Detaje, kush ia mundësoi Gjykatës Kushtetuese shfuqizimin e emrave të rrugëve dhe sheshit të Tetovës?

Lajmi është përditësuar më 23.06.2026, është vendosur arsyetimi zyrtar i Gjykatës Kushtetuese i cili u publikua nga gjykata 6 ditë pas sjelljes së vendimit

Në opinion kanë vërshuar reagimet dhe akuzat pasi Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi vendimin e vitit 2007 me të cilin Komuna e Tetovës i ndryshoi emrat e disa rrugëve dhe sheshit të qytetit. Por si qëndron e vërteta, si filloi gjithçka dhe pse u shfuqizuan këto emra, Portalb.mk sjell një kronologji të të gjithë procesit ndër vite.

Në pika të shkurta:

  • Në prill 2007 Këshilli Komunal i Tetovës ndryshoi emrat e disa rrugëve dhe sheshit, pa pëlqim të Qeverisë. Sheshi dhe shtatë rrugë morën emra shqip, tre rrugë u riemëruan maqedonisht.
  • Në shkurt 2025 Lidhja e Luftëtarëve nga Lufta Nacionalçlirimtare dhe Antifashiste e Maqedonisë 1941-1945 parashtroi nismë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit.
  • Në mars 2026 Gjykata Kushtetuese hapi lëndë.
  • Në qershor 2026 Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi vendimin e Këshillit Komunal.
  • Udhëheqësia aktuale e Komunës së Tetovës pati mundësi ta parandalonte shfuqizimin e vendimit.

Gjithçka nisi në 2007

24.04.2007 në kohën kur Komuna e Tetovës udhëhiqej nga BDI-ja, kur kryetar ishte Hazbi Lika, Këshilli Komunal solli vendim për ndryshimin e emrit të sheshit dhe disa rrugëve nga emrat periudhës së komunizmit në emra të tjerë.

Sheshi i qytetit dhe shtatë rrugë morën emra në gjuhën shqipe, ndërsa tre rrugë u riemëruan në maqedonisht, edhe atë si vijon:

  • Sheshi i qytetit “Marshall Tito” u emërua ‘Iliria’.
  • Rruga ‘Marshall Tito’ u emërua ‘Iliria’.
  • Rruga ‘JNA’ prej Kullës në rrugën ‘Ilindenska’ deri te udhëkryqi i rrugës ‘Bllagoja Toska’ u emërua ‘Dervish Cara’.
  • Pjesa nga rruga ‘JNA’ prej udhëkryqit në rrugën ’Bllagoja Toska’ deri në fund të rrugës ‘JNA’ u emërua ‘Solunski Atentatori – Geminxhii’.
  • Rruga ‘29 Nëntori’ u emërua ‘Mehmet Pashë Deralla’.
  • Rruga ‘I.R.Llolla’ deri te Shkolla e Muzikës u emërua ‘Kongresi i Manastirit’..
  • Pjesa nga rruga ‘I.R.Llolla’ nga Shkolla e Muzikës deri te udhëkryqi te Stadiumi i qytetit u emërua ‘Krushevska Republika’.
  • Pjesa e rrugës ‘I.R.Llolla’ nga udhëkryqi te Stadiumi i qytetit deri në Poroj-Xhepçisht u emërua ‘Dëshmorët e Kombit’.
  • Rruga ‘Boris Kidriç’ u emërua ‘Metodi Andonov Çento’.
  • Rruga ‘R.Coniq’ u emërua në ‘Abdyl Frashëri’.
  • Rruga ‘Lenin’ u emërua në ‘Sami Frashëri’.

Sipas Ligjit për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore, ky proces duhej të merrte pëlqim nga Qeveria.

Megjithatë ky vendim nuk mori pëlqim nga Qeveria e atëhershme e udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe PDSH.

Si rezultat, emrat e ri të rrugëve nuk figuruan në Kadastër dhe në Regjistrin Qendror, por u përdorën vetëm nga Komuna e Tetovës.

Nga institucionet qendrore vazhduan me vite të përdoren emrat e vjetër.

Në 2025 Lidhja e Luftëtarëve nga LNA-ja e kontestoi vendimin në Gjykatën Kushtetuese

11.02.2025, Lidhja e Luftëtarëve nga Lufta Nacionalçlirimtare dhe Antifashiste e Maqedonisë 1941-1945, parashtroi nismë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Këshillit Komunal të Tetovës me të cilin u ndryshuan emrat e rrugëve, gati dy dekada më vonë.

