Kohë për shërim vesesh shoqërore

Gjërat e para që u rrënohen etnive të mbetura peng të tjetrit dhe vetvetes janë: gjuha, shkolla, kujtesa historike dhe mirëqenia. Këtë e dëshmon e shkuara dhe, mjerisht, e tashmja e Shqiptarisë. E dëshmon shtypja shekullore e tjetrit dhe mercenarizmi po aq i gjatë “i tanëve”.

Këto thesare, që aktualisht rrezikohen nga tezgaxhinjtë, të cilët nuk hezitojnë t’ua shesin të ardhmen pinjollëve të hajdutërisë, do t’na tëhuajsojnë nga kultura e origjinës, gjersa ushqejmë mentalitete tuku-lukash pa tru, dhe gjersa i konsiderojmë si gjak i pastër race, me prejardhje nga dyer të mëdha dhe gjersa i shndërrojmë në model jete.

A ju duket e rastit që, në Kosovë, “fjala vjen”, në emër të ndreqjes së padrejtësisë reale që i është bërë gegërishtes në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972), synohet ndryshimi i identitetit të shqiptarëve dhe krijimi i “kombit kosovar”? Shtrohet pyetja, përse “ndreqjes” së standardit aktual i prijnë  3-4 gjithologë me kulturë mediokre gjuhësore, në vend se ta bëjnë këtë albanologët më të mirë që ka aktualisht Shqiptaria?!

A ju duket e rastit përse gjuha shqipe në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut quhet përqindje?! Përse, edhe 35 vjet pas përmbysjes së sistemit monist, flasim për nxënësit e disa vendbanimeve shqiptare, të cilët nuk e gëzojnë të drejtën e shkollimit fillor në gjuhën e nënës?! Si është e mundur që, deri para një kohe, vetëm disa kilometra larg Shkupit, nxënësve shqiptarë të Idrizovës, nuk u lejohej e drejta që të mësojnë në gjuhën amtare nga klasa e pestë deri në klasën e nëntë?!

A ju duket e rastit që një grusht jazexhinjsh të kudondodhshëm shqipfolës, e fyejnë dhe e luftojnë ditëpërditshëm në mediet “nacionale” kujtesën historike, heronjtë dhe simbolet e shqiptarëve, madje, duke ngritur para hundëve tona kosmopolite tre gishtat kanosës të hegjemonizmit serb?!

A ju duk i rastit minishengeni që afroi shtetin Amë me bashkëluftëtarët e “Kasapit të Ballkanit” dhe largoi nga prehri bijtë e saj biologjikë?!

A ju duket i rastit varfërimi galopant i popullit dhe shpërngulja e trishtueshme e rinisë shqiptare, e cila për nga përqindja e popullatës është e pakrahasueshme me ndonjë rast tjetër në Evropë, pavarësisht shpjegimeve kubare të shkaktarëve të kësaj gjame?!

Pa imponuar përgjigjet në pyetjet e mësipërme, mendoj se është koha e fundit për t’u kushtuar vëmendje serioze dregëzave dhe varrëve kombzhbërëse, të cilat përpiqemi t’i shërojmë me gishtin tregues drejtuar tjetrit. Janë orët e mbrame për të nisur shërimin e ileteve më gangrenoze, si ai i mungesës së unitetit  brendashqiptar, që për pasojë ka takatin tonë qesharak, të cilin pandehnim se e kishim në kohëra diktaturash, por që akoma nuk i kishte ardhur dita ta vëmë në lëvizje. Të moshuarit që e njohin jetën e të dy sistemeve, e thonë hapur se, përkundër dhunës permanente, shqiptarët ishin më unikë në kohën e monizmit sesa sot.

Asokohe, pavarësisht kalvarit të vuajtjeve, të paktën e dinim ku banonte kuçedra e huaj dhe ku rridhte shtona jonë në shërbim të saj. Tani, ndërkaq, kanë ndryshuar kohërat dhe kjo demokracia prej “sallamadie” ia ka mundësuar gjithsecilit ta bëjë atë për të cilën dikur të leçiste shoqëria. Kjo vjen shkaku i dezintegrimeve në të gjitha dimensionet e jetës, shkaku i politikave të ngathta e të ngordhura nga korrupsioni, shkaku i drejtësisë jofunksionale, shkaku i mungesës së ideve zhvillimore, që do të shkonin në favor të mirëqenies së popullit, shkaku i mungesës së vijës përtej së cilës askush nuk do të mund ta luante lojën e atyre që po na shndërrojnë në rajë të përshtatshme për nëpërkëmbje, duke fshehur pisllëqet me alibi që pinë ujë sall në diktaturat demokratike dhe në siujdhesat e hajdutëve të mikluar nga pjesa e mbetur “mrrutë” e Evropës së At Gjergj Fishtës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Fatmir SulejmaniKolumnat e Portalbit