Vendet baltike, Lituania, Letonia dhe Estonia, këtë mëngjes lëshuan një sërë alarmesh, me të cilat u bënin thirrje qytetarëve të kërkonin strehim për shkak të kërcënimeve nga dronë të paidentifikuar që kishin hyrë nga Rusia ose Bjellorusia fqinje, njoftuan zyrtarët dhe mediat, raporton Reuters.
Në paralajmërimet thuhej se ishin aktivizuar avionët luftarakë të NATO-s për mbrojtjen kundërajrore, megjithëse nuk kishte raportime për persona të lënduar. Autoritetet për situata krize në Lituani deklaruan se alarmi kishte të bënte me qytetin e dytë më të madh të vendit, Kaunas, ku jetojnë rreth 300.000 banorë.
Finlanda, e cila gjithashtu kufizohet me Rusinë, sot vendosi kufizime të përkohshme në hapësirën ajrore dhe në trafikun detar në pjesën lindore të Gjirit të Finlandës, njoftuan Forcat e saj të Mbrojtjes në platformën “X“, por më vonë i hoqën këto masa.
“Kufizimet ishin masë parandaluese për të siguruar funksionimin e papenguar të shërbimeve kompetente dhe sigurinë e qytetarëve”, shtuan ata.
Ky veprim erdhi pasi dronët ukrainas sulmuan pjesën veriperëndimore të Rusisë, ku ndodhen kapacitete të rëndësishme për eksportin nëpërmjet Detit Baltik dhe një rafineri e madhe nafte. Sulmi shkaktoi zjarr në portin Ust-Luga, ndërsa tre persona u lënduan.
Mbetjet e një droni vranë dy persona në rajonin rus të Smolenskut, i cili kufizohet me Bjellorusinë, raportuan agjencitë ruse të lajmeve, duke iu referuar një deklarate të guvernatorit lokal.
Në Ukrainë, një sulm ajror rus i kryer gjatë natës shkaktoi ndërprerje të energjisë elektrike në disa pjesë të qendrës industriale Krivi Rih. Një person u lëndua në qytetin e dytë më të madh, Harkiv, ndërsa gjashtë të tjerë u lënduan në Zaporizhja, njoftuan zyrtarët dhe shërbimet e emergjencës.
“Reuters” nuk arriti t’i verifikojë menjëherë në mënyrë të pavarur këto raportime. Rusia dhe Ukraina mohojnë se qëllimisht kanë shënjestruar civilët në luftën që Moska e nisi me pushtimin e shtetit fqinj në shkurt të vitit 2022.
Këto zhvillime po ndodhin në kohën kur në Abu Dhabi po mbahet një takim dyditor mes përfaqësuesve rusë dhe ukrainas, i cili filloi të martën, ndërsa SHBA-ja po ndërmerr përpjekje të reja për t’i dhënë fund luftës.
Presidenti Donald Trump deklaroi se lufta është afër zgjidhjes dhe se përfundimi i saj mund të përfshijë të gjithë Evropën.
Hyrja e dronëve ushtarakë ukrainas në hapësirën ajrore të Finlandës, Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë ka shkaktuar shqetësime se lufta në Ukrainë po përhapet edhe në vendet anëtare të NATO-s që kufizohen me Rusinë dhe aleaten e saj, Bjellorusinë.
Ndërsa Ukraina sulmon portet ruse për transportin e naftës në Detin Baltik, disa prej dronëve të saj kanë devijuar nga objektivat, duke shkaktuar paralajmërime për sigurinë në vendet fqinje, madje edhe rrëzimin e qeverisë në Letoni këtë vit.
Moska e akuzoi Kievin se po e përdor hapësirën ajrore të NATO-s si mburojë për sulmet, ndërsa Kievi pretendon se ndërhyrja ruse në sinjale ka bërë që disa prej dronëve të tij të devijojnë nga trajektorja e planifikuar. Vendet anëtare të NATO-s e akuzojnë Rusinë për këto incidente, duke theksuar se ajo është përgjegjëse për nisjen e luftës.