Prokuroria i ka cilësuar si plotësisht të papranueshme propozimet e mbrojtjes për të dëgjuar si dëshmitarë pronarin e lokalit “Pulse”, Dejan Jovanov-Deko, dhe djalin e tij, Mihajlo Jovanov, në procesin gjyqësor kundër nëntë policëve për lëshime të pretenduara gjatë kontrolleve dhe dhënies së pëlqimeve për objektin hotelierik, transmeton Portalb.mk.
Pas prezantimit të listave të provave nga mbrojtja, prokurorja Spasenka Andonova tha në seancën e sotme se dëshmitarët e propozuar nuk kanë asnjë lidhje me thelbin e aktakuzës.
“Për Prokurorinë, propozime të tilla ishin absolutisht të papranueshme. Së pari, ato nuk kanë asnjë lidhje me atë që është objekt i aktakuzës. Gjithashtu, rrethanat që mbrojtja i paraqiti si arsye për propozimin e tyre si dëshmitarë nuk ishin të pranueshme për Prokurorinë”, deklaroi prokurorja Spasenka Andonova pas seancës së sotme në Gjykatën Themelore Penale në Shkup.
Dejan Jovanov-Deko dhe djali i tij u propozuan nga mbrojtja e njërit prej policëve të akuzuar si dëshmitarë në procesin gjyqësor kundër nëntë policëve, të akuzuar për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar në lidhje me funksionimin e lokalit “Pulse”. Sipas mbrojtjes, Jovanov duhet të dëshmojë para gjykatës nëse ka përfituar pasuri në mënyrë të kundërligjshme, nëse ka pasur kontakte dhe nëse e ka njohur të akuzuarin.
Duke komentuar pretendimet e mbrojtjes, prokurorja Spasenka Andonova deklaroi pas seancës së sotme:
“Fokusi i aktakuzës nuk është vetëm marrja e pagës nga Dejan Jovanov, por një sërë veprimesh të ndërmarra, përkatësisht veprime të pamjaftueshme nga ana e zyrtarëve policorë, të cilat mundësuan funksionimin e papenguar të subjektit juridik dhe realizimin e qarkullimit financiar gjatë asaj periudhe”.
Gjykimi kundër nëntë policëve, i cili pritet të vazhdojë më 5 nëntor, ka të bëjë me lëshimet e pretenduara gjatë kontrolleve dhe dhënies së pëlqimeve për lokalin “Pulse”. Prokuroria pretendon se të akuzuarit nuk i kanë kryer plotësisht kontrollet e nevojshme për përmbushjen e kushteve të sigurisë dhe kërkesave ligjore, duke i mundësuar objektit të pajiset me licencë pune dhe ta shfrytëzojë atë. Ata akuzohen për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar, ndërsa më herët para gjykatës janë deklaruar të pafajshëm.
Në zjarrin në të ashtuquajturën kabare “Puls” në Koçan, më 16 mars 2025, gjatë performancës së grupit DNK, humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 u lënduan.