Një gjykatë federale në SHBA e bllokoi përkohësisht planin e administratës së Donald Trumpit për mbylljen e fushës historike të golfit dhe parkut “East Potomac” në Uashington, raporton BBC.
Gjykatësja Ana Reyes vendosi se Trumpi nuk mund t’i mbyllë parkun dhe fushën e golfit, të cilat ekzistojnë prej më shumë se një shekulli.
Në tetor, Trumpi njoftoi se fusha 106-vjeçare e golfit do të rinovohej tërësisht brenda 15 muajve, me qëllim krijimin e një hapsire moderne që mund të mirëpresë edhe turne botërorë të golfit.
Megjithatë, gjykatësja vlerësoi se argumentet e administratës për mbylljen e kompleksit nuk ishin të justifikuara dhe se qeveria kishte shkelur të paktën dy ligje federale.
Në arsyetimin e vendimit, ajo theksoi se parku është një hapsirë historike që përdoret çdo ditë nga banorët e Uashingtonit dhe se mbyllja e tij nuk është në interesin publik.
Trump më herët kishte kritikuar pamjen aktuale të fushës dhe kishte paralajmëruar se përmes rikonstruksionit do të krijonte një nga fushat më të mira të golfit në botë.