Revizioni zbuloi kaos në Klinikën Torakale: Furnizime pa çmim, punësime pa miratim dhe pagesa të parregullta për punë jashtë orarit

Dobësi në menaxhimin e stoqeve, prokurime publike, kontabilitet, si dhe ngarkesa e stafit për shkak të numrit të madh të kontrolleve urgjente janë pjesë e dobësive që Enti Shtetëror i Revizionit (ESHR) i ka theksuar në raportin përfundimtar të revizionit për punën financiare dhe pajtueshmërinë e Institucionit Publik Shëndetësor (IPSH) Klinika Universitare për Kirurgji Torakale dhe Vaskulare për vitin 2024, transmeton Portalb.mk.

Revizorët kanë konstatuar se në Klinikë nuk është vendosur regjistrim i rregullt dhe në kohë i shpenzimit të barnave dhe materialeve mjekësore në evidencën kontabël dhe materiale.

Mjete të regjistruara “përnjëherë” dhe gazra mjekësorë të paguar në mënyrë paushalle

Është konstatuar gjithashtu se një pjesë e materialeve mjekësore janë furnizuar para se të nënshkruhej kontrata zyrtare, me qëllim që të sigurohej funksionimi i pandërprerë i institucionit.

Në pozicionin e stoqeve të materialeve, në fund të vitit janë shënuar 22 961 000 denarë për barna dhe inventar të imët.

Edhe pse Klinika ka mbajtur evidencë ditore për materialet që jepen për pacient, këto të dhëna për muaj të tërë nuk janë futur në evidencën kryesore kontabël. Si rezultat i kësaj, më 31 dhjetor 2024, Klinika ka regjistruar një shpenzim njëherësh në një shumë të madhe prej 100 589 000 denarësh. Ky regjistrim, thuhet në raport, ka pamundësuar ndjekjen e vazhdueshme të lëvizjes së fondeve shtetërore gjatë vitit.

Deri në gusht 2024, në kushte të kontratës së skaduar për prokurim publik, Klinika ka pranuar materiale specifike mjekësore për ndërhyrje kirurgjikale pa u ditur fare vlera e tyre. Materialet janë dorëzuar dhe janë regjistruar vetëm pasi më vonë kanë arritur faturat.

Kjo ka sjellë mospërputhje dhe evidenca materiale ka treguar shpenzim prej 15 492 000 denarësh më të lartë se ajo që ishte regjistruar në listat për pacientë. Edhe pse drejtoria është arsyetuar se kjo është bërë për të mos ndalur punën e Klinikës, ESHR thekson se me këtë nuk respektohet Ligji për Prokurime Publike.

Revizioni ka konstatuar se për furnizimin me gazra mjekësorë janë shpenzuar 5 139 000 denarë përmes Njësisë për Punë të Përbashkëta. Megjithatë, në vend që Klinika të paguante për sasi reale të oksigjenit të konsumuar, faturimi është bërë “për vend oksigjeni”. Për shkak të këtij sistemi, nga ESHR thuhet se është e pamundur të përcaktohet gjendja e saktë e stokut, gjë që ndikon drejtpërdrejt në saktësinë e bilancit zyrtar të gjendjes së institucionit.

Revizorët kanë zbuluar gjithashtu se dokumentet me të cilat bëhej shlyerja e barnave dhe materialeve mjekësore sipas njësive organizative dhe pacientëve nuk janë nënshkruar dhe miratuar siç duhet nga personat përgjegjës. Kjo është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me nenin 12 të Ligjit për Kontabilitetin e Buxheteve, i cili përcakton se çdo hyrje në librat e biznesit duhet të bazohet vetëm në dokumente të besueshme dhe të rregullta.

Në raport theksohet se në kuadër të Klinikës nuk është formuar farmaci spitalore, përmes së cilës ligjërisht duhet të bëhet menaxhimi dhe kontrolli i plotë i stoqeve.

Përveç kësaj, ESHR vëren edhe zbatim jo të duhur të Ligjit për Prokurimet Publike në një pjesë të procedurave të realizuara.

“Nga revizioni kemi përfshirë gjithsej 16 procedura të prokurimeve publike që kanë realizim në vitin 2024, prej të cilave 4 janë realizuar në vitin 2024, ndërsa të tjerat në vitet paraprake, duke mbuluar 93 përqind të obligimeve totale të ndërmarra që i nënshtrohen Ligjit për Prokurime Publike dhe kemi konstatuar gjendje që tregojnë zbatim të pasaktë të dispozitave ligjore”, thuhet në raport.

Janë paguar orë shtesë pune dhe pa dijeninë e Inspektoratit të Punës

Përveç kaosit me barnat dhe stoqet, Enti Shtetëror i Revizionit ka evidentuar shkelje të Ligjit për Marrëdhënie Pune në pjesën e organizimit dhe pagesës së orëve shtesë në Klinikë.

