Procesi i decentralizimit në Maqedoninë e Veriut vazhdon të përballet me pengesa, ndërsa komunat kanë nevojë për financim më të qëndrueshëm, kompetenca më të qarta dhe kapacitete më të fuqishme administrative. Në Raportin e Progresit për vitin 2026, Komisioni Evropian (KE) evidenton se, pavarësisht disa hapave pozitivë në reformën e vetëqeverisjes lokale, ndryshimet e rëndësishme ligjore mbeten të papërfunduara. Probleme janë evidentuar edhe në prokurimet publike, pjesëmarrjen e të rinjve, të drejtat pronësore dhe menaxhimin e cilësisë së ajrit, shkruan Portalb.mk.
Komisioni Evropian vlerëson se rekomandimet e vitit të kaluar janë zbatuar vetëm pjesërisht. Për këtë arsye, autoriteteve u kërkohet të intensifikojnë përpjekjet për decentralizimin, veçanërisht përmes sigurimit të burimeve të qëndrueshme financiare për komunat dhe përmirësimit të bashkëpunimit ndërinstitucional në zhvillimin rajonal.
“Gjatë vitit të ardhshëm, Maqedonia e Veriut duhet në veçanti ta përshpejtojë procesin e decentralizimit duke krijuar një kornizë të besueshme financimi për komunat dhe duke forcuar dialogun politik për zhvillimin rajonal”, thuhet në raport.
Në këtë drejtim, KE-ja kërkon edhe miratimin e planit për zbatimin e Strategjisë për Zhvillim Rajonal 2025-2027.
Një tjetër problem është shpërndarja e përgjegjësive ndërmjet institucioneve. Sipas raportit, delegimi i kompetencave vendimmarrëse në nivel qendror dhe lokal mbetet i pamjaftueshëm, gjë që kufizon llogaridhënien menaxheriale. Sipas KE-së, vendi duhet të miratojë kornizë të detajuar ligjore që përcakton qartë detyrat dhe përgjegjësitë e aktorëve në të dy nivelet.
Megjithatë, në reformën e vetëqeverisjes lokale është regjistruar njëfarë progresi. Kuvendi ka miratuar ndryshime në Ligjin për bashkëpunim ndërkomunal dhe Ligjin për vetëqeverisje lokale, ndërsa ka vazhduar dialogu për zhvillimin rajonal. Takimi i grupit sektorial të punës në prill 2026 është vlerësuar si hap pozitiv për zhvillimin e qëndrueshëm dhe decentralizimin.
“Sa i përket kornizës ligjore, ndryshimet në Ligjin për bashkëpunim ndërkomunal, të cilat mund të lehtësojnë bashkëpunimin ndërkufitar ndërmjet vendeve dhe autoriteteve lokale në kuadër të nismave të Bashkëpunimit Territorial Evropian (EGTC), ende presin miratimin nga Kuvendi”, thuhet në raport.
Raporti përmend edhe themelimin e Qendrës së Resurseve për Mbështetjen e Komunave në nëntor 2025 e cila thuhet se forcoi kapacitetet komunale përmes ofrimit të ekspertizës dhe përmirësimit të qasjes në fondet kombëtare dhe ato të BE-së.
Kapacitetet e dobëta dhe pjesëmarrja e kufizuar e të rinjve
Përveç decentralizimit, KE-ja evidenton se komunat vazhdojnë të kenë nevojë për forcimin e kapaciteteve në menaxhimin e prokurimeve publike, si dhe në planifikimin, monitorimin dhe zbatimin e masave për mbrojtjen e natyrës.
Shqetësuese mbetet edhe pjesëmarrja e të rinjve në vendimmarrjen lokale. Raporti tregon se numri i komunave me këshilla lokale rinore ka rënë, ndërsa strategjitë dhe hapsirat institucionale për të rinjtë vazhdojnë të jenë të pakta.
“Në vitin 2025, numri i komunave që kanë këshill lokal rinor u ul nga 28 në 24 (nga gjithsej 81 komuna). Numri i komunave që kanë strategji lokale për të rinjtë është 17, ndërsa qendra rinore dhe zyra për të rinjtë ekzistojnë në 13 komuna”, thuhet në raport.
Probleme evidentohen edhe në realizimin e të drejtave pronësore. Megjithëse ekziston korniza ligjore dhe institucionale, qytetarët përballen me procedura të gjata e të kushtueshme, sidomos në nivel komunal, për shkak të regjistrave të vjetruar të pronës dhe dokumentacionit të pasaktë ose që mungon. Në strategjinë kombëtare për të drejtat pronësore nuk është shënuar progres.
Komunat përballen edhe me mangësi në menaxhimin e cilësisë së ajrit
Raporti evidenton dobësi strukturore në sistemin e monitorimit të ndotjes së ajrit, përfshirë mungesën e personelit të kualifikuar, mbulimin jo të plotë të ndotësve dhe përdorimin e kufizuar të të dhënave gjatë planifikimit urban dhe vendimmarrjes.
Në nivel lokal, planet për cilësinë e ajrit në Kumanovë, Kavadar, Gostivar dhe Strugë janë përditësuar dhe miratuar në shtator 2025, ndërsa ai për Gjevgjelinë në janar 2026. Megjithatë, KE-ja thekson se sistemi i monitorimit ende duhet të përmirësohet dhe të përafrohet me kërkesat evropiane.
Në raport përmenden edhe zgjedhjet lokale të vitit 2025, të cilat, sipas Komisionit Evropian u zhvilluan në një atmosferë të polarizuar politike dhe me disa mangësi procedurale.
Përndryshe, Raporti i Progresit i vitit 2025 për Maqedoninë e Veriut dhe vendet e tjera që aspirojnë BE-në u publikua më 4 nëntor.
- Lexo gjetjet e raportit të vitit të kaluar për vetëqeverisjen lokale: Decentralizimi në RMV zvarritet, institucionet pa vullnet për reforma