Ndonëse Portalb.mk e kërkoi si dokument në gjuhën shqipe propozim-ligjin për lojërat e fatit, Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk e ka të përkthyer këtë dokument në gjuhën shqipe, shkruan Portalb.mk.
Përmes Ligjit për qasje në informatat e karakterit publik nga Qeveria e RMV-së e kërkuam propozim-ligjin për lojërat e fatit, si dokument në gjuhën shqipe. Por një gjë e tillë nuk ekziston në qeveri.
“Në seancën e 93-të të Qeverisë, të mbajtur më 15.7.2025, është miratuar teksti i Propozim-ligjit për lojërat e fatit dhe lojërat zbavitëse, ndërsa propozuesi deri te Qeveria nuk ka dorëzuar tekstin e propozimit në gjuhën shqipe”, thanë nga Sekretariati i Qeverisë së RMV-së.
Kërkesën e njëjtë e kemi dërguar edhe te Ministria e Financave, por ende nuk kemi marrë përgjigje, institucioni sipas ligjit, ka edhe disa ditë kohë të na përgjigjet.
Në ndërkohë, propozim-ligji për lojërat e fatit me të cilin kazinotë, klubet e aparateve dhe bastore me aparate bixhozi, parashihen të mos lejohen pranë shkollave, ka arritur në Kuvendin e RMV-së, por nuk dihet se kur konkretisht do të miratohet.
Kuvendi ka të caktuar sot seancë, por ky ligj nuk gjendet në rendin e ditës.
“Mundemi në seancën e parë ose të dytë, më 2 ose 12 shtator ta vendosim në rend dite”, tha më 25 gusht kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.
Kujtojmë se Qeveria e Maqedonisë së Veriut më 16 korrik e miratoi këtë propozim-ligj.
Për këtë ligj, opozita vazhdimisht ka akuzuar se qeveria mashtron qytetarët dhe se në praktikë kjo nuk do të zbatohet ashtu siç ata e promovojnë dhe se gënjejnë popullin.
Thelbi i ndryshimeve definohet në nenin 24, me të, kazinotë dhe klubet e lojërave të fatit që kanë makina video lotarie është paraparë të vendosen të paktën 500 metra larg shkollave fillore dhe të mesme.
Duke pasur parasysh se nuk i rendit ato si përjashtim, dispozita do të zbatohet edhe për kazinotë e vendosura brenda hoteleve, të cilat ndodhen gjysmë kilometri larg institucioneve arsimore.
Për dallim nga kazinotë dhe klubet me aparate, ndryshimet i përjashtojnë pikat e basteve, të cilat nuk do të duhet të zhvendosen dhe do të mbeten në vendet e tyre ekzistuese.
Ndaj ndryshimeve në industri reagoi Shoqata e Organizatorëve të Basteve Sportive të Maqedonisë, duke kërkuar që Qeveria të tërhiqet nga zgjidhja ligjore.
Përpjekje për të rregulluar industrinë e lojërave të fatit ka pasur disa herë në të kaluarën, përfshirë edhe gjatë qeverisjes së mëparshme LSDM–BDI.
Në mars të vitit 2024, Parlamenti nuk arriti të miratojë Ligjin për Lojërat e Fatit dhe Lojërat Argëtuese, i cili do të parashihte që objektet e lojërave të fatit të zhvendoseshin më shumë se 500 metra nga shkollat fillore dhe të mesme.
Kjo ishte përpjekja e dytë për të miratuar një zgjidhje ligjore pasi ligji u miratua nga deputetët më 7 shkurt, por Presidenti i atëhershëm i vendit, Stevo Pendarovski, nuk e nënshkroi Dekretin.
- LEXO: Bixhozi në RMV: Licenca më të shtrenjta, më pak aparate dhe 500 metra distancë prej shkollave
- LEXO: Qeveria e miratoi projekt-ligjin për lojërat e fatit në RMV, opozita: VLEN gënjen dhe flet pa e lexuar ligjin
- LEXO: Aleanca për Shqiptarët: Deklarata e Izet Mexhitit për mbylljen e kazinove pranë shkollave është manipulim
[…] беше усвоен од Владата во јануари 2025 година без да се обезбеди и негова верзија на албански јазик и неколку пати беше ветено дека ќе се стави на дневен […]