Ministria e Shëndetësisë i ka kërkuar Inspektoratit Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor (ISSH) të ushtrojë mbikëqyrje mbi veprimet e institucioneve të kujdesit shëndetësor dhe personelit mjekësor të përfshirë në rastin e infermieres Lubica Shavreska, raportoi MIA.
“Ministria e Shëndetësisë me vëmendje po i ndjek dhe shpreh keqardhje për pretendimet e shprehura në publik nga infermierja Lubica Shavreska, lidhur me trajtimin që ka marrë gjatë shtatzënisë, para se shtatzënia e saj të përfundojë tragjikisht me humbjen e fetusit. Duke qenë të vetëdijshëm për peshën e përvojës së pacientes dhe me qëllim që të gjitha rrethanat të vërtetohen plotësisht dhe në mënyrë objektive, Ministria menjëherë inicioi kërkesë drejtuar Inspektoratit Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor (ISSSH) për kryerjen e mbikëqyrjes mbi veprimin e institucioneve shëndetësore dhe personelit mjekësor të përfshirë në rast”, njoftojnë nga MSH.
Pas mbikëqyrjes së jashtëzakonshme inspektuese të kryer nga ISSSH, Ministria e Shëndetësisë do të formojë komision për mbikëqyrje profesionale mbi punën e punonjësve shëndetësorë që kanë marrë pjesë në trajtimin e pacientes.
“Ministria e Shëndetësisë do të veprojë ekskluzivisht në mënyrë profesionale, në bazë të fakteve të vërtetuara dhe gjetjeve profesionale. Nëse gjatë procedurës së mbikëqyrjes inspektuese vërtetohen eventuale lëshime në veprim, Ministria do të veprojë plotësisht në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi”, thonë nga atje.
Ministria e Shëndetësisë mbetet e përkushtuar për sigurimin e mbrojtjes shëndetësore cilësore dhe të arritshme për çdo paciente, veçanërisht në rastet me rrezik të lartë, siç është rasti i shtatzënisë me komplikacione.