RMV, DAP-i kontrollon të ardhurat nga jashtë për vitin 2021, qytetarët po marrin njoftime për tatimet

Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP) në Maqedoninë e Veriut ka nisur kontrollet për të ardhurat që qytetarët kanë realizuar nga jashtë vendit gjatë vitit 2021, bazuar në të dhënat e siguruara nga bankat. Disa qytetarë tashmë kanë marrë njoftime për detyrimet e mundshme tatimore dhe afatin për përmbushjen e tyre, transmeton Portalb.mk.

Nga DAP-i sqarojne se jo çdo shumë e pranuar nga jashtë i nënshtrohet tatimit dhe se marrja e një njoftimi nuk do të thotë domosdoshmërisht se qytetari ka detyrim tatimor.

Tatimi zbatohet për të ardhurat nga jashtë që, sipas Ligjit për tatimin mbi të ardhurat personale, i nënshtrohen tatimit. Në këtë kategori përfshihen pagat, honoraret, të ardhurat nga puna si freelancer dhe shërbimet intelektuale, të ardhurat nga dhënia me qira e pronave përmes platformave si Airbnb dhe Booking.com, fitimet nga shitja e pronave, kriptovalutat dhe letrat me vlerë, dividendët, kamatat, të ardhurat nga të drejtat e autorit dhe fitimet nga lojërat e fatit.

Ndërkaq, paratë e pranuara si dhuratë, ndihmë familjare apo hua nuk janë automatikisht të detyruara t’i nënshtrohen tatimit. E njëjta vlen edhe për paratë e transferuara përmes Western Union, Ria, MoneyGram dhe shërbimeve të ngjashme. Sipas DAP-it, detyrimi tatimor varet nga arsyeja për të cilën janë dërguar paratë dhe jo nga mënyra e transferimit të tyre.

“Trajtimi tatimor varet nga baza reale e shumës së pranuar dhe nga fakti nëse bëhet fjalë për të ardhura që i nënshtrohen tatimit sipas ligjit”, sqarojnë nga DAP.

DAP u bën thirrje qytetarëve që kanë pranuar para nga jashtë të kontrollojnë nëse kanë detyrim për të paguar tatim. Nga atje paralajmërojnë se, nëse qytetarët nuk i përmbushin vullnetarisht detyrimet tatimore, do të ndërmerren masa ligjore për përcaktimin e tatimit.

Ndërkaq, sipas të dhënave të DAP-it për vitin 2025, qytetarët kanë dorëzuar mbi 860.000 deklarata tatimore, 10,6 për qind më shumë se një vit më parë. Milioneri më i ri ishte një fëmijë katërvjeçar, i cili kishte fituar një milion denarë nga dividendët, ndërsa më i moshuari ishte 97 vjeç. Paga më e lartë e raportuar ishte 139 milionë denarë në veprimtarinë e nxjerrjes së gurit dhe qymyrit.

Banka - BankëDrejtoria për të Ardhura (hyra) Publike RMV (DAP)Para