Shqiptari Nickola Shreli në serial me Sylvester Stallone: Shpresoj që t’i nxisë edhe të tjerët nga komuniteti ynë të ndjekin ambiciet e tyre krijuese

Pas vitesh në kinemanë amerikane, Nickola Shreli do të shfaqet përkrah një aktori, puna e të cilit e ka frymëzuar prej kohësh. Aktori, skenaristi dhe regjisori shqiptaro-amerikan i është bashkuar kastit të sezonit të pestë të serialit “Tulsa King”, me protagonist Sylvester Stallone, shkruan Portalb.mk.

Përfshirja e tij është konfirmuar nga Paramount+, që e ka renditur Shrelin mes emrave të rinj të kastit. Sezoni i pestë e zhvendos historinë në Nju-Jork, ku personazhi i Stallone-s, Dwight “The General” Manfredi, rikthehet te rrënjët e tij mafioze.

Në një prononcim për Portalb.mk, Shreli foli për domethënien e kësaj përvoje, dhe admirimin për Stallone-n.

“Të jem pjesë e serialit ‘Tulsa King’ dhe të punoj përkrah Sylvester Stallone-s është një kapitull i rëndësishëm në karrierën time. Kam punuar për shumë vite në kinematografinë e pavarur, ndaj mundësi si kjo kanë një domethënie të veçantë për mua. E kam admiruar prej kohësh punën e Stallone-s dhe ka qenë privilegj të shfaqem përkrah tij në ekran”, tha Shreli.

Nickola Shreli, fotografuar nga Elus Skendaj

 I lindur në Detroit, në një familje shqiptare, Shreli e sheh këtë hap si mundësi për të promovuar talentin shqiptar në filmin dhe televizionin amerikan.

“Si aktor i lindur në Detroit, me prejardhje shqiptare, jam krenar për rrënjët e mia, por gjithmonë kam besuar se puna duhet të flasë e para. Nëse rrugëtimi im ndihmon që artistët shqiptarë të jenë më të pranishëm dhe më të njohur në filmin dhe televizionin amerikan, kjo do të më gëzonte shumë. Mbi të gjitha, shpresoj që t’i nxisë edhe të tjerët nga komuniteti ynë të ndjekin ambiciet e tyre krijuese”, tha Shreli.

Shreli ka ndërtuar një karrierë që ndërthur aktrimin me shkrimin dhe realizimin e filmave. Ai njihet veçanërisht për “Cash Only”, filmin të cilin e shkroi dhe ku interpretoi rolin kryesor. Në filmografinë e tij bëjnë pjesë edhe “Power Book IV: Force”, “Killerman”, “Low Winter Sun”, “The Red Road” dhe “Abduction”.

Nickola Shreli, fotografuar nga Elus Skendaj

Krahas roleve në ekran, ai vazhdon të zhvillojë projekte si regjisor dhe producent përmes kompanisë së tij, Nickname Projects.

Me “Tulsa King”, këtij rrugëtimi i shtohet bashkëpunimi me një prej emrave më të njohur të Hollywood-it. Për Shrelin, domethënia e këtij hapi përmblidhet edhe te shpresa që suksesi i tij t’i nxisë të tjerët nga komuniteti shqiptar t’u besojnë ambicieve të tyre krijues.

FilmaKulturë lajme