Komisioni Evropian (KE) prezantoi të martën rregulla të reja për zgjerimet e ardhshme të Bashkimit Evropian (BE), transmeton Radio Evropa e Lirë.
Vendet kandidate do të përfshiheshin më herët në politikat dhe programet evropiane, ndërsa BE-ja do të kishte mekanizma më të fuqishëm mbrojtës në rast se një shtet i ri anëtar devijon nga zotimet e tij pas anëtarësimit. Anëtarët e rinj do ta ruanin të drejtën e vetos, me një zotim vullnetar për të mos e përdorur atë për mosmarrëveshjet e tyre dypalëshe.
Mali i Zi, i cili synon t’i përfundojë negociatat deri në fund të vitit, do të jetë vendi i parë që do të përfshihet në kornizën e re.
KE-ja thotë se procesi i anëtarësimit mbetet rreptësisht i bazuar në merita dhe se standardet nuk po ndryshojnë.
Integrimi gradual
Vendet kandidate do të kenë qasje në pjesë të sistemit të BE-së edhe para anëtarësimit: në tregun e përbashkët, programe dhe agjenci, si dhe në rrjetet e energjisë, transportit dhe digjitalizimit. Si shembuj të përfitimeve për qytetarët, Komisioni përmend Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), në të cilën tashmë marrin pjesë Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, si dhe roamingun me çmime vendore, zgjerimi i të cilit në Ballkanin Perëndimor u miratua për negociata nga Këshilli i BE-së në qershor.
Anëtarësimi do të jetë i kushtëzuar nga përparimi në përgatitje, gatishmëria në një fushë të caktuar dhe përafrimi strategjik me BE-në. Sipas dokumentit, kjo përfshin edhe përafrimin e plotë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, veçanërisht sa u përket sanksioneve, ku përafrimi i vendeve kandidate ende nuk është i mjaftueshëm.
Integrimi është “i kthyeshëm” – qasja mund të pezullohet ose të tërhiqet nëse nuk përmbushen detyrimet, ndërsa masa duhet të jetë proporcionale dhe e kufizuar në fushën ku është konstatuar problemi.
Pas konferencës së fundit ndërqeveritare dhe para nënshkrimit të traktatit të anëtarësimit, vendet kandidate do të kenë të drejtë për informim dhe konsultim, si dhe statusin e vëzhguesit, me rregulla të dakorduara për pjesëmarrjen në mbledhjet e Këshillit Evropian, Këshillit të BE-së dhe organeve të tyre përgatitore.
Pas nënshkrimit, Parlamenti Evropian (PE) mund të ftojë vëzhgues nga parlamenti i vendit që po anëtarësohet, ndërsa Komisioni do të shqyrtojë pjesëmarrjen e strukturuar politike në punën e tij. Në të dyja rastet, vëzhguesit nuk do të kenë të drejtë vendimmarrjeje.
Klauzolat mbrojtëse
Tri klauzolat ekzistuese – ajo ekonomike, klauzola për tregun e brendshëm dhe ajo për drejtësinë dhe punët e brendshme – mbeten në fuqi, por me një periudhë më të gjatë vlefshmërie. Deri tani, ato mund të aktivizoheshin brenda tre vjetësh nga anëtarësimi, ndërsa Komisioni tani propozon një periudhë “dukshëm” më të gjatë, me mundësi zgjatjeje në kushte të përcaktuara.
Dokumenti nuk specifikon se për sa vite bëhet fjalë. Masat duhet të jenë të synuara, proporcionale, të kufizuara në kohë dhe t’i nënshtrohen shqyrtimit gjyqësor.
Risia është një klauzolë institucionale, e cila do të jetë e vlefshme për 15 vjet nga anëtarësimi dhe do të zbatohet në rast të shkeljeve të rënda të vlerave themelore të BE-së dhe parimit të bashkëpunimit të sinqertë. Masat do të synojnë fushën e politikave të prekur, ndërsa në rast të problemeve sistemike ato mund të jenë më të gjera – në raste veçanërisht të rënda, deri në pezullimin e të drejtës së votës në Këshill.
Propozimi paraqitet nga Komisioni ose nga shtetet anëtare përmes një kërkese të arsyetuar, ndërsa masat do të konsideroheshin të miratuara nëse Këshilli nuk i refuzon ato me shumicë të cilësuar brenda një afati të caktuar. Kjo shmang unanimitetin që kërkohet nga Neni 7 i Traktatit të BE-së.
“Mekanizmat mbrojtës do të aktivizohen vetëm në rast të shkeljeve të rënda, pra veprimeve në kundërshtim me sundimin e ligjit, demokracinë dhe vlerat tona, dhe kjo vlen njësoj për shtetet anëtare ekzistuese dhe ato të reja. Nuk ka dallim mes shteteve anëtare”, tha komisionarja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos. Ajo shtoi se BE-ja ka mësuar shumë nga e kaluara dhe nuk dëshiron që disa përvoja të përsëriten.
Sipas komisionares Kos, kjo nuk do të thotë se anëtarët e ardhshëm do të kenë status tjetër brenda BE-së.
