Qeveria flet për reforma, BE-ja sheh progres të moderuar: Administrata publike në RMV ende e politizuar

Derisa ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, gjatë prezantimit të punës dyvjeçare të ministrisë u lavdërua për arritjet në reformën e administratës publike, Parlamenti Evropian nga ana tjetër vlerësoi arritjet duke pranuar disa përmirësime në transparencë dhe efikasitet, mirëpo i cilësoi ata të moderuara, duke theksuar mes rreshtash se reformat ende nuk janë të mjaftueshme, raporton Portalb.mk.

Parlamenti Evropian vëren se, pavarësisht ndryshimeve ligjore dhe masave të ndërmarra, zbatimi praktik i reformave mbetet i kufizuar dhe nuk ka prodhuar ende rezultate të dukshme për qytetarët, sidomos në nivel lokal, ku kërkohen reforma më të thella dhe forcim i kapaciteteve administrative përmes zbatimit më të plotë të Strategjisë së Administratës Publike 2023–2030.

“Është arritur progres i moderuar në reformën e administratës publike dhe transformimin digjital, duke rritur transparencën dhe efikasitetin në sektorin publik, përfshirë përmes legjislacionit të miratuar së fundmi për identifikimin elektronik në përputhje me rregullat e BE-së; megjithatë vëren se nevojiten përpjekje të mëtejshme, përfshirë reforma në vetëqeverisjen lokale dhe zbatim më të fortë të strategjisë së administratës publike 2023–2030, e cila do t’u mundësojë administratave lokale të ofrojnë shërbime më të mira për qytetarët, të zhvillojnë dhe zbatojnë strategji zhvillimi lokal dhe rajonal, si dhe të sigurojnë kapacitetin e nevojshëm administrativ”, thuhet në raport.

Një nga pikat kryesore të kritikës së Parlamentit Evropian lidhet me depolitizimin e administratës publike, ku kërkohet zbatim i plotë i sistemit të punësimit dhe avancimit në bazë të meritës, veçanërisht për pozitat e larta drejtuese, pasi ende konsiderohet se ndikimi politik në administratë nuk është eliminuar plotësisht.

“Bën thirrje për depolitizim të mëtejshëm të administratës publike dhe zbatim të plotë të procedurave të rekrutimit dhe përzgjedhjes së bazuar në meritë për pozitat e larta drejtuese, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian”, thuhet në raportin e PE-së.

Digjitalizim, foto: Suad Bajrami/Portalb.mk

Në këtë kontekst, ministri i Administratës Publike përmendi si arritje miratimin e Ligjit për drejtuesit e lartë, i cili sipas tij vendos një sistem të ri për përzgjedhjen e sekretarëve shtetërorë, drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve përmes konkurseve publike dhe kritereve profesionale të bazuara në kompetencë, përvojë dhe integritet.

“Një hap i rëndësishëm drejt profesionalizimit të menaxhimit është miratimi i Ligjit për drejtuesit e lartë, me të cilin për herë të parë vendoset një sistem unik për përzgjedhjen dhe menaxhimin e pozitave më të larta drejtuese në administratën shtetërore. Modeli i ri parashikon shpallje publike, verifikim të kushteve, renditje dhe përzgjedhje të kandidatëve më të mirë, duke i lidhur pozitat e larta me dijen, kompetencën, përvojën profesionale dhe integritetin. Ligji përfshin sekretarët shtetërorë, drejtorët dhe zëvendësdrejtorët në institucionet ku kjo është e paraparë, si dhe vendos mekanizma për ndjekjen e punës së tyre dhe përgjegjësinë për rezultatet. Përveç kësaj, me kufizimin e mandateve të ushtruesve të detyrës në gjashtë muaj dhe zvogëlimin e numrit të anëtarëve të bordeve drejtuese në tre anëtarë, krijohet stabilitet më i madh, efikasitet dhe shfrytëzim racional i mjeteve publike”, tha ministiri.

Megjithatë, Parlamenti Evropian thekson se pavarësisht ekzistencës së këtij ligji dhe procedurave të reja, depolitizimi mbetet ende i papërfunduar në praktikë dhe kërkon zbatim të plotë të parimit të meritokracisë, sidomos në emërimet e nivelit të lartë, për të siguruar që ndikimi politik në administratë të reduktohet në mënyrë reale dhe jo vetëm formale.

Në këtë mënyrë, derisa ministria e paraqet reformën si proces të suksesshëm të modernizimit institucional dhe avancimit ligjor, Parlamenti Evropian e trajton atë si proces ende të papërfunduar, ku sfida kryesore mbetet kalimi nga miratimi i ligjeve në zbatim real dhe depolitizim efektiv i administratës publike.

Parlamenti Evropian, Bruksel. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Kujtojmë se Administrata publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut në vitin 2025 u ballafaqua me një valë reformash ligjore dhe politike të dedikuara për modernizimin, departizimin, digitalizimin dhe profesionalizimin e shërbimit civil, pjesërisht të lidhura me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Qeveria miratoi ligje të reja që synojnë përmirësimin e përzgjedhjes dhe trajnimit të nëpunësve, përfshirë trajnimet dhe provimet profesionale për administratën, dhe përditësimin e kuadrit ligjor për dokumentet elektronike për ta bërë sistemin më efikas dhe të aksesueshëm.

Megjithatë, reformat u shoqëruan me sfida të dukshme: mungesë interesimi nga të rinjtë për punësim në administratë për shkak të pagave jo konkurruese, besim të ulët publik në institucionet shtetërore dhe kritika për zbatimin e mangët të strategjive të reformës.

Sipas raporteve ndërkombëtare, përparimi në menaxhimin e burimeve njerëzore dhe organizimin e administratës mbeti i ngadaltë dhe me boshllëqe strukturale që kërkojnë zgjidhje të mëtejshme.

Administrata PublikeAdministrata ShtetëroreGoran MinçevParlamenti Evropian (PE)Reforma në administratë