Në Tiranë vijojnë protestat kundër qeverisë dhe korrupsionit

Mijëra qytetarë protestuan mbrëmë në Tiranë, duke kërkuar arsim më cilësor, mundësi punësimi dhe luftë kundër korrupsionit në Qeveri, transmeton Portalb.mk.

Tubimi nisi përpara Ministrisë së Arsimit dhe vijoi drejt Kryeministrisë, ndërsa më vonë u shënuan incidente pranë Kuvendit të Shqipërisë.

Dy protestues tentuan të thyenin dyert e Kuvendit me një shufër metalike, ndërsa raportohet se drejt ndërtesës u hodhën edhe gurë. Policia ndërhyri, rrethoi objektin me kordon dhe shoqëroi disa pjesëmarrës.

Protestuesit u mblodhën rreth orës 14:00 përpara Ministrisë së Arsimit, ku qëndruan afërsisht një orë e gjysmë. Më pas marshuan nëpër rrugët e kryeqytetit drejt selisë së Qeverisë.

Gjatë marshimit, disa pjesëmarrës bllokuan rrugën me kontejnerë mbeturinash dhe i vunë zjarrin njërit prej tyre. Si pasojë, qarkullimi u ndërpre për rreth 15 minuta. Të shoqëruar nga forcat policore, protestuesit vazhduan përgjatë Unazës së Tiranës dhe rreth orës 17:00 u grumbulluan përpara Kryeministrisë.

Mediat lokale raportuan se pjesa e parë e protestës kaloi pa përplasje të drejtpërdrejta me policinë. Tensionet u shtuan më vonë, kur ndodhën incidentet pranë Kuvendit.

Protestat e udhëhequra nga lëvizja studentore nisën më 13 tetor në Tiranë dhe më pas u shtrinë edhe në qytete të tjera. Në qendër të pakënaqësive të studentëve janë kostot e studimeve, kushtet në universitete dhe mundësitë e kufizuara për të ardhmen e tyre ekonomike. Lëvizjes iu bashkuan edhe qytetarë të pakënaqur me shtrenjtimin e jetesës, korrupsionin dhe qeverisjen.

Potestat e javëve të fundit janë shoqëruar me përleshje të dhunshme me policinë dhe djegie të bankave, gjykatave e objekteve qeveritare. Autoritetet kanë vendosur gjobë prej 6.000 dollarësh për pjesëmarrësit në protesta që përshkallëzohen në dhunë, përfshirë edhe ata që nuk kryejnë vetë veprime të dhunshme.

Bashkimi Evropian dhe Ambasada e SHBA-së në Tiranë u kanë bërë thirrje palëve të tregojnë përmbajtje. Ato kanë kërkuar respektimin e së drejtës për tubime paqësore dhe përdorimin proporcional të forcës nga autoritetet.

Edi RamaProtestaTirana