Prodhuesit evropianë mund të heqin dorë nga përpjekjet për të konkurruar me rivalët e tyre kinezë deri në fund të dekadës, nëse vazhdojnë trendet aktuale. Një situatë e tillë ngre shqetësime për humbje masive të vendeve të punës. Këtë paralajmëroi kreu i Dhomës së Tregtisë së Bashkimit Evropian në Kinë, raporton The Guardian.
Duke u nisur nga logjika “nëse nuk mund t’i mundësh, bashkohu me ta”, Jens Eskelund deklaroi se kompanitë evropiane që operojnë në Kinë tani po shqyrtojnë mundësinë që koncepti “Prodhuar në Kinë për Kinën” të zëvendësohet me filozofinë “Prodhuar në Kinë për botën”.
Eskelund, i cili drejton këtë organizatë me ndikim me seli në Pekin, thotë se deri në fund të dekadës prodhuesit evropianë mund të gjenden përballë një udhëkryqi ekzistencial, duke pyetur veten: “Cili është qëllimi i tregtisë?”
Duke pasur parasysh se BE-ja po mban një qëndrim gjithnjë e më të ashpër ndaj Kinës, në kushtet e një deficiti rekord tregtar prej 1,18 miliardë eurosh në ditë dhe rritjes së prirjeve proteksioniste në Bruksel, Berlin dhe Paris, Eskelund vlerëson se vendet evropiane mund të kenë nevojë të ndryshojnë politikat e tyre. Qëllimi do të ishte t’u mundësohej prodhuesve vendas të bëhen pjesë e zinxhirëve të furnizimit të kompanive kineze, në vend që të trajtohen si konkurrentë.
Eskelund, i cili është gjithashtu drejtor ekzekutiv për operacionet në Kinë të grupit të transportit “Maersk”, iu referua një raporti të “Goldman Sachs”. Sipas parashikimeve në këtë raport, eksportet kineze deri në fund të dekadës mund ta ulin Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) të BE-së për 0,5 për qind, ndërsa atë të Gjermanisë deri në 0,9 për qind.
“Parashtrohet pyetja: nëse tregtia me Kinën sjell vlerë negative, pse duhet të tregtojmë fare?”, thotë biznesmeni danez.
“Nëse papritur gjendeni në një situatë ku tregtia krijon vlerë të madhe për njërën palë, por shkatërron vlerën për palën tjetër, vendet do të fillojnë të pyesin: pse po tregtojmë?”, thotë ai.
Ai paralajmëron për një skenar potencialisht katastrofik, në të cilin prodhimi industrial do të zhdukej nga vendet evropiane, duke shkaktuar humbje masive të vendeve të punës, kolaps të bazës tatimore, papunësi afatgjatë që do të përcillej ndër breza dhe rritje marramendëse të shpenzimeve për përfitimet sociale.
Gjatë qëndrimit të tij në Bruksel, ku zhvilloi një sërë takimesh me përfaqësues të Komisionit Evropian për t’u përcjellë informacione nga Pekini, ai theksoi se Evropa ndodhet në një pikë kthese.
“Nëse krijojmë varësi të reja, kjo përfundimisht mund të çojë në humbjen e aftësisë së Evropës për ta përcaktuar vetë të ardhmen e saj”, duke shkaktuar humbje masive të vendeve të punës dhe dobësim të komuniteteve, shtoi Eskelund.
Ky kërcënim ekzistencial tashmë ka filluar të ndihet në sektorët evropianë të automobilave, kimikateve dhe energjisë së rinovueshme. Industria gjermane e automobilave, për shembull, po përballet me një goditje të dyfishtë: rënien e fitimeve në Kinë dhe konkurrencën e lirë nga kompanitë kineze në tregun vendas.
Javën e kaluar, BMW njoftoi se shitjet në Kinë kanë rënë për 22 për qind gjatë nëntë muajve të parë të vitit, në përputhje me pritjet për kërkesë të dobët në tregun vendas, ndërsa njëkohësisht lëshoi paralajmërimin e dytë për fitimet gjatë këtij viti.
Eskelund nuk e pëlqen termin “goditja kineze 2.0”, i cili i referohet ndikimit në industrinë vendase të BE-së, të shkaktuar nga rritja e madhe e importeve të automjeteve, kimikateve dhe komponentëve gjatë pesë viteve të fundit. Ai theksoi se kjo nuk duhet të jetë befasi, pasi planet e Pekinit për zëvendësimin e importeve kanë qenë temë e vazhdueshme në tre planet e fundit pesëvjeçare, që nga miratimi i strategjisë “Prodhuar në Kinë” (Made in China) në vitin 2015.
“Nuk më pëlqen termi ‘goditja kineze 2.0’, sepse ajo që po ndodh nuk duhet të jetë befasi – gjithçka është e shkruar në planet e tyre pesëvjeçare, prandaj kjo mund të parashikohej”, tha Eskelund.
“Dëshmia për këtë qasje qëndron në faktin se Kina, gjatë 30 viteve të fundit, është përqendruar tërësisht në uljen e varësive të veta”, shtoi ai, duke iu referuar njëkohësisht edhe uljes së importeve.
Në një raport të publikuar së fundmi, Qendra për Reforma Evropiane (CER) i bën thirrje Gjermanisë që të ndalojë së admiruari Pekinin dhe të ndryshojë strategjinë e saj, veçanërisht pasi plani më i ri pesëvjeçar i Kinës për periudhën 2026–2030 e forcon edhe më tej fokusin te vetë-mjaftueshmëria.
“Kina është e vendosur t’i zëvendësojë importet në ata pak sektorë ku ende varet nga furnizimet e huaja”, thuhet në raportin e CER-it.