LSDM-ja dhe Levica kanë reaguar për gjendjen në konviktin studentor “Stiv Naumov” në Shkup, duke pretenduar se pas rinovimit prej rreth 10 milionë eurosh, studentët përballen me lagështi, rrjedhje uji dhe probleme me ngrohjen. Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) thonë se problemet janë tejkaluar, transmeton Portalb.mk.
“Nuk kaloi as një muaj dhe, në vend të kushteve më të mira, studentët nuk i kanë as kushtet elementare për jetë”, tha Bojan Cvetanoski, nënkryetari i rinisë së LSDM-Së.
Nga kjo parti kërkuan përgjegjësi dhe publikimin e të gjitha shpenzimeve dhe kontratave për projektin. Ata ngritën edhe çështjen e tarifës mujore prej 6.600 denarësh për akomodim.
Edhe Levica pretendon se në konvikt ka mungesë të ngrohjes, ujë të ndotur nga çezmat, ndërprerje të energjisë elektrike dhe probleme me ushqimin.
“Kërkojmë përgjegjësi të plotë për cilësinë e rikonstruksionit, mbikëqyrjen dhe mënyrën se si janë shpenzuar miliona euro para publike”, thuhet në reagimin e partisë.
Nga MASH-i thanë se janë evidentuar disa probleme, përfshirë bllokimin e kanalizimit nga pecetat e lagura, aktivizimin e alarmit pasi ushqimi ishte harruar në mikrovalë dhe shkëputjen e një radiatori. Sipas ministrisë, këto probleme janë tejkaluar, ndërsa defektet do t’i sanonte kompania që ka kryer punimet.
“Kushtet në “Stiv Naumov” janë të shkëlqyera, ndërsa ushqimi është në përputhje me standardet e përcaktuara ushqimore dhe kjo mund të verifikohet në çdo kohë”, thuhet në përgjigjen e MASH-it.
Rinovimi i konviktit “Stiv Naumov” nisi në korrik të vitit 2024, me mbështetjen e Bashkimit Evropian, dhe përfundoi së fundmi.
Vetëm dy javë pas vendosjes së studentëve në konviktin e rinovuar, kanalizimi në njërin prej tualeteve u bllokua nga hedhja e pecetave të lagështa, për çka intervenuan ekipet e NP-së “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”. Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, u bëri thirrje studentëve të tregojnë më shumë përgjegjësi dhe kujdes ndaj pronës publike.