Nisma e filluar për ndryshimin e emrave të rrugëve në Tetovë që në 2022 assesi të merr epilog, procesi vazhdon të zvarritet derisa Gjykata Kushtetuese i shfuqizoi emrat e 10 rrugëve dhe sheshit të cilat u sollën me vendim gjysmak në 2007, shkruan Portalb.mk. Por pse po zvarritet ky proces dhe a është aq kompleks sa e bëjnë autoritetet?
Shfuqizimi i vendimit të Këshillit Komunal të Tetovës i vitit 2007 nga ana e Gjykatës Kushtetuese me të cilin pa pëlqim të qeverisë u ndryshuan emrat e 10 rrugëve (7 në shqip, 3 në maqedonisht) dhe i sheshit, ka sjellë në vëmendje të publikut pyetjen se pse po zvarritet procesi i riemërimit të rrugëve i cili filloi që në vitin 2022, më pas vazhdoi në 2024 dhe 2025, më pas u pauzua për shkak të zgjedhjeve lokale ndërsa rifilloi përsëri në fillim të vitit 2026.
Derisa opozita vazhdimisht ka kritikuar, autoritetet komunale ndër vite janë arsyetuar se procesi është kompleks dhe se për të njëjtin do të ketë zgjidhje, megjithatë ky proces nuk ka përfunduar ende. Sipas komunës procesi është në fazë finale ku ka marrëveshje me Qeverinë dhe pritet të përfundojë këtë vit, por pa datë konkrete.
Procesi i ndryshimit të emrave të rrugëve nuk është aq i komplikuar nëse ka marrëveshje midis pushtetit lokal dhe atij qendror. E njëjta mund të kryhet brenda pak javëve.
Cila është procedura e ndryshimit të emrave të rrugëve?
Sipas Ligjit për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore, ndryshimi i emrave të rrugëve duhet të kalojë nëpërmjet një procesi, i cili niset nga komuna, me pajtimin qeverisë përfundon në Regjistrin Qendror, i cili më pas e shpërndan njoftimin te MPB, Enti i Statistikës dhe Kadastra.
Ilustrimi i mëposhtëm e tregon procesin e ndryshimit të emrave të rrugëve.
Ndryshimi i emrit të një rruge kalon nëpër disa faza për të cilat ka afate të përcaktuara me ligj. Komuna, miraton propozimin e emrave në Këshill dhe e dërgon propozimin në Qeveri. Pastaj lista kthehet në këshillin komunal dhe votohet për miratim. Në afat prej 8 ditëve lista bashkë me dokumentacionin dorëzohet në Regjistrin Qendror, i cili në afat prej 15 ditëve do të duhet të regjistrojë emrin e ri të rrugës së caktuar. Pas ndryshimit, në afat prej 3 ditëve, Regjistri Qendror dorëzon njoftim për ndryshimin në MPB, Kadastër dhe Entin e Statistikave.
Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese i shfuqizoi emrat e vitit 2007 të disa rrugëve në Tetovë, për shkak se procesi ishte kryer gjysmak, duke mos e respektuar ligjin, konkretisht marrjen e pëlqimit nga Qeveria. Pas kësaj BDI dhe VLEN kishin akuza dhe kundërakuza, BDI-ja madje doli edhe në protestë. Megjithatë edhe BDI sa ka qenë në pushtet lokal dhe qendror, por edhe VLEN tani, kanë pasur mundësi që të sjellin vendim për emrat e rrugëve duke respektuar procedurat ligjore dhe me këtë do të parandalohej vendimi i Gjykatës Kushtetuese.