Ndërsa bota ndryshon, është thelbësore që shtetet dhe udhëheqësit të përshtaten me ngjarjet, duke i shtyrë qeverinë të veprojë me shpejtësi ndaj zhvillimeve aktuale, qofshin ato kërcënuese apo jo.
Jemi dëshmitarë të zhvillimeve të caktuara, jo vetëm në politikën botërore, por edhe në rajonin tonë, të cilave duhet t’u kushtojmë vëmendje në këtë kontekst.
Le të fillojmë me vendimin e fundit në Hagë, i cili e la shumicën e njerëzve pa fjalë, duke ngritur pyetjen se pse Gjykata Speciale mori një vendim të tillë. Sigurisht, ka faktorë të ndryshëm, por ne jemi kryesisht të interesuar për mënyrën se si vepron një qeveri apo si veprojnë politikëbërësit përpara se të ndodhin gjërat.
Për shembull, që nga vjeshta e vitit 2020, qeveria e Kosovës ka ndarë fonde buxhetore për ish-përfaqësuesit e UÇK-së të dënuar tashmë nga Gjykata Speciale në Hagë e themeluar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015.
Një gjykatë hibride që është pjesë e sistemit juridik të Kosovës, (neni 162) po që në fund i anashkalon të gjitha institucionet e Kosovës.
Një gjykatë me trupat e saj që vepron në mënyrë të pavarur e mbështetur nga BE-ja dhe ShBA-ja.
Megjithatë, në këtë rast, çështja nuk ishte thjesht mbështetja financiare për procesin gjyqësor në Hagë.
Çështja kryesore lidhet me atë që thekson në postimin e tij në platformën X James Pettifer, historian i zanafillës së UÇK-së, profesor universitar dhe analist për Ballkanin.
“Shqiptarët e Kosovës e kanë vetë fajin për bashkëpunimin naiv me Gjykatën që në fillim. Pesë vjet më parë e kundërshtova këtë bashkëpunim mbi bazën e argumenteve të paraqitura; si pasojë, edhe pse jam një historian kryesor i luftës dhe i zanafillës së UÇK-së, nuk u thirra kurrë si dëshmitar në gjyq.”
Duhet thënë se pavarësisht presionit nga Uashingtoni dhe Brukseli, pala kosovare mund të negocionte një kornizë tjetër juridike.
A ishte mungesë vizioni apo ndikuan faktorë të tjerë që pala kosovare të pajtohej me këtë gjykatë që nuk jep përgjegjësi e as mund të kontrollohet nga Kosova, mbetet pjesë e debatit?
Vëzhgimi i Pettiferit mbetet i saktë, mirëpo ShBA, Britania e Madhe, BE etj., kanë dhënë vlerësime ndryshe rreth vendimit.
Krahasuar me një dekadë më parë ka një dallim të madh në qëndrime në mes aleatëve ndaj Kosovës.
Ky është vetëm një aspekt që tregon se si aktorët kryesorë në terren i vëzhguar ngjarjet e asaj kohe e disa jo.
Në këtë kuadër, mungesa e vazhdueshme e vizionit strategjik te udhëheqësit e Kosovës është shoqëruar me gabime të tjera, të cilat janë shfaqur si qasje të fragmentuara dhe tejet kundërshtuese deri në ditët, kur u shpall vendimi në Hagë.
Gabimet e udhëheqësve të Kosovës janë shfrytëzuar nga kundërshtarët e saj dhe nga palë të tjera të përfshira në proceset gjyqësore.
Procesi i izolimit i përkeqësuar nga qëndrimi jo i favorshëm i Uashingtonit lidhur me koordinimin e kryeministrit Kurti me ShBA-në, është një ndër faktorët që Kosova vazhdon të mbetet e vetmuar para vendimeve të rëndësishme.
Qeveritë evropiane e ndajnë këtë qëndrim të Uashingtonit, duke i bërë Asociacionin e Komunave Serbe (AKS) dhe marrëdhëniet me Serbinë kushte për Kosovën.
Po shpaloset një paradoks: në vend që BE-ja dhe ShBA-ja ta mbajnë Serbinë të izoluar, po ndodh e kundërta.
Duke e parë këtë realitet, mund të themi se i njëjti proces mund të zhvillohej në Kosovë, nga gjykatat vendase, me një shkallë më të lartë pavarësie.
Megjithatë, siç dihet, ndonëse jo nga të gjithë, Dhomat e Specializuara dhe Gjykata mund të shfuqizohen vetëm në koordinim me ShBA-në dhe BE-në. Hapat drejt këtij qëllimi mund të nisin me një lobim të fuqishëm këtu në Uashington (DC), duke paraqitur prova se Gjykata e ka humbur pavarësinë dhe drejtimin e duhur, si dhe përmes formave të tjera të aktivizmit paqësor qytetar, për t’u kurorëzuar në fund me sigurimin e dy të tretave të votave në Kuvendin e Kosovës.
Sa për kujtesë, sipas raportimeve të “Radio Evropa e Lirë” (RFERL), Serbia ka angazhuar të paktën gjashtë organizata të mëdha lobimi për të ndikuar në politikën amerikane.
