Gjatë ditëve të fundit, në pikën kufitare “Bllatë” që lidh Maqedoninë e Veriut me Shqipërinë, pranë Dibrës, është vërejtur një fluks i shtuar udhëtarësh, gjë që ka sjellë pritje të gjata dhe vonesa në kalimin e kufirit. Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, theksoi se është propozuar dhe po mbështetet aktivisht zbatimi i modelit “One Stop Shop” edhe në këtë pikë kufitare. Nga ana tjetër, autoritetet vendore bëjnë të ditur se ndodhen në fazën përgatitore për vendosjen e këtij sistemi të përbashkët, i cili pritet të lehtësojë ndjeshëm lëvizjen ndërkufitare në të ardhmen, shkruan Portalb.mk.
Në pikën kufitare “Bllatë”, sipas të dhënave nga Ministria e Brendshme e RMV-së, nga e premtja (06.06.2025), deri dje (09.06.2025), në vend kanë hyrë 2543 shtetas të RMV-së, ndërsa kanë dalë 4711. Ndërsa sa i përket shtetasve të huaj, kanë hyrë 4964 persona, ndërsa kanë dalë 3468.
Ambasadori i Shqipërisë në RMV, Denion Meidani, për Portalb.mk tha se ambasada u informua menjëherë për situatën e krijuar në pikën kufitare të Bllatës, në të cilën u raportuan vonesa dhe radhë të gjata për udhëtarët nga Maqedonia e Veriut në drejtim të Shqipërisë.
“Komunikimi zyrtar që institucionet shqiptare patën me homologët e tyre maqedonas në pikën kufitare, situata e krijuar lidhej kryesisht me fluksin jashtëzakonisht të lartë të udhëtarëve drejt Shqipërisë. Sipas tij kjo ndodhi për shkak të fundjavës dhe ngjarjes sportive mes Shqipërisë dhe Serbisë, e cila ngjalli një interes shumë të madh edhe tek qytetarët nga RMV-së”, tha Meidani.
Ai mes tjerash tha se duhet marrë në konsideratë fakti se Rruga e Arbrit është një rrugë e re, e cila ka sjellë një fluks të ri dhe më të madh udhëtarësh orientuar drejt pikës kufitare të Bllatës, ndryshe nga periudhat e mëparshme.
“Autoritetet kufitare shqiptare kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me palën maqedonase në Bllatë për koordinimin e veprimeve dhe zgjidhjen e situatës në mënyrë sa më të shpejtë dhe efektive, duke mundësuar normalizimin e kalimeve në kufi”, tha Meidani.
Ai theksoi se në mënyrë afatgjatë, ambasada ka propozuar dhe po mbështet aktivisht zbatimin e modelit “One Stop Shop” edhe në pikën kufitare të Bllatës, me qëllim që procedurat kufitare të përshpejtohen dhe kalimi kufitar të realizohet në mënyrë sa më të shpejtë e efikase.
Ai tregoi se grupet e punës tashmë kanë filluar takimet e para për përcaktimin e modaliteteve dhe zbatimin e këtij modeli, që pritet të ketë impakt pozitiv dhe të qëndrueshëm në lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve në të ardhmen.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut theksuan se në proces është nënshkrimi i marrëveshjes dhe vendosja e sistemit “One Stop Shop”.
“Nga ana e MPB-së janë ndërmarrë të gjitha masat dhe janë vënë në funksion të gjitha kapacitetet njerëzore dhe teknike për të përshpejtuar qarkullimin e udhëtarëve, sigurisht duke zbatuar kontrollet e detyrueshme kufitare”, thanë nga MPB-ja.
MPB njoftoi se si me Kosovën dhe Serbinë, edhe me Shqipërinë është në proces nënshkrimi i marrëveshjes dhe vendosja e sistemit “One Stop Shop”, i cili në masë të madhe do ta lehtësojë kalimin në pikat kufitare ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë.
Të njëjtën e thanë edhe nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.
Kujtojmë që së fundmi sistemi “One Stop” u zbatua me Kosovën në pikën kufitare Bllacë – Han i Elezit, si dhe në Jazhincë – Glloboçicë.
Ndryshe me 9 maj 2025, u nënshkrua marrëveshja mes Qeverive të Maqedonisë dhe Serbisë për të vendosur kontrolle të përbashkëta në pikën kufitare Tabanoc–Preshevë, e cila pritet të zbatohet para fillimit të sezonit veror.
- LEXO: U përurua edhe një pikë e përbashkët kufitare me Kosovën, RMV-ja paralajmëroi pika të tilla edhe me Shqipërinë e Serbinë
- LEXO: Toshkovski dhe Daçiq nënshkruan marrëveshje për sistem “One Stop” mes RMV-së dhe Serbisë, zbatimi para sezonit të verës
- LEXO: Qeveritë e Kosovës dhe RMV-së përuruan vendkalimin e përbashkët kufitar, lehtësim për ekonominë dhe qytetarët