Sipas pretendimeve në iniciativë, vendimi i kontestuar është në kundërshtim me nenin 8 paragrafi 1 alineja 3 dhe nenin 51 të Kushtetutës, si dhe me nenin 5 paragrafi 2 të Ligjit për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore.

Në mars 2026 Gjykata Kushtetuese e pranoi nismën dhe hapi lëndë

04.03.2026, Gjykata Kushtetuese solli vendim me të cilin hapi lëndë për vlerësimin e kushtetutshmërisë për ndryshimin e emrave të disa rrugëve dhe sheshit në Tetovë.

Qershor 2026, Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi vendimin

17.06.2026, me 5 vota “për” nga gjykatësit maqedonas, dhe votim ‘kundër’ nga dy gjyqtarët shqiptarë dhe ai i turk, Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi vendimin e vitit 2007 me të cilin u bënë ndryshimet e emrave të disa rrugëve dhe sheshit të qytetit.

Çili është arsyetimi i Gjykatës Kushtetuese?

Njoftimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e vendimit për emrat e rrugëve të vitit 2007 në Tetovë:

Gjatë procedurës, për shkak të mosdorëzimit të dokumentacionit të plotë, Gjykata në katër raste kërkoi nga Komuna e Tetovës që të dorëzonte të gjithë dokumentacionin që i kishte paraprirë miratimit të vendimit të kontestuar. Megjithatë, nga ana e Komunës nuk u dorëzua as pëlqimi dhe as kërkesa për pëlqim që ishte dërguar te Qeveria, por vetëm Lista e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore në Komunën e Tetovës, e miratuar më 30.11.2006.

Më tej, Gjykata Kushtetuese në tri raste kërkoi nga Qeveria që të dorëzonte pëlqimin e kërkuar, por ai nuk u dorëzua.

Si rrjedhojë, nga shqyrtimi i dokumentacionit të dorëzuar u konstatua se Komuna e Tetovës nuk kishte paraqitur kërkesë pranë Qeverisë për marrjen e pëlqimit të nevojshëm dhe as nuk ekzistonte akt me të cilin Qeveria kishte dhënë pëlqim për Listën, në përputhje me nenin 5, paragrafi 2 të Ligjit për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore. Për këtë arsye, Gjykata konstatoi se ky kusht ligjor nuk ishte përmbushur.

Sipas nenit 5, paragrafi 2 të Ligjit për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore, për miratimin e vendimi për ndryshimin e emrave kërkohet pëlqimi paraprak i Qeverisë.

Me miratimin e vendimit pa pëlqimin e nevojshëm të Qeverisë, Komuna e Tetovës ka shkelur parimin e sundimit të ligjit, të përcaktuar në nenin 8, paragrafi 1, alineja 3 dhe nenin 51 të Kushtetutës, si dhe nenin 5, paragrafi 2 të Ligjit për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore.

Komuna e Tetovës pati mundësi ta parandalonte shfuqizimin e vendimit

Udhëheqësia aktuale e Komunës së Tetovës e udhëhequr nga VLEN ka pasur mundësi që ta parandalojë Gjykatën Kushtetuese që të mos e shfuqizojë vendimin e vitit 2007 me të cilin Komuna e Tetovës i ndryshoi emrat e disa rrugëve dhe sheshit të qytetit, pasi BDI-ja në vitin 2007 e zhvilloi procedurën duke mos e respektuar në tërësi ligjin, por udhëheqësia komunale aktuale nuk veproi.

Nëse pas dorëzimit të nismës (shkurt 2025) dhe hapjes së lëndës (mars 2026) në Gjykatën Kushtetuese, Këshilli Komunal i Tetovës do të sillte vendim me të cilin vendimi i vitit 2007 do të shpallej i pavlefshëm dhe të votonte vendim të ri me pëlqimin e Qeverisë, atëherë Gjykata Kushtetuese nuk do të kishte bazë për ta vazhduar procedurën të cilën e hapi në mars.  Sipas Nenit 39 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese, procedura do të ndërpritej. Por kjo nuk ndodhi dhe para dy ditëve gjykata e shfuqizoi vendimin e vitit 2007, me çka rikthehen emrat e vjetër nga periudha e komunizmit.

BDI: Vendim skandaloz dhe antishqiptar

Nga BDI-ja opozitare vendimin e Gjykatës Kushtetuese e konsiderojnë si të papranueshëm, skandaloz dhe antishqiptar.

