RMV, gjithsej 17 persona janë arrestuar për incidentet me flamujt, mes tyre tre në Prilep

Në Maqedoninë e Veriut janë arrestuar gjithsej 17 persona për huliganizmin e shfaqur ditëve të fundit rreth djegies dhe shkeljes së simboleve kombëtare në Maqedoninë e Veriut, njoftoi sot në konferencë për shtyp ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, përcjell Portalb.mk.

Policia vazhdon të pastrojë incidentet që kanë ndodhur në gjatë dhe pas Ditës së flamurit shqiptar. Deri më tani janë arrestuar 17 persona, prej të cilëve shumica janë të mitur.

Katër janë nga Shkupi, për shkak shqyerjes së flamurit maqedonas. Dy të mitur janë arrestuar pasi kanë zbritur dhe djegur flamurin. Tre të arrestuarit janë nga Prilepi për shkak përdhosjes së flamurit shqiptar.

Pas notës së protestës nga Ambasada e Serbisë, në Kumanovë është arrestuar edhe një person për prishjen e tabelës së Konsullatës serbe në këtë qytet.

Minsitri Pançe Toshkovski tha se do të kërkojë dënime edhe për shoferin e automobilit ku kanë rënë disa persona gjatë festës së Ditës së flamurit shqiptar. Ai beson se policia do të reagojë fuqishëm ndaj çdo personit që tenton të ngjallë urrejtje fetare dhe nacionale.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të Maqedonisë që të mos lejojnë që incidente të tilla ta çojnë vendin në drejtim të gabuar.

Ndryshe, Gjykata Themelore Penale Shkup më 29 nëntor, duke vepruar sipas propozimit të Prokurorisë Publike, tre qytetarëve ua ka caktuar masën e paraburgimit prej 8 ditësh, për nxitje të tensioneve ndëretnike.

Paraprakisht, tetë persona u arrestuan për shkelje në disa baza, me rastin e të festës së Ditës së Flamurit Shqiptar. Të arrestuarit, thotë ministri, ishin të rinj të moshës 18, 19, 20 dhe 21 vjeç dhe njëri prej tyre është i mitur.

Flamuri i Maqedonisë së VeriutFlamuri shqiptarMinistria e Punëve të Brendshme (MPB)Pançe ToshkovskiTensione etnike