Rreth 43 milionë vajza të moshës 15 deri në 19 vjeç në mbarë botën kanë përjetuar dhunë nga partneri, dhunë seksuale nga një person që nuk është partneri i tyre ose të dyja format e dhunës, transmeton Portalb.mk.
Kjo është gati 30% e vajzave në këtë grupmoshë, sipas të dhënave për vitin 2023 nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe organizatat partnere të Kombeve të Bashkuara.
Sipas analizës, 23% e vajzave që kanë pasur partner kanë përjetuar dhunë fizike dhe/ose seksuale nga partneri të paktën një herë gjatë jetës.
Ndërsa 16% kanë përjetuar një formë të tillë dhune vetëm gjatë vitit të fundit.
Përveç dhunës nga partneri, 8% e të gjitha vajzave 15 deri në 19 vjeç kanë përjetuar dhunë seksuale nga një person që nuk është partneri i tyre.
OBSH paralajmëroi se shifrat mund të jenë edhe më të larta. Shumë raste nuk raportohen për shkak të frikës, turpit, stigmës apo mungesës së besimit te institucionet.
Sipas OBSH-së, dhuna lidhet edhe me martesat e hershme, arsimimin më të ulët të vajzave dhe ligjet diskriminuese për pronën dhe trashëgiminë.
Dhuna mund të ketë pasoja të rënda për shëndetin dhe jetën e vajzave. Ajo mund të çojë në shtatzëni të paplanifikuara, infeksione seksualisht të transmetueshme, ankth dhe depresion. Mund të ndikojë edhe në arsimimin, punësimin dhe marrëdhëniet e tyre në të ardhmen.
OBSH dhe organizatat partnere kërkojnë arsim të mesëm të qasshëm, parandalimin e martesave të fëmijëve, mbrojtje më të fortë ligjore dhe masa për uljen e pabarazisë gjinore.