Pasi Fondi i Sigurimit Shëndetësor (FSSH) informoi për kontratat e reja pesëvjeçare me institucionet private shëndetësore, Shoqata e Gjinekologëve dhe Obstetërve Privat të Maqedonisë thotë se përfaqësuesit e tyre janë pritur në bisedë në Fond, por nuk është arritur pajtueshmëri, njofton Portalb.mk.
„Fondi nuk pranoi asnjë nga propozimet tona, ndërsa Shoqata nuk dha pëlqim as për kontratën e re dhe as për gjobat më të larta kontraktuale. Kumtesa e FSSH-së lë përshtypjen se kontratat janë harmonizuar me përfaqësuesit e të gjitha veprimtarive shëndetësore. Në pjesën që i referohet gjinekologjisë amë, një përshtypje e tillë është e gabuar“, reagon Shoqata.
Sipas Shoqatës, tashmë njëzet vjet FSSH-ja u ofron gjinekologëve amë në thelb të njëjtën kontratë. Gjatë asaj periudhe, siç thonë ata, kanë ndryshuar standardet klinike dhe janë zgjeruar mundësitë diagnostikuese në kujdesin primar gjinekologjik. Një pjesë e kontrolleve dhe procedurave për të cilat më parë ka qenë i nevojshëm udhëzimi, shpjegon Shoqata, sot kryhen në ordinancat e tyre. Prej këtu, konstatojnë se kontrata e re pesëvjeçare vazhdon të mos e pasqyrojë këtë praktikë.
„Kërkuam që në vetë kontratën, në përputhje me udhëzimet bashkëkohore klinike, të përcaktohet qartë se cilat kontrolle dhe shërbime i takojnë pacientes te gjinekologu amë, në çfarë vëllimi dhe sa shpesh. Kur kontrata nuk i përcakton qartë këto të drejta, vështirësohet realizimi i tyre. Dispozitat e paqarta mund të çojnë në udhëzimin drejt spitalit ose klinikës për një shërbim të cilin pacientja mund ta marrë te gjinekologu i saj amë. Kjo do të thotë pritje shtesë për pacientet dhe barrë më e madhe për spitalet dhe klinikat“, theksojnë nga Shoqata.
Njëkohësisht, potencojnë se gjinekologët amë çdo ditë sigurojnë kontrolle, diagnostikim dhe kujdes të vazhdueshëm për pacientet e tyre.
„Propozimet tona kanë për qëllim të ruajnë qasshmërinë e këtij kujdesi, t’i përcaktojnë qartë të drejtat e pacienteve, të garantojnë sigurinë juridike të gjinekologut amë dhe të ulin udhëzimet e panevojshme në spitale dhe klinika. Kërkojmë që FSSH-ja të sqarojë publikisht se kontrata e re për gjinekologët amë është përcaktuar pa pëlqimin e Shoqatës sonë dhe të arsyetojë pse nuk i pranoi propozimet që i dorëzuam“, pyesin nga Shoqata e Gjinekologëve dhe Obstetërve Privatë të Maqedonisë (SHGJOPM).
Çfarë thanë nga Fondi?
Këshilli Drejtues i Fondit të Sigurimit Shëndetësor (FSSH) para disa ditësh informoi se ka përcaktuar formën dhe përmbajtjen e kontratave të reja për blerjen e shërbimeve shëndetësore me institucionet private shëndetësore, të cilat, siç tha, do të zbatohen nga 1 janari 2027.
Siç thanë nga Fondi, kontratat e reja pesëvjeçare firmosen pas përfundimit të procesit gjithëpërfshirës të negociatave me përfaqësuesit e institucioneve private shëndetësore.
Me to, siç thonë, sigurohet vazhdimësi në kujdesin shëndetësor të të siguruarve, stabilitet dhe parashikueshmëri më e madhe në punën e institucioneve shëndetësore, si dhe avancim i të drejtave dhe detyrimeve të ndërsjella.
Sipas Fondit, negociatat janë zhvilluar veçmas për secilën veprimtari shëndetësore, me pjesëmarrjen aktive të përfaqësuesve të nominuar të ofruesve të shërbimeve shëndetësore.
„Gjatë dialogut, Fondi i shqyrtoi propozimet dhe kërkesat e dorëzuara, duke pranuar zgjidhjet që kontribuojnë në përmirësimin e kushteve të punës, sigurimin më efikas të shërbimeve shëndetësore dhe avancimin e kujdesit shëndetësor në kuadër të rregullativës ligjore në fuqi. Ndër risitë më të rëndësishme në kontrata është përforcimi i mekanizmave për mbrojtjen e të siguruarve nga pagesat e pabazuara, faturimi i shërbimeve të pakryera dhe kufizimi i të drejtave nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor“, thanë nga Fondi.
Nga atje potencuan se është parashikuar edhe thjeshtimi i procedurave administrative dhe zgjerimi i komunikimit digjital ndërmjet Fondit dhe institucioneve shëndetësore. Do të hiqen disa nga detyrimet e deritanishme në letër, ndërsa do të zgjerohet funksionaliteti i ueb-portalit të Fondit, me çka, siç thanë, duhet të ulet barra administrative dhe të kursehet kohë.
„Një masë e re është edhe vendosja e mekanizmit për vënien në pezullim të faksimiles së punonjësit shëndetësor menjëherë pas skadimit të vlefshmërisë së licencës së punës. Kjo masë do të fillojë të zbatohet nga 1 qershori 2027. Me kontratat e reja rishikohen edhe gjobat kontraktuale. Disa nga gjobat do të ulen, për shkelje të caktuara do të vendosen vërejtje, ndërsa do të ashpërsohet përgjegjësia për parregullsi më serioze, veçanërisht kur rrezikohen të drejtat e të siguruarve“, njoftuan nga Fondi.
Përveç kësaj, theksuan nga atje, më saktësisht do të rregullohen detyrimet për konfidencialitetin dhe mbrojtjen e të dhënave personale dhe shëndetësore të të siguruarve.
„Me përfundimin e negociatave nuk përfundon edhe dialogu me institucionet shëndetësore. Në tremujorin e parë të vitit 2027 është parashikuar formimi i një grupi të përbashkët pune me përfaqësues të Fondit dhe partnerëve relevantë, i cili do të vazhdojë t’i shqyrtojë propozimet dhe nismat e dorëzuara për avancimin e sistemit të kujdesit shëndetësor“, njoftoi Fondi para disa ditësh.