Pjesëtarë të grupit të tifozëve “Komitët” mbrëmë pas mesnatës në Shkup i kanë sulmuar brutalisht dy punonjës të Higjienës Komunale. Rastin përmes rrjeteve sociale e ka konfirmuar zëvendësministri i Punëve të Brendshme Astrit Iseni. Baskimi Demokratik për Integrim kërkon që menjëherë të identifikohen dhe të ndëshkohen pjesëtarët e “Komitëve”, njofton Portalb.mk.
Iseni potencon se është e papranueshme që qytetarët, të cilët kryejnë punën e tyre, të bëhen cak i dhunës për shkak të përkatësisë së tyre etnike.
“Sipas deklarimeve të të sulmuarve, personat që i kanë sulmuar janë prezantuar si “Komitë”. Ekzistojnë dyshime serioze se sulmi mund të ketë motive etnike, rrethana këto që do të trajtohen me prioritet dhe do të hetohen deri në zbardhjen e plotë të rastit. Rasti fillimisht nuk ishte raportuar në polici. As nga institucioni shëndetësor ku kanë kërkuar ndihmë të lënduarit nuk është përcjellë njoftim në polici. Pas paraqitjes së rastit nga vetë viktimat në Stacionin Policor “Karposh”, SPB Shkup dhe Stacioni Policor “Karposh” kanë ndërmarrë menjëherë veprimet e nevojshme hetimore, ndërsa janë siguruar edhe dëshmitarë të ngjarjes, të cilët do të kontribuojnë në zbardhjen e plotë të saj”, shkruan ai.
Zëvendësministri në postimin në Fejsbuk shton se ky rast nuk do të mbetet pa epilog dhe se të gjithë kapacitetet e nevojshme policore dhe hetimore do të angazhohen për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave.
BDI-ja e dënoi ashpër sulmin fizik ndaj dy punonjësve shqiptarë të Higjienës Komunale në Shkup.
“Fakti se sulmuesit fillimisht i pyetën punonjësit nëse janë shqiptarë dhe më pas i sulmuan, ndërkohë që ata mbanin uniformat e punës, ngre dyshime serioze për motivim etnik. Kjo është e papranueshme në një shtet multietnik, ku siguria dhe barazia duhet të vlejnë për të gjithë qytetarët, pa dallim”, thonë nga partia opozitare.
Nga BDI-ja kërkojnë nga zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni dhe ministri i punëve të brendshme Pançe Toshkovski, përgjegjësi institucionale, hetim të plotë, identifikimin e të gjithë sulmuesve dhe ndëshkimin e tyre.
“Kërkojmë: Identifikimin e plotë të të gjithë pjesëtarëve të grupit që morrën pjesë në sulm; Hetim të plotë dhe profesional për motivet e sulmit, përfshirë dyshimet për motivim etnik; Ngritjen e procedurave përkatëse dhe ndëshkimin e të gjithë përgjegjësve; Sqarim publik se çfarë masash ka ndërmarrë dhe po ndërmerr MPB-ja për të garantuar sigurinë e qytetarëve. Shqiptarët nuk duhet të kenë frikë të punojnë, të jetojnë dhe të lëvizin të sigurt në kryeqytetin e vendit të tyre!”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Në reagimin e Lëvizjes “Një” thuhet se duhet të marrë fund tolerimi i nxitjes dhe kultivimit të dhunës, si dhe i sjelljeve si në Perëndimin e Egër (kaubojtë), të cilët mendojnë se mund të sulmojnë qytetarët për shkak të përkatësisë së tyre etnike.
“Përgëzime gazetarëve që e bënë publik këtë rast dhe ndihmuan që kjo ngjarje të mos kalojë në heshtje. Shteti duhet të jetë i barabartë për të gjithë qytetarët dhe të garantojë sigurinë e secilit, pa dallim. Nëse institucionet nuk janë në gjendje ta bëjnë këtë, qytetarët do të detyrohen të organizohen për të mbrojtur veten, ndërkaq përgjegjësinë për çdo përshkallëzim të mundshëm do ta mbajë shteti, i cili duhet t’u shërbejë njësoj të gjithë taksapaguesve. Natyrisht, duke qenë të “bindur” se kjo dhunë sistemike që po përsëritet disa vjet me radhë, nuk është dorë e kordinuar nga shteti vetë!?”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Një.
Gjatë festimit të Ditës së Flamurit,në rajonet e Sektorëve për Punë të Brendshme në Shkup, në Tetovë, në Ohër dhe në Kumanovë, janë regjistruar gjithsej 13 shkelje të rendit dhe qetësisë publike.