Gjykata Themelore Penale e Shkupit sot e shpalli aktgjykimin në lëndën kundër ish-kryetares së Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), Tatjana Dimitrovska, duke i shqiptuar dënimin e vetëm me një vit burg me kusht për veprat penale zbulim të sekretit zyrtar dhe falsifikim kompjuterik, raporton MIA.
Gjykata e shpalli Dimitrovskën fajtore për zbulim të sekretit zyrtar, për të cilën i caktoi dënim me tetë muaj burg, si dhe për veprën penale falsifikim kompjuterik, për të cilën i caktoi dënim me gjashtë muaj burg. Për të dyja veprat penale, gjykata shqiptoi një dënim të vetëm me një vit burg me kusht, i cili nuk do të ekzekutohet nëse e pandehura gjatë tre viteve të ardhshme nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale.
Palët kanë të drejtë të paraqesin ankesë ndaj aktgjykimit në Gjykatën e Apelit në afat prej tetë ditëve.
Në të njëjtën lëndë, gjykata e shpalli fajtor edhe revizorin Mile Stolevski për veprën penale falsifikim kompjuterik. Atij iu shqiptua masë alternative e dënimit me kusht, me të cilën i është caktuar një dënim prej gjashtë muajsh burg, i cili nuk do të ekzekutohet nëse brenda një periudhe prej dy vitesh nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale.
E pandehura e tretë, Biljana Petrovska-Manteva, u lirua nga akuza, pasi Prokuroria nuk arriti të dëshmonte përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se ajo e kishte kryer veprën penale zbulim të sekretit zyrtar.
Në arsyetimin e aktgjykimit, këshilli gjykues theksoi se çdo zbulim i të dhënave dhe informacioneve jo vetëm që cenon integritetin e KSHPK-së, por përbën edhe shkelje të detyrës zyrtare.
Gjykatësi Ilija Tërpkov theksoi se kryetari i KSHPK-së jo vetëm që udhëheq punën e Komisionit, por është edhe mishërim i besimit të publikut.
Sipas aktakuzës, Dimitrovska akuzohej se i kishte dhënë informacione zyrtare ish-drejtorit të TEC „Negotinë“, Nebojsha Stojanoviq, i cili është i akuzuar në lëndën „Aditiv“, si dhe se revizori Stolevski, në emër të saj, kishte dhënë testin për marrjen e certifikatës së sigurisë për qasje në informacione të klasifikuara.
Rasti “Aditiv” tani do të zhvillohet përmes dy procedurave të ndara. Lënda e parë përfshin mbi 30 persona fizikë dhe juridikë, në mesin e të cilëve edhe ish drejtorë dhe funksionarë, të akuzuar për bashkim kriminal, keqpërdorim të pozitës zyrtare, pastrim parash dhe zbulim të sekretit zyrtar.
Lënda e dytë në të cilën është edhe ish kryetarja e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Tatjana Dimitrovska, është formuar si vazhdimësi e hetimit, me aktakuzë kundër një personi (B.N) dhe propozim akuzë kundër Dimitrievskës dhe edhe dy të tjerëve (B.P.M dhe M.S.) për vepër penale “zbulim të sekretit zyrtar”.
Gjykimi në rastin “Aditiv”, filloi më 29 maj në sallën digjitale të gjyqit të Institucionit Korrektues Idrizovë.
Për rastin “Auditiv”, gjithsej janë të akuzur 32 persona fizikë dhe 5 persona juridikë . Asnjë nga të pandehurit nuk e pranoi fajësinë në seancën e parë dëgjimore. Sipas prokurorisë, shtesa kishte një çmim disa herë më të lartë se çmimi i tregut, dhe Braincode u mundësua të përfitonte një përfitim material prej 6.4 milionë eurosh. Disa nga të pandehurit morën para, i vunë në qarkullim, transferuan fonde dhe tërhoqën para në dorë në shumën prej 6.7 milionë eurosh.
- LEXO: Prokurori tha se nuk është kërkuar mendim për mbylljen e hetimit për naftën, ndërsa prokurorja tha “E thirra dje dhe e informova”
- LEXO: “Je ar, do të të qeras drekë”, i shkroi Dimitrovska revizorit që e dha provimin për certifikatën e sigurisë në vend të saj
- LEXO: KSHPK: Tatjana Dimitrovska duhet të tregojë vetë nëse do të japë dorëheqje
- LEXO: Kryetarja e KSHPK-së është akuzuar për zbulimin e sekreteve zyrtare në rastin “Aditiv”
- LEXO: RMV, gjykimi për rastin “Aditiv” do të vazhdojë pas dy javëve