E fismja shpirtdëlirë, Flora Brovina, iku në amshim. Ajo do të kujtohet përgjithmonë si poete e veçantë; si mjeke e përkushtuar; si aktiviste e shquar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut; si zë i qëndresës në kohë robërie; si ish e burgosur politike; si nënshkruese e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.
Ajo botoi përmbledhjet poetike: “Verma emrin tim” (1973), “Bimë e zë” (1979), “Mat e çmat” (1995) dhe “Bima ime e kuqe” (2020). Poezitë e saj u botuan edhe në gjuhë të huaja dhe u vlerësuan nga kritika letrare.
Ibrahim Rugova në librin “Refuzimi estetik” shënoi: “Flora Brovina, si në librin e parë ‘Verma emrin tim’ ashtu edhe në ‘Bimë e zë’, kultivon lirizmin e mirëfilltë dhe meditacionin lirik që shpesh shndërrohet në revoltë lirike. Vërehet edhe ndjenja e hollë në përjetimin e fenomeneve”.
Flora Brovina, pasi kreu studimet për mjekësi dhe specializoi për pediatri, punoi si mjeke në Kosovë. Në periudhën më të vështirë për Kosovën, hapi qendër shëndetësore dhe u përkujdes edhe për fëmijët jetimë.
Veprimtarisë së saj i shkojnë vargjet e Homerit për mjekët, të cilëve aedi u dha peshën e njëqind luftëtarëve. Kush punon si mjek duhet ta ketë si model përkushtimin dhe humanizmin e Sadete Mekulit dhe Flora Brovinës.
Gjatë Luftës së Kosovës, Flora Brovina u rrëmbye nga paraushtarakët serbë, ndërkohë që familja nuk dinte asgjë për fatin e saj. E dërguan në burgun e Pozharevcit dhe e dënuan me 12 vjet burgim. U lirua më vonë pas presionit të madh ndërkombëtar.
Gjatë gjithë kësaj kohe, ajo i qëndroi besnike këshillës së gjyshes: “Të ecësh kryelartë, për mikun dhe armikun!”.
Në një intervistë për Portalb-in, ajo tha se në burg e kishte mbajtur të fortë idealin e lirisë, të kalitur që në vogëli.
“Kush isha unë që të mërzitesha për veten, për shëndetin tim, para gjithë asaj sakrifice të popullit tim, të fëmijëve, të grave e burrave. Po, besoj se qëndresa ime ishte inspirim për të burgosurit tjerë, burra dhe gra, dhe jo vetëm për ata, por edhe për ata që na maltretonin dhe që me kohë ndërronin qëndrim, zbuteshin si shtazët e egra.”
Të dënuar me burg kishin qenë edhe i ati dhe xhaxhai i saj.
Flora Brovina ishte deputete në Kuvendin e Kosovës dhe kandidate për Presidente e Republikës së Kosovës. Në politikë hyri si idealiste. U shqua si politikane e matur. Angazhimin politik e konsideronte mision për zhvillimin dhe përparimin e vendit.
Flora Brovina, laureate e disa çmimeve prestigjioze ndërkombëtare, është jehonë dhe dritë në përjetësi, siç tha Percy B. Shelley. Poeti arbëresh Mario Bellizzi e quajti “grua e ngjeshur me mjaltë e çelik”.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.