Gati dy muaj pas raportimit të Portalb.mk për tri rrugët e lëna pa asfalt në bllokun ndërmjet Kazermës dhe Qendrës Sportive në Tetovë, punimet ende nuk kanë përfunduar. Banorët thonë se është punuar pak dhe pa ndryshime të dukshme, ndërsa nga NPK “Sharri” thonë se të martën pritet të përfundojnë punimet e kanalizimit, pas të cilave komuna duhet të vazhdojë me asfaltimin.
Bëhet fjalë për rrugën 140, një pjesë të rrugës 141 dhe rrugën 162, ku punimet nisën në tetor të vitit të kaluar, por rrugët ende kanë mbetur të papërfunduara.
Në raportimin e 4 shtatorit, banorët u ankuan për pluhurin dhe vështirësitë në qarkullim, ndërsa institucionet arsyetuan vonesën me punimet për kanalizimin atmosferik.
Një qytetar, i cili foli sërish për Portalb.mk, thotë nuk ka pasur përparim të dukshëm.
“Prej atëherë kur e bëtë lajmin para disa javëve, u punua sa për sy e faqe, ndërsa ka mbetur njësoj. Nuk shohim ndryshime, po zvarriten”, tha ai.
Nga Ndërmarrja Publike Komunale “Sharri” për Portalb.mk thanë se punimet janë ndërprerë për një javë.
“Një javë janë ndalur punimet, ka filluar të punohet, ka pasur komplikime, të martën pritet të kryhen punimet, pastaj komuna do vijojë me asfaltimin”, thanë nga NPK “Sharri”.
Portalbi i dërgoi pyetje Komunës së Tetovës për zvarritjen e punimeve dhe afatin e asfaltimit, por deri në publikimin e këtij lajmi nuk morëm përgjigje.
Ndryshe, në raportimin e 4 shtatorit, Komuna e Tetovës deklaroi se asfaltimi do të vazhdonte menjëherë pas përfundimit të punimeve për kanalizimin atmosferik nga NPK “Sharri”. Megjithatë, rrugët vazhdojnë të jenë të papërfunduara, gati një vit pas nisjes së punimeve.
Kujtojmë se ky nuk është rasti i vetëm në Tetovë ku punimet për asfaltimin e rrugëve kanë nisur para zgjedhjeve, por më pas janë zvarritur për muaj të tërë. Situatë të ngjashme pati edhe në rrugën “Shtipska”, si dhe në rrugën në fshatin Xhepçisht, ku punimet gjithashtu u shoqëruan me vonesa derisa përfunduan.