Drejtoria e Policisë Financiare ka paraqitur padi penale në Prokurorinë Themelore Publike të Velesit kundër dy personave: A.K., në cilësinë e pronarit dhe drejtuesit të një personi juridik nga Vallandova, si dhe kundër vetë personit juridik, dhe J.T., në cilësinë e drejtuesit të një personi tjetër juridik nga Dojrani. Ata dyshohen për kryerjen e veprës penale “Shkaktim i qëllimshëm i falimentimit”, sipas nenit 254 të Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.
Sipas provave të mbledhura, ekzistojnë dyshime të bazuara se personi i parë i denoncuar, A.K., në cilësinë e pronarit, drejtuesit dhe nënshkruesit të autorizuar në llogaritë e subjektit juridik, gjatë periudhës 2020–2023, me qëllim dhe me synim të paracaktuar për të shmangur pagesën e detyrimeve financiare ndaj disa subjekteve juridike, kryesisht ndaj një subjekti të huaj, në vlerë prej 289.617.022 denarësh, si dhe ndaj Drejtorisë së të Ardhurave Publike, në vlerë prej 883.283 denarësh, ka ndërmarrë veprime të kundërligjshme për ta çuar qëllimisht subjektin juridik në gjendje të dukshme të paaftësisë financiare dhe për t’ua pamundësuar kreditorëve arkëtimin e borxheve.
Me qëllim krijimin e një baze të dukshme juridike për ngarkimin e pasurisë së shoqërisë, personi i parë i denoncuar kishte lidhur kontratë qiraje me një subjekt tjetër juridik, të cilin gjithashtu e drejtonte. Megjithëse kontrata nuk ishte zbatuar realisht dhe nuk ishte regjistruar në kontabilitet, pas zgjidhjes së saj të njëanshme në vitin 2023, ishin evidentuar penalitete në vlerë prej 233.700.000 denarësh, mbi bazën e të cilave ishte regjistruar barrë mbi pasurinë e shoqërisë. Pas kundërshtimit të kreditorëve, Gjykata Themelore Civile në Shkup kishte nxjerrë një masë të përkohshme, me të cilën ishte pezulluar ekzekutimi.
Pasi kishte dështuar në synimin për tjetërsimin e pasurisë së paluajtshme, personi i parë i denoncuar, me ndihmën e personit të tretë të denoncuar, J.T., kishte ndërmarrë veprime të tjera për ta çuar shoqërinë drejt falimentimit. Në këtë kuadër, ishin transferuar 4.000.000 denarë në formë huaje, mjete që paraprakisht ishin pranuar nga një subjekt juridik i themeluar nga bashkëshortja e personit të parë të denoncuar. Më pas, ishte paraqitur propozim për hapjen e procedurës së falimentimit ndaj shoqërisë.