Qendra e Resurseve do t’i mësojë komunat në Maqedoninë e Veriut si t’i mbledhin taksat dhe t’i shpenzojnë paratë me mençuri, transmeton Portalb.mk.
Qendra e Resurseve është mjeti i ri i Qeverisë që do t’i ndihmojë komunat të menaxhojnë në mënyrë efektive financat e tyre, të komunikojnë me qeverinë qendrore, t’i mësojë ato si të rrjetëzohen dhe si të mbledhin taksat, dhe më pas të përdorin fondet për të arritur performancë dhe progres më të madh.
“Ideja është të kemi një pikë të vetme kontakti, një pikë të vetme kontakti për komunikim midis kryetarëve të komunave dhe administratës dhe midis institucioneve dhe qeverisë qendrore. Ky projekt ishte shumë i nevojshëm dhe është një sublimim i të gjitha problemeve që i mundojnë kryetarët e komunave” tha ministri i Vetëqeverisjes Lokle, Zllatko Perinski.
Profesori universitar Borçe Trenovski thotë se komunat përballen me numër të madh sfidash, në fushën e financave publike, revizionit të brendshëm, burimeve njerëzore, prokurimit publik, urbanizmit dhe shumë segmenteve të tjera, dhe qendra e burimeve, e cila është e lidhur me një numër të madh ministrish dhe institucionesh shtetërore, është mjeti me të cilin ato do të përparojnë.
“Ky është një sistem që duhet të përfshijë segmente dhe qëllime të shumëfishta në mënyrë që të forcojë kapacitetin ekzistues dhe të kalojë në fazën tjetër të decentralizimit kur komunat do të marrin më shumë fonde dhe do të ofrojnë shërbime. Numrat dhe buxhetet janë një gjë. Politikat janë të rëndësishme. Secila prej këtyre reformave duhet të shoqërohet me politika të caktuara për ndryshim” tha Trenovski.
Përveç pikës së kontaktit, qendra pritet të jetë qendër shpërndarjeje për fondet e donatorëve dhe një mjet për zhvillimin e komunave dhe zhvillimin e balancuar rajonal.
Raporti i Komisionit Evropian për këtë vit ritheksoi se reformat në vetëqeverisjen lokale në Maqedoninë e Veriut kanë ngecur dhe se vendi duhet ta përshpejtojë procesin e decentralizimit dhe të miratojë ndryshimet në Ligjin për vetëqeverisjen lokale, megjithatë për këto nuk ka vullnet. Qeveria arsyetohet dhe topin e hedh te partitë politike ndërsa Ministria e Financave hesht.