Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, prezantoi bilancin e punës dyvjeçare të ministrisë, duke vlerësuar se janë hedhur themelet për një administratë publike më profesionale, më efikase dhe më moderne. Megjithatë, një pjesë e reformave të paralajmëruara mbeten ende në fazën e zbatimit, ndërsa efektet e tyre konkrete për qytetarët ende nuk janë matur, transmeton Portalb.mk.
Sipas Minçevit, gjatë dy viteve të fundit janë miratuar tre ligje kyçe në fushën e administratës publike: Ligji për nëpunësit administrativë, Ligji për të punësuarit në sektorin publik dhe Ligji për aftësimin profesional dhe trajnimin e nëpunësve administrativë.
“Nuk premtuam reforma, por punuam për zbatimin e tyre. Nuk u udhëhoqëm nga zgjidhje afatshkurtra, por nga nevoja për të vendosur themele të qëndrueshme të një sistemi që për vite me radhë është përballur me vonesa dhe procese të papërfunduara”, theksoi ministri Minçev, duke theksuar se një nga rezultatet më të rëndësishme është miratimi i tre ligjeve sistemore në fushën e administratës publike: Ligji për nëpunësit administrativë, Ligji për të punësuarit në sektorin publik dhe Ligji për aftësimin profesional dhe trajnimin e nëpunësve administrativë.
Ministri theksoi edhe marrëveshjen me sindikatat për rritjen graduale të pagave të nëpunësve administrativë me 40 përqind deri në vitin 2028, duke e cilësuar atë si një hap historik për përmirësimin e statusit të administratës.
“Reforma e administratës publike nuk mund të jetë e suksesshme pa u kujdesur për njerëzit që çdo ditë mbajnë barrën e punës së institucioneve”, theksoi Minçev.
Në prezantim u veçua edhe miratimi i Ligjit për drejtuesit e lartë, i cili, sipas Ministrisë, synon të vendosë kritere profesionale për emërimin e sekretarëve shtetërorë, drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve përmes konkurseve publike dhe vlerësimit të kompetencave.
“Një hap i rëndësishëm drejt profesionalizimit të menaxhimit është miratimi i Ligjit për drejtuesit e lartë, me të cilin për herë të parë vendoset një sistem unik për përzgjedhjen dhe menaxhimin e pozitave më të larta drejtuese në administratën shtetërore. Modeli i ri parashikon shpallje publike, verifikim të kushteve, renditje dhe përzgjedhje të kandidatëve më të mirë, duke i lidhur pozitat e larta me dijen, kompetencën, përvojën profesionale dhe integritetin. Ligji përfshin sekretarët shtetërorë, drejtorët dhe zëvendësdrejtorët në institucionet ku kjo është e paraparë, si dhe vendos mekanizma për ndjekjen e punës së tyre dhe përgjegjësinë për rezultatet. Përveç kësaj, me kufizimin e mandateve të ushtruesve të detyrës në gjashtë muaj dhe zvogëlimin e numrit të anëtarëve të bordeve drejtuese në tre anëtarë, krijohet stabilitet më i madh, efikasitet dhe shfrytëzim racional i mjeteve publike”, tha ministiri.
Minçev njoftoi gjithashtu themelimin e Akademisë për Administratë Publike, modernizimin e Qendrës për Trajnime, zhvillimin e sistemit elektronik të mësimit (LMS), si dhe trajnimin e mbi 1.000 nëpunësve administrativë.
“Paralelisht me ndryshimet ligjore, është themeluar Akademia për Administratë Publike si një sistem i ri për zhvillimin e njohurive, kompetencave dhe potencialit profesional të nëpunësve administrativë. Me modernizimin e Qendrës për Trajnime në Aerodrom, realizimin e trajnimeve për më shumë se 1.000 nëpunës administrativë në të gjithë shtetin dhe zhvillimin e një sistemi modern elektronik të mësimit (LMS), vendosen themelet për një administratë ku mësimi dhe përmirësimi i vazhdueshëm profesional do të jenë pjesë përbërëse e karrierës. Akademinë nuk e shohim vetëm si një institucion të ri, por si investim te njerëzit dhe motor të administratës moderne”, theksoi ministri.
Sipas ministrit, gjatë mandatit janë avancuar edhe Sistemi Informativ për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, mekanizmat për monitorimin e Strategjisë për Reformën e Administratës Publike, sistemi i inspektimeve dhe procesi i vlerësimit të ndikimit të rregulloreve.
Megjithatë, pavarësisht ndryshimeve ligjore dhe paralajmërimeve për reforma, administrata publike vazhdon të përballet me kritika të vazhdueshme për politizim, procedura të ngadalta, mungesë efikasiteti dhe cilësi të pamjaftueshme të shërbimeve ndaj qytetarëve. Mbetet të shihet nëse reformat e prezantuara do të përkthehen në përmirësime të prekshme në funksionimin e institucioneve dhe në shërbimet që ato ofrojnë.
“Në periudhën e kaluar u realizuan edhe procese të tjera të rëndësishme: avancimi i Sistemit Informativ për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore (ISMBNJ), vendosja e mekanizmave për ndjekjen e Strategjisë për Reformën e Administratës Publike, reforma e sistemit të inspektimeve, si dhe përmirësimi i proceseve të menaxhimit të cilësisë në institucione. Ministria vazhdoi edhe aktivitetet në kuadër të Partneritetit për Qeverisje të Hapur, përmes të cilit forcohet transparenca, llogaridhënia dhe pjesëmarrja e qytetarëve në hartimin e politikave publike, ndërsa paralelisht u avancua edhe procesi i vlerësimit të ndikimit të rregulloreve (VNR) përmes transparencës më të madhe, konsultimeve publike dhe planifikimit më të mirë të zgjidhjeve ligjore. Me të gjitha këto aktivitete, Ministria e Administratës Publike gjatë dy viteve të fundit ka bërë hapa të rëndësishëm në vendosjen e një kornize të re për funksionimin e administratës publike. Këto procese paraqesin bazë të fortë për një administratë që do të ndërtohet mbi dijen, kompetencën dhe përgjegjësinë, me qëllimin përfundimtar që qytetarët të marrin institucione më efikase dhe shërbime më të mira”, thonë nga Ministria.
Kujtojmë se Administrata publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut në vitin 2025 u ballafaqua me një valë reformash ligjore dhe politike të dedikuara për modernizimin, departizimin, digitalizimin dhe profesionalizimin e shërbimit civil, pjesërisht të lidhura me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Qeveria miratoi ligje të reja që synojnë përmirësimin e përzgjedhjes dhe trajnimit të nëpunësve, përfshirë trajnimet dhe provimet profesionale për administratën, dhe përditësimin e kuadrit ligjor për dokumentet elektronike për ta bërë sistemin më efikas dhe të aksesueshëm. Megjithatë, reformat u shoqëruan me sfida të dukshme: mungesë interesimi nga të rinjtë për punësim në administratë për shkak të pagave jo konkurruese, besim të ulët publik në institucionet shtetërore dhe kritika për zbatimin e mangët të strategjive të reformës. Sipas raporteve ndërkombëtare, përparimi në menaxhimin e burimeve njerëzore dhe organizimin e administratës mbeti i ngadaltë dhe me boshllëqe strukturale që kërkojnë zgjidhje të mëtejshme.