete të fuqishme të kohës: Austro-Hungaria (1912), Turqia (1912), Greqia (1931) dhe Italia (1939).
Për Maksimilian Lambertzin Fishta ishte: poeti më gjenial homeroid, të cilin e lindi Shqipëria, kurse vepra e Tij meritonte të hyjë në letërsinë botërore…
Për Eqrem Çabejn, ai kishte merita të veçanta për braktisjen e temave/ motiveve të Motit të Madh dhe zevendësimin e tyre me ngjarjet e historisë së re shqiptaret, me luftërat e gjysmës së dytë të sh. XIX dhe fillimit të sh. XX.
Ernest Koliqi e quajti: mjeshtër të pakalueshëm të poezisë satirike. Për të, Fishta qe njëkohësisht: kapadai, i urt e krenar, idhnak dhe shumë sarkastik... Për shkak të dellit satirik, malësorët thoshin: Fishta me bishta.
Vlerësimet pozitive për krijimtarinë dhe personalitetin e At Gjergj Fishtës janë pa fund. Ai, përveçse si poet epik e lirik, dramaturg, publicist, përkthyes, etnograf, pedagog, orator, polemist, piktor e arkitekt, kontribuoi shumë edhe për çështjen e pazgjidhur kombëtare, për zhvillimet kulturore e arsimore, për ngritjen e kulturës politike të shqiptarëve… Fishta themeloi Shoqërinë Letrare”Bashkimi” të Shkodrës dhe përpiloi njërin prej alfabeteve kryesore të shqipes (1899); themeloi Trupën teatrore në Shkodër (1907); qe Kryetar i Komisionit të Kongresit të ABC-së në Manastir (1908); themeloi Komisinë Letrare, që u përpoq për gjuhën e njësuar shqiptare (1916); themeloi gjimnazin Iliricum në Shkodër (1921); përfaqësoi Shqipërinë në Konferencën e Paqes në Paris (1919) dhe në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork (1922) etj.
At Gjergj Fishta e kultivoi gjatë tërë jetës idenë rilindëse për ruajtjen e tolerancës ndërfetare, sepse e ndjente mirëfilli rrezikun e antagonizmave që do të lindnin pashmangshëm nëse nuk do ta çonim në vend amanetin e madh të korifejve të etnisë.
Largapësinë si krijues, intelektual e politikan, Fishta e dëshmoi edhe me apelin drejtuar shqiptarëve në vitin 1912, të cilëve u kërkoi të ndalnin për momentin sulmet ndaj ushtrisë perandorake osmane, sepse fqinjët nëpërka përgatisnin zhbërjen tonë.
Natyrisht: këtë nuk e bëri për shkak të nostalgjisë për pushtuesin shekullor, po pse qe intelektual vizionar, i cili, pavarësisht tagreve që mund t’ua paguante të painformuarve, u kërkoi shqiptarëve, që, mes mbijetesës dhe rrezikut serioz të zhbërjes, të zgjedhin të keqen më të vogël.
Për shkak të veprimtarisë dhe shkrimeve me teh të mprehtë satirik kundër fqinjëve kubarë, Enciklopedia e Bashkimit Sovjetik (1945) e quajti armik të racës sllave. Kaq u desh që të ekskomunikohet post-mortem dhe t’i hiqen veprat dyzet vjet me radhë nga raftet e bibliotekave dhe librarive shqiptare. Mjerisht, kjo nuk qe e mjaftueshme, ndaj pushtetarët e kuq e zhvarrosën dhe ia hodhën eshtrat në lum për të zhdukur çdo gjurmë të Tij.
Mbi At Gjergj Fishtën ranë dënime të rënda politike e ideologjike, që xhelati u përpoq t’i justifikojë me pallavra “studiuesish” oborrtarë, të cilët ia anatemuan veprën dhe e quajtën: arkaike e krahinore, të palexueshme nga lexuesit bashkëkohorë, vepër pa shtrirje kohore e hapësinore, krijimtari shovene me britma nacinaliste, poezi me mungesë të ndjenjës së atdheut…
Megjithatë, për një kategori shqiptarësh, Gjergj Fishta u bë edhe më i dashur, kurse për ata që humbën arsyen nga narkoza ideologjike mbeti armiku më i rrezikshëm i kombit. Kjo bëri: Krijuesin më i ekziluar dhe njëkohësisht më mitik të letërsisë sonë, krijuesin e rrethuar me heshtjen më të gjatë dhe njëkohësisht më tëi paharruar, poetin më të anatemuar dhe më të hymnizuar, autorin më pak të botuar dhe më të lexuar njëkohësisht…
Pas këtyre të dhënave është më e qartë përse shqiptarët e quajtën: Orfe dhe Homer shqiptar, përse e krahasuan me Tirteun, Gëten dhe Shilerin, përse e pagëzuan Poet vizionar të kombit, Poet luftëtar, Apostull të pavarësisë, Vigan të racës shqiptare, Gjeni më të lartë të fisit arbëror, Mbret të poetëve, Krenari e kombit, Pjella më e bukur e më fisnike e tokës sonë, Interpretuesi i qenies shqiptare…
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.