Radev demantoi Siljanovska-Davkovën se nuk ka komentuar propozimin për ndryshime kushtetuese me efekt të vonuar

Gordana Siljanovska-Davkova, si juriste e mirë, e di shumë mirë se obligimet e marra nga marrëveshjet ndërkombëtare thjesht duhet të respektohen, tha sot presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, duke komentuar deklaratën e djeshme të presidentes së RMV-së se zgjidhja dalëse për mosmarrëveshjen me Bullgarinë janë ndryshimet kushtetuese me efekt të vonuar, njofton agjencia bullgare BGNES, transmeton Portalb.mk.

Radev, siç raporton agjencia, ka mohuar pretendimin e presidentes së Maqedonisë se në takimin e tyre në Baku nuk ka komentuar propozimin për ndryshime kushtetuese me efekt të vonuar.

“Shpreha një vlerësim shumë të qartë dhe zonjën Siljanovska edhe një herë e njoha më në detaje me kornizën e negociatave dhe konsensusin e përgjithshëm evropian nga qershori 2022, i pranuar dhe me pëlqimin e Qeverisë së atëhershme të Maqedonisë së Veriut. E njoha gjithashtu me Traktatin tonë të Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit dhe, më e rëndësishmja, me protokollin e dytë sipas këtij Traktati. Këto janë obligime ndërkombëtare dhe zonja Siljanovska, si juriste e mirë, e di shumë qartë se obligimet e marra nga marrëveshjet ndërkombëtare thjesht duhet të përmbushen. Edhe një herë theksova gatishmërinë tonë për të ndihmuar që sa më shpejt të arrihen kushtet e parapara në këto dokumente ndërkombëtare, në mënyrë që të hapen dyert për fillimin e negociatave”, tha sot Radev.

Presidentja e Maqedonisë, Gordana Siljanovska-Davkova në intervistën e djeshme për  TVM 1 tha se është optimiste se gjërat mund të ecin përpara së shpejti dhe se vendi mund të fillojë negociatat me Bashkimin Evropian dhe se sipas saj, zgjidhja solomonike e kontestit me Bullgarinë është zgjidhje për ndryshimet kushtetuese me efekt të vonuar.

Për një zgjidhje të tillë, siç tha ajo, ka biseduar me presidentin bullgar Rumen Radev, por edhe me të gjithë përfaqësuesit e vendeve të BE-së, si dhe me vendet e tjera mike dhe përkrahëse, me të cilët ka gjetur mirëkuptim.

“Nuk mund të mos them se pavarësisht incidentit me flamurin, ne patëm bisedime të frytshme me presidentin bullgar Radev në Sofje, por biseduam edhe më shumë se një orë në Baku. Përfundimi është se respekti për veten ushqen respekt, ky është përfundimi im i parë. Natyrisht që në biseda matim gjithmonë fjalët e njëri-tjetrit dhe këtë herë ka qenë kështu. Njoftimet janë diplomatike, ndonëse e jona ishte më diplomatike, por dua t’i njoftoj qytetarët se Radevit ia kam shpjeguar nga dora e parë qëndrimin tonë, për të cilin ka konsensus në mes meje dhe qeverisë. Unë thashë se është më mirë që unë t’ia komunikoj atë që po komunikoj me përfaqësuesit e tjerë dhe BE-së dhe vendeve të tjera, miqve tanë… sepse kjo është zgjidhja që mendoj se është shumë e arsyeshme, me qëllim të mirë, zgjidhje me veprim të vonuar”, tha presidentja në intervistë.

Ajo theksoi se nuk ka asnjë koment nga kolegu bullgar dhe theksoi se e kupton situatën në Bullgari, pamundësinë e formimit të qeverisë dhe institucionalizimit të dialogut mes qeverive, përkatësisht MPJ-së së Maqedonisë dhe asaj bullgare. Por, siç tha ajo, mendon se “Radev do të mundohet të kuptojë qëndrimet tona, të cilat janë me qëllim të mirë”.

Siljanovska-Davkova gjithashtu tha se mendon se duhet të ketë konsensus të përgjithshëm në vend për zgjidhjen e propozuar, në mënyrë që të mos ndodhë diçka si ajo kur qeveria e kaluar pranoi një marrëveshje dhe një propozim francez pa përfshirjen dhe pëlqimin e opozitës së atëhershme.

Siljanovska-Davkova dhe homologu i saj bullgar Radev u takuan në margjinat e Konferencës për Ndryshimet Klimatike – COP 29 në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku.

Në takimin, i cili u mbajt më 13 nëntor, siç informuan nga zyra presidenciale, Siljanovska-Davkova theksoi rëndësinë e vazhdimit të dialogut bilateral politik në të gjitha nivelet. Ajo theksoi se duhet të respektohen qëndrimet dhe interesat e të dyja palëve dhe se zgjidhja e mosmarrëveshjeve dypalëshe duhet të jetë në kuadër të vlerave dhe parimeve themelore të Bashkimit Evropian.

Radev, nga ana tjetër, pas takimit e përsëriti qëndrimin e Sofjes se pret që Qeveria dhe Kuvendi i Maqedonisë së Veriut të zbatojnë sa më shpejt atë që është paraparë në Kornizën e Negociatave dhe në Marrëveshjen e Fqinjësisë së Mirë, në mënyrë që vendi të mos humbë kohën historike për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Presidenti bullgar më pas deklaroi se komunikimi me Siljanovska-Davkova ishte i hapur, konstruktiv dhe pragmatik, shembull që, siç tha ai, duhet ta ndjekë edhe qeveria maqedonase.

Ai tha se dy institucionet presidenciale tregojnë se dialogu është i mundur dhe se mund të kontribuojë në zhvillimin e fqinjësisë së mirë mes dy vendeve.

“Problemi nuk është vetëm përfshirja në kohë e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut. Nëse udhëheqja shtetërore e RMV-së vërtet dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, duhet të përmbushë Kornizën e Negociatave dhe Marrëveshjen e Fqinjësisë së Mirë”, tha ai.

Kujtojmë se, në raport me Bullgarinë, Maqedonia e Veriut duhet t’i bëj ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese. Ato nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë. Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.

BullgariaGordana Siljanovska DavkovaMarrëveshja me BullgarinëNdryshime Kushtetuese RMVRumen Radev