Franca pretendon se Irani qëndron pas sulmit kibernetik ndaj frigoriferëve në supermarketet franceze

Franca ka bërë të ditur se Irani qëndron pas një sulmi masiv kibernetik ndaj ngrirësve dhe pajisjeve ftohëse në supermarkete, sulm të cilin ministri i Jashtëm francez e përshkroi si akt agresioni të paprecedentë, raporton Associated Press.

Jean-Noël Barrot deklaroi se do të vendosen sanksione në nivel evropian ndaj përgjegjësve, duke shtuar se sulmet, gjatë të cilave u mor nën kontroll sistemi i termostateve digjitale për të rritur temperaturën mbi 50°C, përbëjnë shkelje serioze të interesave kombëtare.

Në një konferencë për media gjatë samitit të G7-s në Paris, ai tha: “Falë përpjekjeve të jashtëzakonshme të agjencive qeveritare, mund të konfirmoj se përgjegjëse për këtë sulm është Garda Revolucionare e Republikës Islamike të Iranit”.

Ai shtoi se ambasadori iranian ishte thirrur për bisedë, për t’i shprehur protestën më të ashpër ndaj këtij akti jashtëzakonisht serioz.

Një numër i madh supermarketesh franceze u goditën nga sulmet kibernetike më 11 dhe 12 tetor. Disa prej tyre u detyruan të hedhin të gjitha rezervat e ushqimeve që prishen.

Që atëherë janë raportuar edhe incidente të ngjashme, përfshirë sulme ndaj pajisjeve ftohëse në supermarkete në vende të tjera evropiane javën e kaluar, si dhe një sulm ndaj një banke franceze të gjakut.

Prokurorja e Parisit, Laure Beccuau, të hënën deklaroi se hetuesit e specializuar dhe agjencitë qeveritare kanë identifikuar një mënyrë veprimi karakteristike të grupit iranian “Shahid Kaveh”, një njësi e luftës kibernetike e lidhur me Gardën Revolucionare Islamike (IRGC).

Ajo bëri të ditur se kjo përfshinte përdorimin e gjuhës perse dhe adresave IP që çojnë te pajisje të vendosura në Iran.

Beccuau deklaroi se zyra e saj ka hapur hetim ndaj drejtuesit të grupit “Shahid Kaveh”, zëvendësve të tij dhe personave të tjerë që ende nuk janë identifikuar, nën dyshimet për sulme mashtruese ndaj sistemeve të automatizuara të përpunimit të të dhënave, të kryera në kuadër të një grupi të organizuar kriminal, si dhe për shkaktimin e dëmeve që rrezikojnë jetën e njerëzve.

Ajo shtoi se veprat konsiderohen më të rënda për shkak se janë kryer në shërbim të një fuqie të huaj, në këtë rast të Iranit.

Jérôme Billois, partner në kompaninë e sigurisë kibernetike dhe teknologjisë “Wavestone”, deklaroi se grupi “Shahid Kaveh” është aktiv që nga viti 2020 dhe njihet për kryerjen e sulmeve kibernetike, kryesisht ndaj sistemeve të shpërndarjes së ujit në SHBA.

“Dy vende njihen për sulme të këtij lloji: Irani dhe Rusia. Duke pasur parasysh se sulmet e fundit kibernetike ndaj supermarketeve dhe bankës së gjakut në Francë kishin në shënjestër pajisjet e ngrirjes, është e arsyeshme të supozohet se Irani është drejtpërdrejt i lidhur me të dy incidentet”, tha ai.

“Aktualisht ata po sulmojnë pajisje që janë objektiva të lehta, por duke qenë se bëhet fjalë për një grup të mbështetur nga shteti, i cili ka burime, vendosmëri dhe kohë, duhet të jemi të përgatitur edhe për sulme ndaj sistemeve të tjera, si ato të furnizimit me ujë apo energji elektrike”.

Gjatë sulmit të muajit të kaluar, hakerët ndryshuan në distancë parametrat e temperaturës në mijëra ngrirës, frigoriferë dhe vitrina frigoriferike në deri në 700 supermarkete dhe dyqane në të gjithë Francën. Temperaturat, të cilat fillimisht arrinin deri në -27°C, në disa raste u rritën në mbi 50°C.

Mijëra tonë ushqime u desh të hidheshin, ndërsa në disa dyqane rritja ekstreme e temperaturës shkaktoi zjarre, të cilat aktivizuan sistemet e shuarjes së zjarrit me ujë dhe sollën dëme të mëtejshme nga përmbytja.

Javën e kaluar, hakerët depërtuan në sistemet e kontrollit të ambienteve frigoriferike ku ruhen produktet e gjakut. Shërbimi Francez i Gjakut (EFS) njoftoi se kufijtë e temperaturës dhe shkrirjes ishin vendosur në nivele shumë të larta, por sistemet e alarmit paralajmëruan teknikët, duke u mundësuar atyre t’i fiknin pajisjet frigoriferike para se produktet të shkatërroheshin.

Nuk është e qartë nëse këto dy sulme janë të ndërlidhura.

FrancaIraniSiguria kibernetike