“Në emër të popullit të Kosovës.” Me këto fjalë u shqiptua dje në Hagë aktgjykimi më i rëndë dhe padyshim më i dhimbshëm që u përjetua me mosbesim, zemërim dhe zhgënjim në Kosovë dhe mes shqiptarëve në përgjithësi.
Hashim Thaçi u dënua me 25 vjet burgim, Jakup Krasniqi po ashtu me 25, Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13 vjet. Të katërtit u shpallën fajtorë për krime lufte – ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje – ndërsa u liruan nga të gjitha akuzat për krime kundër njerëzimit, sepse Prokuroria nuk arriti të dëshmojë përtej dyshimit të arsyeshëm ekzistencën e një sulmi të gjerë ose sistematik kundër popullatës civile. Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe sigurisht që do të ankimohet.
Gjykatësi që kryesonte trupin gjykues bëri një dallim që nuk duhet anashkaluar. Ai theksoi se kjo çështje nuk kishte të bënte me legjitimitetin e UÇK-së dhe as me qëllimin e saj për Kosovën e pavarur. Ai gjithashtu tha qartë se gjykimi nuk kishte të bënte me krimet që forcat serbe dhe formacionet paramilitare, siç u shpreh vetë Gjykata, “pa dyshim” i kishin kryer ndaj shqiptarëve të Kosovës. Çështja, sipas Gjykatës, kishte të bënte vetëm me përgjegjësinë penale të katër personave të akuzuar. Megjithatë, vetë aktgjykimi konstaton ekzistencën e një qëllimi të përbashkët kriminal dhe kontributin e katër të akuzuarve në të. Prandaj nuk duhet të habitemi që dallimi juridik ndërmjet individëve dhe historisë që ata përfaqësojnë nuk përjetohet kaq lehtë në planin shoqëror. Kur në bankën e të akuzuarve ndodhen katër nga figurat më të njohura të udhëheqësisë së UÇK-së dhe kur aktgjykimi flet për një qëllim të përbashkët kriminal, është vështirë të pritet që shoqëria ta përjetojë këtë verdikt thjesht si katër dosje personale të shkëputura nga historia që këta njerëz përfaqësojnë.
Sidomos kur bëhet krahasimi me atë që Tribunali Pendal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY) kishte vërtetuar vite më parë për krimet serbe në Kosovë.
Në çështjen Šainović dhe të tjerët, zyrtarë të lartë të strukturave politike, ushtarake dhe policore të Serbisë dhe ish-Republikës Federale të Jugosllavisë u dënuan për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte të kryera gjatë fushatës së dhunës kundër popullatës civile shqiptare të Kosovës. Nikola Šainović u dënua përfundimisht me 18 vjet, Nebojša Pavković me 22, Sreten Lukić me 20 dhe Vladimir Lazarević me 14. Vlastimir Đorđević, i dënuar gjithashtu për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, mori përfundimisht 18 vjet.
Natyrisht, dënimet penale nuk krahasohen mekanikisht. Por as nuk mund të pritet që shoqëria të mos e vërejë kontrastin: zyrtarë të lartë të aparatit shtetëror serb, të dënuar edhe për krime kundër njerëzimit, morën dënime përfundimtare më të ulëta se 25 vitet që iu shqiptuan dje Thaçit dhe Krasniqit, të cilët u liruan pikërisht nga akuzat për krime kundër njerëzimit.
Pastaj vjen pyetja që për mua mbetet ndër më të vështirat: pse ishte e nevojshme një gjykatë tjetër speciale pas Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavinë (ICTY)?
ICTY kishte juridiksion mbi krimet e rënda të së drejtës humanitare ndërkombëtare të kryera në territorin e ish-Jugosllavisë që nga 1 janari 1991. Juridiksioni i tij kohor nuk përfundonte në qershor 1999; këtë e dëshmon edhe fakti se Tribunali gjykoi krime të kryera në Maqedoni në vitin 2001. ICTY gjykoi gjithashtu pjesëtarë dhe drejtues të UÇK-së: Fatmir Limajn, Isak Musliun, Haradin Balën, Ramush Haradinajn, Idriz Balajn dhe Lahi Brahimajn.
Madje, pretendimet që më vonë do të bëheshin pjesë e debatit të ngritur nga Dick Marty nuk ishin krejtësisht të panjohura për institucionet e atëhershme ndërkombëtare. Pra mbetet një pyetje historike legjitime: nëse një tribunal ndërkombëtar ekzistonte, kishte hetuar Kosovën dhe UÇK-në dhe kishte në dispozicion së paku një pjesë të këtyre informatave, pse kjo çështje duhej të ringrihej vite më vonë përmes një gjykate të krijuar posaçërisht?
