Hekurudhat e Republikës së Maqedonisë së Veriut kanë njoftuar se prej nesër do të rifunksionalizohet përsëri linja hekurudhore ndërmjet Shkupit dhe Manastirit, transmeton Portalb.mk.
“Pas përfundimit të punimeve ndërtimore në hekurudhën Shkup – Manastir – Zhabevë, në pjesën nga stacioni “Bakarno Gumno” deri te vendngarkimi “Nikolla Karev”, nga nesër, 15 korrik 2026, do të fillojnë të qarkullojnë trenat e udhëtarëve në relacionin Shkup – Manastir dhe Manastir – Shkup”, raportojnë nga ndërmarrja publike.
Nesër në relacionin Shkup – Manastir do të jenë dy linja, 641 dhe 645, njëri prej 07.06, tjetri prej 20.05, ndërsa në relacionin Manastir – Shkup kemi linjën 644 dhe 640, në 18.22 dhe 03.10.
Paraprakisht ishin kryer punimet edhe në rrugën ndërmjet Shkupit dhe Velesit, ashtu që në fillim të korrikut është funksionalizuar edhe linja Gjevgjeli – Shkup.
Ministri për Transport dhe Lidhje, Alekandar Nikollovski, paralajmëroi në muajin maj se në fund të qershorit ose fillim të korrikut do të jetë gati treni ndërmjet qytetit të Prilepit dhe Manastirit. Çmimi i biletës në këtë linjë hekurudhore do të jetë 150 denarë.
Kryeministri Hristijan Mickoski në maj të vitit 2025-të kishte premtuar për një “bum infrastrukturor” në hekurudhat e Maqedonisë. Rikonstruim të të gjithë linjës hekurudhore përgjatë Korridorit 10 (Tabanoc-Gjevgjeli) dhe modernizim të trenave të udhëtarëve që do të lëvizin me një shpejtësi mesatare prej 160 kilometrash në orë. Sipas Mickoskit, pas përfundimit të këtij projekti trenat e mallrave do të lëviznin me një shpejtësi mesatare prej 110 km/orë, që, siç llogariti ai, është katër herë më e shpejtë se mesatarja aktuale.