Dreksler dhe Rokas: Ballkani Perëndimor i ndërlidhur nënkupton një Evropë më stabile

Në një kohë kur luftërat, sulmet kibernetike dhe ndërprerjet e zinxhirëve globalë të furnizimit po shndërrohen gjithnjë e më shpesh në sfida të sigurisë dhe ekonomisë, ndërlidhja rajonale po merr një kuptim të ri. Ajo nuk konsiderohet më vetëm si nxitëse e zhvillimit ekonomik, por edhe si element i rëndësishëm i qëndrueshmërisë dhe stabilitetit. Ky ishte mesazhi kryesor i ambasadores gjermane Petra Dreksler dhe euroambasadorit Mihalis Rokas, të cilët në një panel-diskutim në Shkup vlerësuan se Maqedonia e Veriut dhe Ballkani Perëndimor kanë rol të rëndësishëm në forcimin e sigurisë evropiane në kushtet e realitetit të ri gjeopolitik, transmeton Portalb.mk.

“Ndërlidhja rajonale e Ballkanit Perëndimor sot është domosdoshmëri gjeopolitike dhe jo vetëm përfitim ekonomik”, theksoi ambasadorja gjermane Dreksler në panel-diskutimin “Ndërlidhja strategjike për stabilitet: BE-ja dhe Maqedonia e Veriut në realitetin e ri gjeopolitik”.

Ajo theksoi se rritja ekonomike, infrastruktura kritike dhe siguria janë ndër temat kryesore edhe në takimin e liderëve evropianë dhe rajonalë në Mal të Zi, në kuadër të Procesit të Berlinit.

“Ndërlidhja e Ballkanit Perëndimor për forcimin e qëndrueshmërisë është përgjigjja jonë e përbashkët e menjëhershme për ruajtjen e stabilitetit të përgjithshëm të Evropës”, tha Dreksler.

Qëndrueshmëria nuk ka të bëjë vetëm me infrastrukturën

Sipas ambasadores gjermane, qëndrueshmëria e infrastrukturës ka rëndësi strategjike jo vetëm për Maqedoninë e Veriut dhe rajonin, por edhe për Evropën në tërësi. Ajo theksoi se sfidat bashkëkohore kërkojnë një qasje shumë më të gjerë sesa mbrojtja e rrugëve, rrjeteve të energjisë elektrike ose gazsjellësve.

“Ajo që na nevojitet sot është një qasje gjithëpërfshirëse ndaj qëndrueshmërisë. Kjo nënkupton qëndrueshmëri kibernetike për mbrojtjen e rrjeteve të ndërlidhura nga sulmet hibride. Nënkupton edhe qëndrueshmëri ekonomike për mbrojtjen e zinxhirëve tanë të furnizimit. Qëndrueshmëria klimatike nuk është vetëm domosdoshmëri mjedisore, por edhe imperativ i sigurisë”, theksoi Dreksler.

Ajo foli edhe për kërkesat themelore të përditësuara të NATO-s për qëndrueshmërinë kombëtare për vitin 2026, duke vlerësuar se ato theksojnë nevojën për një qasje që përfshin si institucionet, ashtu edhe shoqërinë.

Si shembuj të një qasjeje të tillë në Maqedoninë e Veriut, ajo përmendi miratimin e Ligjit për sigurinë kibernetike, me të cilin qendrat e të dhënave dhe kapacitetet energjetike trajtohen si infrastrukturë kritike kombëtare, si dhe bashkëpunimin me Ukrainën, të mbështetur nga NATO-ja, për krijimin e një sistemi të gjeneratës së re për komandim gjatë incidenteve.

Sipas saj, qëndrueshmëria nuk mund të jetë e qëndrueshme pa institucione të forta, gatishmëri për situata krize dhe veprim të koordinuar në të gjitha nivelet.

“Gjykata funksionale dhe e pavarur është bazë dhe parakusht për gjithçka tjetër. Pa integritetin e gjyqësorit dhe sundimin e ligjit nuk mund të krijohet plotësisht besimi institucional, i cili është i domosdoshëm për qëndrueshmëri afatgjatë”, theksoi Dreksler.

Rokas: BE-ja investon në siguri dhe ndërlidhje

Bashkimi Evropian vazhdon të ndajë mjete të konsiderueshme për forcimin e sigurisë dhe ndërlidhjes infrastrukturore të Maqedonisë së Veriut, deklaroi euroambasadori Mihalis Rokas.

Ai theksoi se përmes Instrumentit Evropian të Paqes për vendin janë siguruar pothuajse 65 milionë euro, ndërsa priten edhe 40 milionë euro shtesë për forcimin e kapaciteteve ushtarake. Ai vlerësoi se përgjigjja ndaj sfidave aktuale duhet të jetë gjithëpërfshirëse, pasi siguria, stabiliteti ekonomik dhe ndërlidhja sot janë ngushtë të lidhura mes tyre.

Sa i përket zhvillimit të infrastrukturës, Rokas rikujtoi se Bashkimi Evropian e mbështet Maqedoninë e Veriut që nga viti 2007 përmes disa instrumenteve financiare. Përmes Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit janë siguruar 1,2 miliardë euro, përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor edhe 1,8 miliardë euro, ndërsa përmes Planit të Rritjes së BE-së edhe 750 milionë euro.

Siç theksoi ai, mbështetja nuk përfshin vetëm infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, por edhe ndërlidhjen energjetike dhe digjitale, si dhe asistencën teknike të nevojshme për realizimin e projekteve.

Rokas theksoi se Evropa sot përballet me pasiguri serioze gjeopolitike, luftëra dhe konflikte që ndikojnë në tregti, rrugët e transportit dhe standardin jetësor të qytetarëve.

“Jemi fuqishëm të përkushtuar që Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian sa më shpejt të jetë e mundur. Por, kjo ndikon edhe tek ne dhe është shumë e rëndësishme për ne. Jemi të vetëdijshëm se sot kemi zinxhirë të vlerës dhe se edhe nëse ndërpritet vetëm një pjesë e vogël e tyre, kjo ndikon te të gjithë ne”, theksoi euroambasadori.

Sipas tij, pikërisht për këtë arsye, bashkëpunimi, ndërlidhja rajonale dhe ndërtimi i qëndrueshmërisë mbeten ndër parakushtet më të rëndësishme për stabilitetin dhe sigurinë në Evropë.

Panel-diskutimi “Ndërlidhja strategjike për stabilitet: BE-ja dhe Maqedonia e Veriut në realitetin e ri gjeopolitik” u organizua nga Instituti për Demokraci “Societas Civilis” – Shkup dhe Fondacioni “Konrad Adenauer”.

Ambasada e Gjermanisë në RMVBallkani PerëndimorBE Fonde - ParaDelegacioni i Bashkimit Evropian në RMVEvropaMihalis Mikalis Rokas (Michalis Rokas)