Anekdota, thotë fjalori, është tregim i shkurtër për një ngjarje të vërtetë a të trilluar, që vë në lojë të metat e njerëzve ose shpreh një mendim edukues. E tillë është dhe anekdota që flet për Josif Visarionoviq Stalinin, njërin ndër prijësit më gjakpirës dhe më të çartur komunistë, që hypi popullin në tren dhe e nisi për në theqafje.
Kështu, pas qindra kolometrash nëpër tokën e ashpër stepore, treni u ndal.
- Shoku Stalin, i tha makinisti. U harxhua qymiri dhe kemi mbetur në gjysëm të udhës.
- Tërti n’furë çeçenët, kundërshtarët e sistemit, të dyshimtit, të sëmurët, pleqtë…, e urdhëroi Stalini. E, nëse edhe ata s’mjaftojnë, bëri qymir e lëndë djegëse edhe të tjerët, pa lodhurfiqirin. Në komunizëm duhet t’arrijmë me çdo kusht.
Natyrisht, makinisti zbatoi urdhërin dhe vazhdoi tutje gjersa u ndal sërish treni për mungesë karburantesh.
- Shoku Stalin, foli dridhshëm makinisti. Dogja një për një gjithë miletin, si në komora gazi dhe tani kam mbetur midis një shkretëtire.
- Qëndro aty, iu përgjigj Stalini me zërin entuziast të një triumfatori. Ke arritur në Komunizëm.
Jua merr mendja se kjo është një anekdotë prej atyre që shpërfaqin njësoj edhe budallallëqet ordinere të prijësve satrapë të njëmendësisë bolshevike edhe çmenduritë e carëve të diktaturave demokratike të tipit zullullandez, të cilët, tim për tim, i hipin gjynahët në tren dhe i shpiejnë drejt kurgjësë së përfytyruar si parajsë. Natyrisht, detajet e sikterisjes i dinë vetëm suitat e carëve, të cilët shastisin me përralla turlifare miletin e zvetënuar në skrajë kolektive kafkiane, që lë fatin në mëshirën e askujt.
Ndodh kështu, sepse shtetet xhuxhe lindin shpesh prijës të adhuruar kotekot nga masat e yshtura për gjynah, të gatshëm të marshojnë grigjas drejt kurgjësë. Këtë më së miri e ka paraqitur shkrimtari serb Radoje Domanoviq, në veprën satirike Prijësi, në të cilën një turmë e madhe njerëzish ndjek njeriun e pandehur si car në rrugëtimin molisës përreth një mali, gjer në momentin kur dikush guxoi ta pyesë:
- Ku po na çon, o Prijës, se u kapitëm duke u vërdallisur rreth kësaj kodre?
- Po kush ju ka thënë të më ndiqni, o njerëz të mirë?, u përgjigj “prijësi”. Unë jam i verbër.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.