RMV, inspektorati shëndetësor do të kryejë mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese për të porsalindurin që vdiq nga sepsa

Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor do të bëjë inspektim të jashtëzakonshëm në Spitalin e Prilepit lidhur me vdekjen e një të porsalinduri që ka ndërruar jetë nga sepsa, ka konfirmuar sot në një deklaratë për gazetarët ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti, transmeton Portalb.mk.

“Menjëherë sot kam iniciuar si ministër në Ministri, do të shkojë Inspektorati Sanitar Shtetëror dhe do të ketë një komision ekspertësh. Tash e tutje nuk do të ketë asnjë dyshim për asnjë rast, gjithçka do ta zgjidhim deri në fund ashtu siç duhet”, tha Mexhiti në pyetjet e gazetarëve pas vizitës në Klinikën Universitare të Sëmundjeve të Fëmijëve në ISHP, me rastin e promovimit të sensorëve të rinj për matjen e glicemisë.

Foshnja ka lindur në spitalin e Prilepit, e më pas është transferuar në Klinikën e Fëmijëve në Shkup, ku pas një jave ka ndërruar jetë.

Njëkohësisht ai i bëri thirrje sërish Prokurorisë se ka ardhur koha të dalin me emër e mbiemër në lidhje me skandalin me Onkologjinë.

“Nuk do të lejojmë të njolloset më shumë bluza e bardhë, dhe ata dolën me deklaratë që të mos përdoret për qëllime politike. Unë nuk jam politikan, jam mjek, jam njeri para së gjithash dhe jam ministër i Shëndetësisë, prandaj do të kërkoj llogari nga të gjitha institucionet. I bëj thirrje Prokurorisë që të dalë me një emër dhe mbiemër konkret. Mendoj se ka ardhur koha, ky proces po zgjat shumë”, tha Mexhiti.

Kujtojnë se dje, një fëmijë i porsalindur me sepsë ka vdekur në Klinikën për Fëmijë në Shkup.

Drejtoresha e Klinikës, Stojka Naceva Fushtiq informon se foshnja e porsalinduri është sjellë nga Prilepi në Klinikën e Fëmijëve në gjendje të rëndë, me frymëmarrje të parregullt, është përkujdesur në Repartin e Mjekimit Intensiv, fillimisht me mbështetje joinvazive respiratore, ndërsa më pas është vendosur në ventilim mekanik.

“Fëmija është vendosur në terapi të dyfishtë me antibiotikë, mbështetje adekuate, gjegjësisht korrigjim të çrregullimeve, megjithatë ajo që dështon edhe funksioni i veshkave, ditën e shtatë përfundon keq. Sipas parametrave klinikë dhe biokimikë, bëhet fjalë për sepsë të hershme neonatale, e cila shfaqet në katër ditët e para dhe më së shpeshti, infeksioni shfaqet në lindje. Nëse para kohe i ka plasur uji, nëse është nga rrugët e lindjes, këtu mund të spekulohet… nuk kemi të dhëna të tilla. Mirëpo, kur është sjellë në klinikë, tashmë ka shenja të qarta klinike biokimike të sepsës së hershme neonatale”, shpjegoi drejtoresha.

Nëna e foshnjës në rrjetet sociale ka ndarë ngjarjet pas lindjes, duke informuar se në spitalin e Prilepit personeli i ka thënë se foshnja do të trajtohet me rrezatim për shkak të verdhëzës, por më pas është dërguar në Shkup.

Siç shpjegoi Naceva Fushtiq, verdhëza është një paraqitje fiziologjike tek foshnjat. Pesëdhjetë për qind, thotë, e foshnjave kanë verdhëz edhe ajo më shpesh është në kufijtë fiziologjikë.

Fatmir MexhitiFëmija/ëMinistria e Shëndetësisë (MSH)Vdekje