Po nga Kosova, që nga shpallja e pavarësisë e deri te qeveria aktuale e kryeministrit Kurti, sa të tilla janë angazhuar në SHBA?
Megjithatë, koha po kalon dhe Kosova duhet të veprojë.
Ky model i vendimmarrjes së vonuar nuk duhet të shihet si rast i kufizuar.
Sjellje të ngjashme janë vërejtur edhe në udhëheqjen e Maqedonisë së Veriut, sidomos në periudhën pas vitit 1991, ku kishte një qasje reale ndaj ngjarjeve, e më vonë të mjegulluar nga udhëheqja shtetërore e Shkupit në raport me Greqinë apo shqiptarët.
I njëjti problem po përsëritet tani tek kryeministri i Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski.
Kryeministri, i njohur për qëndrimin e tij të ashpër, i ka treguar BE-së se nuk ka ndërmend të ndryshojë qëndrimin lidhur me ndryshimet kushtetuese.
Kjo nuk po ndodh sepse BE-ja nuk është në gjendje t’i përmbushë angazhimet financiare e politike.
Më tepër është për shkak të agjendës së Mickoskit dhe atmosferës rajonale.
Megjithatë, vizita aktuale e kryeministrit në ShBA po tregon se ai është i gatshëm në disa momente të veprojë jashtë pritshmërive në dobi të qeverisë e interesave kombëtare.
Për sa i përket anëtarësimit në BE, sipas kryeministrit Mickoski, anëtarësimi duhet të bazohet te merita.
“Nëse e analizojmë rastin tonë, për fat të keq, jemi shumë larg kësaj,” ka deklaruar Mickoski, në një intervistë për Këshillin Atlantik (Atlantic Council).
“Jemi në të njëjtin vend ku ishim para njëzet e gjashtë vitesh,” tha ai. Kryeministri Mickoski tha se Maqedonia e Veriut është një udhëkryq natyror për projekte të mëdha në mbarë rajonin dhe Evropën. “Partneriteti strategjik me ShBA-në do t’u sjellë dobi jo vetëm të dyja vendeve tona, por edhe rajonit dhe Evropës në një shkallë më të gjerë.”
Intervista e fundit e Mickoskit tregon për mos ndryshim ndaj Bullgarisë, pasi sipas tij Maqedonia e Veriut është një pozitë më të mirë në tre vitet e fundit.
Në këtë linjë, shembull tjetër mund të marrin Serbinë e cila nëpërmes “Aktit Balancues” ka arritur të bëhet e pranueshme me ShBA-të, BE-në, dhe me shtetet si Kina, Rusia etj.
Sipas njoftimeve, Departamenti i Shtetit po përgatit një angazhim të madh amerikan për ekspozitën “Expo 2027” në Beograd.
Uashingtoni pritet të sjellë kompani, dhe drejtues biznesi në Serbi për të nisur një bashkëpunim më të fortë në disa fusha.
Nga tre rastet e paraqitura mund të thuhet se politikat e deritanishme të Kosovës krahasuar me të Serbisë dhe të Maqedonisë së Veriut janë të një natyre tjetër.
Vështirësitë e qeverisë së Kosovës për tu përshtatur në realitetet e reja, lufta për pushtet, dhe inatet personale e kanë bërë Kosovën më të dobtë për tu përballur me sfidat aktuale.
Rezultati tani dihet. Kosova pavarësisht se kush është në pushtet, dhe kush do të vijë në të ardhmen, duhet të rrisë vëmendjen strategjike për të përmirësuar gjendjen.
Dhe gjithnjë duke mos lëshuar pe kur janë në pyetje interesat kombëtare e shtetërore.
Duke pasur parasysh vendimin e së mërkurës, konfliktin e vazhdueshëm midis ShBA-së dhe Iranit, përçarjen e vazhdueshme midis ShBA-së dhe BE-së, luftën midis Ukrainës dhe Rusisë si dhe zhvillime të shumta të tjera, qeveria e Kosovës së bashku me opozitën duhet t’i kuptojë implikimet e këtyre ngjarjeve.
Ashtu siç kemi theksuar në artikujt tanë të mëparshëm, bota ka ndryshuar që nga viti 1999, e po ashtu edhe që nga viti 2015, kur udhëheqja e Kosovës vendosi të miratonte Dhomat e Specializuara.
Fundja nuk ka botë ideale. Duhet kuptuar gjithashtu se marrëdhëniet ndërkombëtare nuk janë një fushë e izoluar ku loja zhvillohet pa mbështetës dhe miq.
Ndonjëherë duket të peshohen të gjitha sugjerimet e planet që burojnë nga jashtë në kurriz të sovranitetit dhe integritetit territorial të shteteve të vogla apo atyre që kanë nevojë për njohje ndërkombëtare.
Nga zhvillimet e fundit duket se po kthehemi në një epokë ku rendi i vjetër po dobësohet dhe rregullat e reja po rishkruhen.
Nëse qeveria e Kosovës dhe shtetet me kapacitete të kufizuara, dështojnë ta kuptojnë këtë, pasojat do të jenë afatgjata, duke u shndërruar në qeveri apo shtete me rrezik të lartë për vetë mbijetesë.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.