Këshilltari komunal Berat Murati kërkoi që nesër të mbahet seancë e jashtëzakonshme e Këshillit Komunal, ku do të rimiratohet i njëjti vendim.

“Ky nuk është vendim juridik, por goditje e rëndë dhe e qëllimshme ndaj identitetit historik. në 2006 BDI e miratoi këtë vendim me marrëveshje të plotë politike. Sot kërkojmë që ky vendim të rimiratohet menjëherë”, tha Murati.

I pyetur nga Portalb.mk se pse gjatë kohës kur BDI-ja ishte në pushtet, nuk e realizoi këtë proces në përputhje me ligjet në fuqi dhe nuk e korrigjoi këtë lëshim të vitit 2007, Murati u arsyetua.

“Arsyetimin ende nuk e kemi nga Gjykata Kushtetuese, tani e ka shansin kryesia e re e Komunës së Tetovës që ne nesër të thirrim seancë të jashtëzakonshme kërkojmë që edhe njëherë ky vendim të miratohet, përkrahjen tonë e kanë”, tha Murati.

VLEN: Vendimi i 2007 nuk është implementuar pasi ishte proces gjysmak, vijon procesi i ri

Këshilltari komunal në Tetovë nga VLEN, Albi Qamili njëherit ndër bashkëpunëtorët më të afërt të kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasamit, thotë se vendimi i Këshillit Komunal të vitit 2007 që është bërë riemërimi i 11 rrugëve dhe sheshit nuk ka hyrë në fuqi për shkak se nuk ka pasur pëlqim atë kohë nga Qeveria.

“Kjo e konfirmon se BDI dhe pushteti i kaluar i ka lënë punët gjysmake. As Kadastra, as Regjistri Qendror nuk i ka regjistruar këto emra në sistem. Përveç Komunës së Tetovës askush tjetër nuk i shfrytëzon ato emra të vendimit të vitti 2007”, tha Qamili.

Ai thotë se kjo çështje po tentohet të nxiret në kontekst etnik, por ai thotë se në vendim ka edhe emra të maqedonasve, jo vetëm të shqiptarëve.

“Është defokusim i qartë i opinionit, në moment kur ne po finalizojmë procesin e emërimit të rrugëve, me zgjidhje të qëndrueshme, me vendim të këshillit por edhe me vendim nga qeveria”, tha Qamili.

Lidhja e Luftëtarëve nga LNA-ja: Sundimi i ligjit nuk është koncept kundër shqiptarëve

Shoqata e Luftëtarëve të Luftës Nacionalçlirimtare dhe Antifashiste të Maqedonisë pas reagimeve në opinion doli me qëndrim ku thonë se shfuqizimi i këtij vendimi përpiqet të paraqitet si vendim kundër bashkëqytetarëve me përkatësi etnike shqiptare.

“Është e papranueshme dhe e turpshme që ata që me vetëdije e kanë shkelur ligjin, sot të reagojnë me ashpërsi ndaj mbrojtjes së rendit juridik nga ana e gjykatës. Shoqata e Luftëtarëve u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të mos bien pre e nxitjeve të tilla të tensioneve etnike”, thanë nga atje.

Nismë e re për ndryshimin e emrave të rrugëve në Tetovë që nga 2022 por pa epilog

Procesi i riemërimit të rrugëve në Tetovë filloi por nuk arriti të përfundojë gjatë administratës komunale 2021/25 dhe procesi u ndërpre pak para zgjedhjeve lokale.

Grupi i punës për këtë çështje u riformua në janar të këtij viti, ndërsa gjashtë muaj më vonë ende nuk ka diçka konkrete.

Albi Qamili, i cili është kryetar i këtij grupi punues sot tha se po punohet intenzivisht dhe se procesi është në fazën finale, ku janë pranuar 600 propozime për riemërimn e rrugëve.

Ai tha se me procesin për riemërimin e rrugëve, këto emra si që kanë qenë në vendimin e vitit 2007 do të barten në vendimin e ri, pra, do të mbeten.

“Nuk mund të jap afate, ajo që jam i sigurt është se brenda këtij viti do përfundojë si proces”, tha Qamili.

Nga opozita kanë kritikuar për zvarritje të procesit.

Edhe më herët në Tetovë ka pasur nisma të tilla që nuk kanë shkuar deri në fund.

BDIEmrat e Institucioneve - RrugëveGjykata Kushtetuese RMVKëshilli KomunalKomuna e TetovësQeveria e Maqedonisë së VeriutTetovaVideo LajmeVLEN koalicioni