Propozimi i Partisë Liberal Demkratike (PLD) për krijimin e qendrave familjare për parandalimin e dhunës midis bashkëmoshatarëve në secilën komunë ka hapur çështjen se sa janë të gatshme komunat t’i hapin të njëjtat dhe t’i mirëmbajnë, ja se si qëndron situata në Komunën e Strugës, Kumanovës, Haraçinës dhe Likovës, shkruan Portalb.mk.
PLD-ja ka paralajmëruar nismë për krijimin e qendrave familjare në të gjitha komunat e vendit, me qëllim ofrimin e mbështetjes profesionale për familjet dhe të rinjtë, si dhe parandalimin dhe trajtimin e dhunës mes bashkëmoshatarëve. Sipas partisë, në komunat që nuk kanë kapacitete të mjaftueshme financiare, mbështetja duhet të sigurohet nga pushteti qendror. Por, kjo nismë ende nuk është dorëzuar në Kuvend dhe pritet të bëhet së shpejti.
Komuna e Haraçinës, për Portalb.mk, thonë se vlerësojnë iniciativën për krijimin e qendrave familjare si pozitive dhe thonë se janë të gatshëme ta mbështesin në të ardhmen. Nga atje thanë se aktualisht nuk janë paraparë në buxhet mjete për këtë lloj iniciative, por në momentin që ajo të institucionalizohet, do të krijohen mundësi për ndarjen e mjeteve financiare.
“Kjo është një temë veçanërisht e ndjeshme për Komunën e Haraçinës, duke pasur parasysh rastin tragjik të humbjes së një vajze nga vetëvrasja. Pas këtij rasti janë ndërmarrë masa konkrete, duke organizuar trajnime dhe aktivitete sensibilizuese me stafin profesional, mësimdhënësit dhe nxënësit”, thonë nga Komuna e Haraçinës.
Nga atje shtojnë se bashkëpunimi me institucionet dhe profesionistët përkatës vazhdon, me qëllim identifikimin në kohë të problemeve dhe krijimin e mekanizmave për parandalimin e tyre.
Ndërkohë nga Komuna e Likovës, për Portalb.mk, janë përgjigjur shkurt se nuk janë të njoftuar për një nismë të tillë dhe pa një njoftim zyrtar nuk do përgjigjen, duke shtuar se ata janë komunë rurale dhe kanë buxhet të kufizuar.
Nga Komuna e Kumanovës, për Portalb.mk, kanë deklaruar se ata kanë ndërmarrë masa për parandalimin dhe trajtimin e dhunës nga bashkëmoshatarët në shkollat fillore dhe të mesme, në bashkëpunim me institucionet dhe organizatat përkatëse. Nga atje bëjnë të ditur se përmes një ankete anonime në 16 shkolla janë identifikuar klasat ku raportohet ngacmim, pas së cilës janë ndërmarrë aktivitete dhe masa të posaçme.
Në shkolla janë zhvilluar punëtori për parandalimin e dhunës, komunikimin jo të dhunshëm dhe tejkalimin e konflikteve, si dhe këshillime me nxënës, prindër dhe mësimdhënës. Janë vendosur edhe kuti anonime për raportim, është shtuar mbikëqyrja gjatë pushimeve dhe, sipas nevojës, janë përfshirë policia dhe Qendra për Punë Sociale.
“Komuna ka mbështetur gjithashtu krijimin e një Qendre Këshillimore për Shëndetin Mendor të të Rinjve, e cila do të ofrojë mbështetje psikologjike dhe psikosociale për të rinjtë e moshës 16 deri në 20 vjeç. Përmes thirrjeve publike janë mbështetur edhe projekte për parandalimin e dhunës, shëndetin mendor, bullizmin kibernetik, gjuhën e urrejtjes dhe rreziqet online”, thonë nga Komuna e Kumanovës.
Sipas komunës, këto masa synojnë identifikimin në kohë të rasteve të dhunës, forcimin e mbështetjes për nxënësit dhe krijimin e një mjedisi shkollor më të sigurt.
Edhe Komuna e Strugës është përfshirë në konsultimet për këtë çështje dhe, sikurse komunat e tjera, mbështet masat që synojnë parandalimin e dhunës dhe forcimin e mbështetjes për fëmijët dhe të rinjtë. Në fokus mbeten parandalimi, puna me nxënësit dhe bashkëpunimi ndërmjet shkollave, familjeve dhe institucioneve kompetente.
“Komuna ka Memorandum bashkëpunimi me Shoqatën për Zhvillim dhe Aktivizëm – AKVA Strugë, në kuadër të të cilit funksionon këshillimorja për gratë viktima të dhunës. Në të ardhmen parashihet edhe zhvillimi i aktiviteteve dhe hapja e qendrave familjare për parandalimin e dhunës. Në bashkëpunim me shkollat dhe institucionet kompetente, Komuna mbështet aktivitetet për ndërgjegjësimin, parandalimin dhe trajtimin e rasteve të dhunës mes bashkëmoshatarëve. Sfidat kryesore janë mungesa e burimeve të mjaftueshme profesionale dhe financiare. Për këtë arsye, nevojitet mbështetje më e madhe nga institucionet qendrore, veçanërisht në sigurimin e ekspertizës profesionale, financimit dhe koordinimit ndërinstitucional”, thanë nga Komuna e Strugës.
Ndryshe, rreth 50 raste të dhunës mes bashkëmoshatarëve janë raportuar mesatarisht çdo vit në shkollat e vendit gjatë tre viteve të fundit shkollore, ndërsa institucionet kanë paralajmëruar masa të reja për parandalimin e këtij fenomeni. Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, ka deklaruar se dhuna nuk fillon në shkollë, por më së shpeshti buron nga familja, ndërsa kanë paralajmëruar edhe ndryshime ligjore që parashikojnë gjobë prej 250 eurosh për prindërit e fëmijëve që ushtrojnë dhunë në shkollë ose refuzojnë bashkëpunimin me institucionet.
- LEXO: Qendrat familjare kundër dhunës, Gostivari, Tetova, Zhelina dhe Kërçova, të gatshmetë gatshme t’i hapin por kërkojnë mbështetje nga qeveria
- LEXO: Dhuna nuk njeh enti apo fe, PLD-ja me propozim për hapjen e qendrave këshilluese në çdo komunë të RMV-së
- LEXO: RMV, Janevska: Rreth 50 raste të dhunës mes bashkëmoshatarëve raportohen çdo vit në shkolla