Uebfaqja e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut nga sot pasdite është sërish funksionale. Në adresën e internetit vlada.mk mund të shihni informacionet e fundit për aktivitetet e kryeministrit që janë postuar pas vizitës së tij të sotme në Makedonska Kamenicë, transmeton Portalb.mk.
Ueb-faqja e Qeverisë nuk ishte në dispozicion dhe nuk ishte e disponueshme për publikun që nga mëngjesi i sotëm.
Kur 360 Gradë pyeti Qeverinë nëse kishte problem teknik apo sulm hakeri, arsyetimi nga atje ishte se uebfaqja është subjekt i sulmeve të vazhdueshme të hakerëve.
“Uebfaqja e qeverisë është nën sulme të vazhdueshme hakerësh. Një nga arsyet kryesore është mbrojtja e dobët e trashëguar, edhe pse janë shpenzuar dhjetëra mijëra euro. Pas konstatimit të situatës dhe shikimit të problemit, po punohet në tejkalimin e problemit që faqja e Qeverisë të mbrohet si duhet, por edhe ueb faqet e të gjitha ministrive”, u përgjigj Qeveria.
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut ishte cak i kërcënimeve të rreme me bomba, por jo vetëm kaq. Nga fundi i vitit 2022 e në vazhdim, sulmet kibernetike kanë ndodhur në faqet e institucioneve shtetërore si: Agjencia për Komunikime Elektronike, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, Qeveria, Ministritë e Bujqësisë dhe Arsimit dhe Shkencës, nga ku janë vjedhur të dhënat e qytetarëve dhe në disa raste për ta sulmuesit kërkuan shpërblim në kriptovaluta.
Maqedonia e Veriut pati dhe paralajmërime për sfida, kërcënime dhe rreziqe të mëdha në sektorin e policisë në Maqedoninë e Veriut dhe atë të inteligjencës.
Nga 26 tetori i vitit 2022 në RMV disa herë është denoncuar se në email-adresat e disa shkollave në vend është dërguar kërcënim për vendosje të bombës. Krahas shkollave të mesme dhe fillore, ka pasur edhe raportime anonime për bomba të vendosura edhe në institucione dhe qendra tregtare. Numri më i madh i kërcënimeve të rreme ka ndodhur në shkurt – madje 439, gjegjësisht vetëm në pesë ditë të javës së punës nuk ka pasur kërcënim me bombë. Në nëntor ka pasur 30 kërcënime, në dhjetor 272, kurse më 1 mars të këtij viti është arritur rekordi – madje 120 shkolla dhe institucione të tjera kanë marrë kërcënim të rremë brenda një dite se është vendosur bombë.
Ndërkohë, sistemi i FSSh-së ishte i padisponueshëm nga 7 shkurti, për dy javë të plota.
Sistemi shërben për qytetarët që të mund të kontrollojnë sigurimin e tyre shëndetësor, zgjedhjen e mjekut amë, ndërsa vetë të punonjësit shëndetësor mund të kontrollojnë informacionet për pacientët e tyre dhe shërbimet tjera.