Rrëfimet e malit

Shkruan: Belkis Latifi

I ulur në terasën e kafenesë, me filxhanin e kafesë përpara dhe duhanin në shpuzore, dëgjoja valët e lumit Vardar, që lëshonin një zë të butë, karizmatik e qetësues për veshin dhe shpirtin.

Para meje, në një pamje panoramike, qëndronte mali, i heshtur, i thellë dhe madhështor. Në qetësinë e tij fshihej një qëndrueshmëri e pathyeshme. As stuhitë, as vërshimet, as erërat e forta, shiu apo bora nuk kishin mundur ta lëkundnin. Ai qëndronte aty, stoik dhe i palëkundur, sikur të kishte diçka për të rrëfyer.

“Mua më kanë prerë shumë drunj,” dukej sikur thoshte, por kjo kurrë nuk ma ka marrë emrin ‘mal’.

Para syve të mi kanë kaluar pushtetarë, mendjemëdhenj, lakmitarë e arrogantë. Sot, i ka mbuluar dheu dhe gjurmët e tyre janë tretur, sikur të mos kishin ekzistuar kurrë. Unë jam dëshmitari i kësaj harrese.

Disa ndërtuan mbi kurrizin tim, e në fund më dëmtuan. Drurit nuk i dhemb tehu i sëpatës aq sa i dhemb fakti se bishti i saj është prej vetë druri.

Ka pasur edhe prej atyre që u ngjitën deri në majën time më të lartë. Por, nga ajo lartësi, njerëzit poshtë u dukeshin të vegjël, duke harruar se edhe ata vetë, nga poshtë, duken po aq të vegjël. Çdo gjë është çështje këndvështrimi.

Unë do të mbetem dëshmitar për shumë gjenerata që do të vijnë, me histori që përsëriten. Njerëzit kanë tek unë një libër të hapur, por pak janë ata që dinë ta lexojnë.

Rruga drejt majës nuk është e lehtë. Kush zgjedh rrugën e gabuar, plagoset nga ferrat. Prandaj, fillimi i drejtë është thelbësor. Ndërsa për të arritur deri në fund, duhen vetëm tri gjëra: sabër, qëndrueshmëri dhe përulësi.

Vetëm ai që i bart këto brenda vetes mund ta shijojë pamjen fascinuese që ofron maja ime. Por edhe atëherë, duhet ta kujtojë veten: çdo ngjitje kërkon edhe një zbritje. Prandaj, mos e mbill rrugën me gjemba sepse do të duhet të kthehesh nëpër të njëjtën rrugë.

Të gjithë ata që kanë ecur mbi mua, janë kthyer përsëri.

Vetëm ai që u ndal dhe reflektoi, e kuptoi vogëlsinë e vet. E kuptoi se nga toka ka ardhur dhe në tokë do të kthehet, edhe kur qëndron mbi mua.

Fshatrat dhe vendbanimet përballë meje sikur jehojnë njëzëri, por njerëzit nuk e dëgjojnë thirrjen e tyre: “Çfarë mbjell, atë do të korrësh.”

Atëherë e kuptova: madhësia jonë përballë maleve është asgjë. Tani më, edhe më i qartë shembulli që Zoti e solli: “Dhe mos ec nëpër tokë me mburrje, pse ti as nuk mund ta çashë tokën as nuk mund ta arrish lartësinë e maleve.”

Kafja u ftoh, duhani u shua, por jo edhe rrëfimi i malit.

U ngrita nga tavolina, me mendimin se tani radha ishte e imja: t’i jetoja porositë që sapo i kisha dëgjuar.

Na Shkruani