RMV nënshkroi Programin kombëtar për punë të denjë: Vendet e punës duhet të jenë më cilësore, më të paguara dhe më të sigurta

Qeveria, organizatat e punëdhënësve, sindikatat dhe Organizata Ndërkombëtare e Punës (ONP) nënshkruan sot Programin Kombëtar për Punë të Denjë për periudhën 2026–2030, duke shprehur angazhimin e përbashkët për rritje ekonomike gjithëpërfshirëse, vende pune cilësore dhe produktive, si dhe institucione më të fuqishme të tregut të punës, transmeton Portalb.mk.

Programi siguron një kornizë bashkëpunimi ndërmjet ONP-së dhe përfaqësuesve të saj trepalësh në vend. Ai është harmonizuar me Kornizën e Bashkëpunimit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim të Qëndrueshëm (UNSDCF) 2026–2030, duke kontribuar në realizimin e prioritetit të saj strategjik për një ekonomi të qëndrueshme dhe punë të denjë. Programi gjithashtu i ndërlidh reformat e tregut të punës me agjendën më të gjerë të vendit për zhvillim të qëndrueshëm dhe me objektivat e integrimit evropian.

“Me nënshkrimin e Programit Kombëtar për Punë të Denjë 2026–2030, konfirmojmë përcaktimin tonë për krijimin e vendeve të punës më cilësore, më të paguara dhe më të sigurta. Prioritetet tona janë avancimi i të drejtave të punëtorëve, zhvillimi i aftësive në përputhje me nevojat e tregut të punës, përfshirja më e madhe e të rinjve dhe grave, si dhe zvogëlimi i ekonomisë joformale. Në partneritet me Organizatën Ndërkombëtare të Punës dhe partnerët socialë, vazhdojmë reformat për kushte më të mira pune dhe një ekonomi më të fuqishme. Suksesin e këtij programi do ta masim përmes përmirësimeve konkrete që do t’i ndiejnë punëtorët dhe kompanitë, sepse synimi ynë është që puna e denjë të bëhet realitet për çdo qytetar”, tha ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.

Maqedonia e Veriut shënon përparim të vazhdueshëm në zhvillimin socio-ekonomik, por mungesa e fuqisë punëtore, ndryshimet demografike dhe emigrimi, mospërputhja ndërmjet ofertës dhe kërkesës për aftësi, pjesëmarrja e ulët e grave dhe të rinjve në tregun e punës, puna joformale dhe produktiviteti i kufizuar vazhdojnë të përbëjnë sfida të rëndësishme.

Programi i ri Kombëtar për Punë të Denjë u përgjigjet këtyre sfidave dhe përqendrohet në tri fusha prioritare:

  • – Krijimi i një mjedisi të favorshëm ekonomik, përmes harmonizimit të legjislacionit të punës me atë për sigurinë dhe shëndetin në punë, avancimit të dialogut social dhe negociatave kolektive, si dhe mbështetjes për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme produktive, konkurruese, inovative dhe të qëndrueshme.
  • – Avancimi i arsimit profesional dhe zhvillimi i aftësive, përmes përmirësimit të sistemeve të arsimit profesional, trajnimit dhe mësimit gjatë gjithë jetës, në mënyrë që ato t’u përgjigjen më mirë nevojave të tregut të punës.
  • – Fuqizimi ekonomik i grave, përmes promovimit të mundësive të barabarta dhe eliminimit të pengesave për pjesëmarrjen e tyre në tregun e punës, përfshirë detyrimet për kujdesin ndaj personave të tjerë, hendekun gjinor në paga, si dhe dhunën dhe ngacmimin në vendin e punës.

“Përmes përkushtimit dhe angazhimit të përbashkët mund të ndërtojmë një treg pune më gjithëpërfshirës, më produktiv dhe më të qëndrueshëm ndaj sfidave. Duke punuar së bashku, mund të krijojmë vende pune cilësore, të forcojmë institucionet e tregut të punës, të mbështesim zhvillimin e ndërmarrjeve të qëndrueshme dhe të realizojmë parimet dhe të drejtat themelore në punë”, deklaroi Kler Harasti, drejtoreshë e ONP-së për Evropën Qendrore dhe Lindore.

Maqedonia e Veriut RMVPunëtor(e) PunëQeveria e Maqedonisë së VeriutTë drejtat e punëtorëve