Qytetarë, gazetarë dhe punonjës të mediave protestuan mbrëmë në Beograd në mbështetje të gazetarit Zoran Kesiq, pasi udhëheqësia e re e televizionit “Nova S” anuloi emisionin satirik “24 minuta me Zoran Kesiqin”, transmeton Portalb.mk.
Ata thanë se bëhet fjalë për mbrojtjen e hapësirës për kritikë, lirisë së shprehjes dhe të drejtës së publikut për të dëgjuar zëra kritikë ndaj pushtetit.
Kesiqi, i cili mori pjesë në protestë, tha se anulimi i emisionit, vetëm dy muaj para zgjedhjeve në Serbi, ngre dyshime se vendimi nuk ishte vetëm financiar.
“Jemi bërë shumë të shtrenjtë, por jo në euro dhe dinarë, por për ata që kishin frikë prej nesh”, tha Kesiq.
Televizioni “Nova S” deklaroi se arsyeja e anulimit është kostoja e lartë e emisionit, i cili kushtonte mbi 500 mijë euro në vit për më pak se 30 orë program.
Protestuesit mbanin pankarta me mbishkrimin: “Këtu edhe 24 minuta janë shumë”.
Kesiqi dhe ekipi i tij njoftuan se emisioni do të vazhdojë në YouTube, me sezonin e ri që nis më 19 shtator.