“Të gjitha shtetet anëtare, dhe këtë e theksoj, do të gëzojnë të drejta të barabarta. E njëjta vlen edhe për anëtarët e rinj; ne nuk duam një anëtarësim të nivelit të dytë. Për t’iu bashkuar BE-së, vendet duhet të përmbushin standarde shumë të larta në fushën e sundimit të ligjit”, tha Kos. “Duhet të sigurohemi që pas anëtarësimit ato të mos bien kurrë më poshtë këtyre standardeve. Këtë e kemi mësuar nga përvojat e së kaluarës. Bëhet fjalë për mbrojtjen tonë”.
Monitorimi do të vendoset edhe në periudhën nga përfundimi i negociatave deri në anëtarësim. Këshilli, me propozim të Komisionit, mund të miratojë masa që do të hynin në fuqi në ditën e parë të anëtarësimit. Si masë e fundit parashikohet një klauzolë për shtyrjen e anëtarësimit, ndërsa mënyra e vendimmarrjes për të ende duhet të përcaktohet. Shteti i ri anëtar do të merrte përsipër, përmes një deklarate të bashkëngjitur traktatit të anëtarësimit, që të mos bllokojë vendimet për zgjerimet e ardhshme gjatë viteve të para të anëtarësimit për shkak të mosmarrëveshjeve dypalëshe.
Përgatitja e BE-së
KE-ja vlerëson se BE-ja mund të pranojë anëtarë të rinj përmes përshtatjeve të synuara brenda kuadrit të traktateve aktuale.
Ai propozon përdorimin e të ashtuquajturave klauzola passerelle për të kaluar nga unanimiteti në shumicë të cilësuar – me aktivizimin e tyre që do të vendosej ende në mënyrë unanime – si dhe vendimmarrjen me shumicë të cilësuar në Këshill për hapat ndërmjetës të negociatave, si hapja e kapitujve/grupeve negociuese. Vendimi për pranimin e një anëtari të ri do të kërkonte ende unanimitet.
Shtetet e reja anëtare do të duhej të merrnin pjesë në punën e Prokurorisë Publike Evropiane që nga dita e anëtarësimit, ndërsa Komisioni do të monitoronte përgatitjet, përfshirë emërimin e prokurorëve.
Çfarë do të thotë kjo për Malin e Zi?
Sipas KE-së, Mali i Zi është në rrugën e duhur për t’i përmbushur të gjitha kushtet e mbetura dhe për t’i përfunduar negociatat deri në fund të vitit 2026 ose në fillim të vitit 2027, në mënyrë që të bëhet anëtar në vitin 2028, afat që Komisioni e konsideron realist.
“Mali i Zi ka investuar shumë energji dhe ka arritur shumë, ndaj besojmë se mund t’i përfundojë negociatat, pjesën e tyre teknike, deri në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm. Grupi i punës tashmë po përgatit traktatin e anëtarësimit, kështu që, nëse gjithçka shkon mirë, përfshirë dinamikën në shtetet anëtare, është e mundur që Mali i Zi ta nënshkruajë traktatin vitin e ardhshëm. Pas kësaj, gjithçka varet nga kohëzgjatja e ratifikimit”, tha Kos.
Duke iu referuar praktikës së mëparshme, sipas së cilës ratifikimi ka zgjatur një deri në dy vjet, Kos vlerësoi se është realiste të pritet që Mali i Zi të bëhet anëtar në vitin 2028, nëse vazhdon t’i përmbushë detyrimet ashtu siç ka bërë deri tani.
Si vendi më i mundshëm për anëtarësimin e ardhshëm, Mali i Zi do të jetë i pari që do t’i nënshtrohet rregullave të reja: Komisioni thotë se qasja e re fillimisht do të zbatohet në marrëveshjet për anëtarësimin e tij dhe më pas në traktatet e ardhshme të anëtarësimit. Podgorica do të duhet të dëshmojë jo vetëm se i ka përmbushur kushtet, por edhe se po i ruan ato, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, gjyqësorit dhe luftës kundër korrupsionit, pasi klauzolat mund të zbatohen edhe 15 vjet pas anëtarësimit në BE.
KE-ja këmbëngul se qasja e re nuk krijon anëtarë të “nivelit të dytë”: të drejtat e votës mbeten, me mundësinë e pezullimit në rastet më të rënda dhe me detyrimin për të mos bllokuar zgjerimin e mëtejshëm për shkak të mosmarrëveshjeve dypalëshe.
Sipas njoftimit të Komisionit, paketa e zgjerimit pritet më 28 tetor, me udhërrëfyes për Malin e Zi, Shqipërinë, Moldavinë dhe Ukrainën, me kusht që këto vende të ruajnë ritmin e reformave.
Aktualisht, ato konsiderohen vendet më të avancuara në procesin e anëtarësimit. Udhërrëfyesit nuk paragjykojnë rezultatin apo shpejtësinë e negociatave, por shërbejnë si bazë për punën e Këshillit të BE-së. Një debat strategjik për zgjerimin është në agjendën e samitit të BE-së javën e ardhshme.