Para publikut të Tetovës mbrëmë u dha premiera e shfaqjes për fëmijë “Revolta e presjes” me autor Dituri Neziraj dhe nën regji të Elmir Sejfullait, e cila u mirëprit me duartrokitje nga publiku i gjerë të cilët ishin mbledhur për ta ndjekur për së afërmi këtë ngjarje të shumë munguar në Tetovë, transmeton Portalb.mk.
Regjisori i shfaqjes Elmir Sejfullai për Portalb.mk tha se shfaqja u mirëprit shumë mirë nga publiku dhe se me këtë tekst dëshirojnë që me anë të një loje argëtuese të aktorëve të sjellin te fëmijët edhe rëndësinë e shenjave të pikësimit.
Se ku do të udhëtojë kjo vepër pas Tetovës Sejfullai edhe më tej shtoi se nëse kushtet klimatike do të e lejojnë, besojnë se shfaqja përveç që do jepet edhe për shkollat fillore të komunave të tjera të Pollogut, do jepet edhe në qytetet e tjera të Maqedonisë së Veriut.
“Patjetër që ka mungesë. Teatri i Tetovës për shkak të programi të cunguar vjetor dhe buxhetit të ulët nuk ka pasur mundësi që të përgatit shfaqje për fëmijë. Por, këtë vit me ardhjen e Hasim Memishit drejtor në bashkëpunim me Komunën e Tetovës kemi përgatitur këtë shfaqje që besojmë do të jetë e bukur për të vegjlit tanë. Gjithsesi, mendoj që Tetova ka nevojë për themelimin e një Teatri për të fëmijë dhe të rinjtë, me çka do gjatë gjithë vitit fëmijët dhe të rinjtë do kenë mundësi të shohin shfaqje” tha Sejfullai.