Historia e krijimit të Dhomave të Specializuara e shton edhe më shumë këtë ndjeshmëri. Procesi që çoi te themelimi i tyre nuk u zhvillua në një vakum politik. Pretendimet e bëra publike nga Carla Del Ponte u shndërruan më pas në objekt të një hetimi të Këshillit të Evropës, pas një mocioni të paraqitur nga parlamentari rus Konstantin Kosachev, ndër nënshkruesit e të cilit ishte edhe përfaqësuesi i Serbisë Miloš Aligrudić. Serbia, nga ana e saj, e mbështeti fuqishëm ndërkombëtarizimin e këtyre pretendimeve, bashkëpunoi me proceset hetimore dhe kërkoi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së krijimin e një mekanizmi të posaçëm ndërkombëtar për hetimin e tyre. Më pas erdhën hetimet e Task-Forcës Speciale të BE-së dhe presioni i fuqishëm ndërkombëtar që Kosova të krijonte vetë Dhomat e Specializuara. Formalisht, pra, gjykatën e krijoi Kosova me ndryshimet kushtetuese dhe ligjin e vitit 2015; por rruga politike dhe diplomatike që çoi deri te ky vendim ishte shumë më e ndërlikuar.
Ka një domethënie të veçantë fakti se Hashim Thaçi, edhe pse mund të ketë qenë i vetëdijshëm se një gjykatë e tillë mund të hetonte edhe drejtuesit më të lartë të UÇK-së, mbështeti krijimin e saj duke argumentuar se Kosova duhej të përballej me çdo akuzë dhe të mos lejonte që ato të mbeteshin pengesë në rrugën e shtetndërtimit dhe integrimit ndërkombëtar. Sot, kur vetë ai është ndër të dënuarit nga kjo gjykatë, ai vendim i atëhershëm merr një peshë krejt tjetër. Mund të shihet edhe si një nga ato momente të rralla kur një udhëheqës pranon një rrezik të madh personal për t’i hapur rrugë shtetit që ka ndihmuar të krijohet.
Por ekziston edhe një dimension tjetër që nuk mund të injorohet.
Kosova ende nuk e ka luksin e një shtetësie të pakontestuar. Pesë shtete të Bashkimit Evropian vazhdojnë të mos e njohin. Rusia dhe Kina nuk e njohin dhe Kosova mbetet jashtë Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Serbia për vite ka zhvilluar një fushatë diplomatike kundër njohjes së Kosovës; Parlamenti Evropian e ka kritikuar shprehimisht këtë fushatë dhe ka konstatuar se ajo kishte çuar në tërheqjen e njohjeve nga disa shtete.
Ndoshta pikërisht këtu qëndron ajo që shumë njerëz e përjetojnë si mungesë të distancës së nevojshme historike. Jo në kuptimin procedural: kanë kaluar më shumë se dy dekada nga lufta dhe vetë procesi gjyqësor ka qenë i gjatë. Problemi është se ky gjykim zhvillohet në një kohë kur ende vazhdon beteja diplomatike rreth vetë shtetësisë së Kosovës, e dalë nga ajo luftë. Për këtë arsye, çdo vendim që prek udhëheqësit e UÇK-së merr pashmangshëm një peshë që shkon përtej përgjegjësisë së tyre individuale.
Asnjë luftë çlirimtare nuk mund të justifikojë torturën, vrasjen apo keqtrajtimin e civilëve, dhe çdo viktimë ka të drejtë për drejtësi. Por drejtësia duhet njëkohësisht ta ruajë qartësinë për kontekstin historik dhe të mos krijojë përshtypjen e barazimit të viktimës me agresorin. Në luftën e Kosovës për pavarësi, ishte më se e qartë se kush ishte agresori dhe kush ishte viktima. Ndoshta pikërisht për këtë arsye formula me të cilën Dhomat e Specializuara i shqiptojnë aktgjykimet – “në emër të popullit të Kosovës” – tingëlloi dje veçanërisht rëndë.
Drejtësia nuk ka pse t’i nënshtrohet ndjenjës së një populli. Por kur shqiptohet në emër të tij, duhet të jetë e tillë që një ditë edhe ai popull ta njohë si drejtësi.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.