Dy provimet eksterne në sesionin e provimeve të gushtit nga matura shtetërore, për maturantët të cilët në qershor nuk i kanë dhënë ose jo në tërësi, do të jepen më 12 dhe 14 gusht, njofton Portalb.mk.
Të martën (12 gusht) do të jetë testimi për provimin për gjuhë amtare (shqipe, mqedonase, turke, serbe) dhe letërsi, ndërsa dy ditë më vonë (14 gusht) është dhënia e provimit zgjedhor ekstern (matematikë, gjuhë angleze, gjuhë frenge, gjuhë gjermane, gjuhë ruse, gjuhë italiane, filozofi, estetikë).
Sipas të dhënave të Qendrës Shtetërore të Provimeve (QSHP), për dy ditët e provimeve janë paraqitur gjithsej 1.118 nxënës Prej tyre, 352 do të japin provimin gjuhë maqedonase, 225 – gjuhë shqipe, nëntë – gjuhë turke. Gjuhë angleze do të japin 779, një nxënës gjuhë frenge, dy – gjuhë gjermane, 27 – matematikë dhe një maturant është paraqitur për provimin estetikë.
Sipas llojit të arsimit, nga gjimnazet do të japin provime 265 nxënës, shkollë të mesme profesionale – 835 dhe 18 nga shkollë të mesme të artit. Provimet nga afati i gushtit kandidatët do t’i japin në hapësira të fakulteteve.
MASH dhe QSHP më 5 gusht i kumtuan rezultate nga matura shtetërore e realizuar në qershor të cilët janë pak më të mira se në vitin e kaluar shkollor. Nota mesatare e suksesit nga dhënia e dy provimeve eksterne në sesionin e qershorit është 3.69 dhe është më e lartë se vitin e kaluar kur nota mesatare ishte 3.26. Sukses më i madh është shënuar tek gjuhët amtare dhe tek lëndët e tjera, posaçërisht në matematikë për të cilin nota mesatare është 4.14.
Për dhënie të provimeve në afatin e qershorit të paraqitur kanë qenë 15.004 nxënës. Për shkak të tentimeve për kopjim, përdorim të pajisjeve elektronike dhe parregullsive tjera, janë asgjësuar testet e 172 nxënësve.