Këshilltari i Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) në Qytetin e Shkupit, Abdulselam Selami, sot para mediave foli edhe për përfaqësimin e shqiptarëve në bordet drejtuese dhe mbikëqyrëse të ndërmarrjeve dhe institucioneve të Qytetit të Shkupit, shkruan Portalb.mk.
Sipas Selamit, aktualisht nga 139 anëtarë të bordeve, vetëm 23 janë shqiptarë.
“Nga 139 anëtarë të bordeve drejtuese dhe mbikëqyrëse të ndërmarrjeve dhe institucioneve në Qytetin e Shkupit, vetëm 23 janë shqiptarë, pra rreth 15%. Në disa borde madje nuk ka asnjë shqiptar. Ky nuk është përfaqësimi i drejtë dhe adekuat. Ne do të kërkojmë korrigjimin e menjëhershëm të kësaj gjendjeje”, tha Selami nga AKI.
Kujtojmë se, në Maqedoninë e Veriut për rreth dy vite nuk ka zgjidhje ligjore që garanton përfaqësim të drejtë dhe adekuat të qytetarëve gjatë punësimit të tyre në institucionet shtetërore. Kjo situatë është ktijuar pasi Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash e shfuqizoi ‘Balancuesin’ i cili ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore.
Pas thuajse një vit e gjysmë pas shfuqizimit të Balancuesit, më 7 prill 2026 Qeveria e RMV-së e miratoi Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat i cili u prezantua si ligj që do të monitorojë dhe garantojë zbatimin e përfaqësimit të drejtë.
Ligji u dorëzua në Kuvend më Kuvend më 8 maj megjithatë, miratimi i tij në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut u bllokua nga opozita shqiptare.
Opozita shqiptare vazhdon të insistojë se ligji nuk është i mirë dhe si i tillë nuk duhet të miratohet, pa mos pasur mekanizma detyruese dhe ndëshkuese.
BDI-ja kërkoi “Badenter të madh”, përkatësisht shumicë nga numri i përgjithshëm i deputetëve që u përkasin komuniteteve joshumicë, dhe pretendon se pushteti nuk e ka mbështetjen as për “Badenterin e vogël”.
Nga ana tjetër, pushteti më herët kishte deklaruar se ligji do të miratohet edhe me “Badenter të vogël”, përkatësisht me shumicën e deputetëve të pranishëm nga komunitetet joshumicë.
Balancuesi u shfuqizua pas nismës nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit sepse, sipas tyre, me të bëheshin abuzime gjatë punësimit.