Sipas raportit, për punë jashtë orarit për 75 të punësuar në këtë institucion shëndetësor publik janë paguar gjithsej 5 112 000 denarë. Megjithatë, revizorët kanë konstatuar se këto mjete janë ndarë pa kontroll të duhur, duke shkelur nenin 117 (paragrafi 2 dhe 6) të Ligjit për Marrëdhënie Pune, që rregullon kohëzgjatjen maksimale të orëve shtesë dhe detyrimet e punëdhënësit.

Revizioni thekson se në vend që puna jashtë orarit të organizohej me vendim paraprak me shkrim nga drejtori, ajo miratohej për pagesë në fund të muajit, vetëm në bazë të listave të dorëzuara nga shefat e departamenteve. Për vendosjen e punës jashtë orarit nuk ishte dorëzuar njoftim me shkrim te Inspektorati Shtetëror i Punës.

“Nuk sigurohet kontroll dhe bazë e duhur në miratimin e punës jashtë orarit, gjë që lejon subjektivitet në përcaktimin e kohëzgjatjes së saj dhe krijon rrezik për pagesa jo reale dhe të pabazuara të kompensimeve”, thuhet në raport.

Janë paguar honorare shtesë dhe janë angazhuar persona pa leje nga Financat

Enti Shtetëror i Revizionit ka konstatuar parregullsi edhe në pjesën e angazhimeve me kontratë.

Gjatë vitit 2024, për kontrata pune me marrëveshje Klinika ka angazhuar 24 persona – personel mjekësor dhe teknik-ndihmës, për të cilët nga buxheti janë paguar gjithsej 5 441 000 denarë.

Revizioni zbulon se disa pjesëtarëve të personelit mjekësor të angazhuar me kontratë u janë paguar 401 mijë denarë më shumë se sa ishte paraparë fillimisht. Klinika këto mjete shtesë i ka llogaritur si përqindje (shtesa) nga Marrëveshja Kolektive për veprimtarinë shëndetësore. Revizorët theksojnë se kjo është e paligjshme, sepse Marrëveshja Kolektive rregullon të drejtat vetëm për persona në marrëdhënie të rregullt pune, jo për të angazhuarit me kontratë.

Në periudhën janar–mars 2024, në listën e pagave të Klinikës janë gjetur nga 2 deri në 5 persona më shumë se numri për të cilin institucioni kishte marrë pëlqim me shkrim nga Ministria e Financave.

“Në mënyra e përcaktimit dhe pagesës së kompensimeve sipas kontratave krijon rrezik për qasje subjektive në përcaktimin e lartësisë së kompensimeve dhe ndikon në përdorim jo racional të mjeteve buxhetore”, thuhet në raport.

Sa i përket pjesës financiare dhe arkëtimit të kërkesave, revizioni ka konstatuar se një pjesë e tyre janë më të vjetra se tre vjet, gjë që e bën të pasigurt arkëtimin e tyre në të ardhmen.

Është konstatuar gjithashtu se ekziston dallim midis participimit të llogaritur dhe atij realisht të arkëtuar për shërbimet shëndetësore të të siguruarve.

Dy të tretat e kontrolleve kanë qenë urgjente

Si çështje me rëndësi të veçantë, revizorët veçojnë ngarkesën e kësaj institucioni shëndetësor publik. Plot 66 përqind e numrit total të kontrolleve të realizuara janë kryer përmes referimeve urgjente ose pa termin, që është një devijim i madh nga mënyra e planifikuar e përdorimit të sistemit kombëtar “Termini im”.

“Kjo strukturë e referimeve tregon ngarkesë të shtuar të Klinikës, e cila mund të ndikojë në efikasitetin e planifikimit dhe organizimit të procesit të punës, përdorimin optimal të kapaciteteve dhe disponueshmërinë e shërbimeve shëndetësore për pacientët”, thuhet në raportin e ESHR.

Me qëllim që të tejkalohen këto gjendje alarmante dhe të vendoset rregull në punë, Enti Shtetëror i Revizionit i ka dorëzuar drejtuesve të Klinikës për Kirurgji Torakale dhe Vaskulare tetë rekomandime konkrete që duhet të zbatohen në periudhën në vijim.

Kujtojmë se paraprakisht, Enti Shtetëror i Revizionit kreu revizion të raporteve financiare së bashku me revizion të pajtueshmërisë të SHA MEPSO Shkup, për vitin 2024. Revizorët konstatuan se, edhe pse shërbimet kompetente në vazhdimësi ndërmarrin aktivitete për harmonizimin e veprimtarisë së shoqërisë me aktet pozitive ligjorë, janë konstatuar dobësi në evidencën dhe rregullimin e pronësisë së infrastrukturës së transmetimit të energjisë elektrike, përfshirë edhe tokën.

Enti Shtetëror për Revizion RMV (ESHR)Spital(e)