Prokuroria e Shtipit ngriti aktakuzë për dhunë në ndeshjen e futbollit Bregallnica-Shkupi

Prokuroria Themelore Publike e Shtipit ngriti aktakuzë kundër një personi për vepër penale – Dhunë sipas nenit 386, paragrafi 4, në lidhje me paragrafin 3 dhe paragrafin 1 të Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.

“Më 24 gusht, në stadiumin e futbollit “Belo Brdo” në Shtip, gjatë një ndeshjeje futbolli midis ekipeve të klubeve të futbollit “Bregallnica” nga Shtipi dhe “Shkupi” nga Shkupi, i pandehuri përdori dhunë të rëndë duke rrezikuar sigurinë e dy fëmijëve 15-vjeçarë që ishin lojtarë në ekipin e KF “Bregallnica”. Ai u shkaktoi lëndime trupore fëmijëve dhe shkaktoi ndjenjë pasigurie, kërcënimi dhe frike tek të dëmtuarit dhe publiku i pranishëm. Incidenti ndodhi në minutën e 89-të të ndeshjes, kur gjyqtari dha kartonin e dytë të verdhë për faull, duke përjashtuar kështu djalin e të pandehurit, i cili luante për “Shkupin”. I pakënaqur me vendimin, djali fillimisht u soll në mënyrë josportive dhe u përpoq të përleshej me grushte dhe shqelma me një nga lojtarët e futbollit të “Bregallnicës”. Pastaj babai hyri në fushë dhe filloi t’i godiste dy fëmijët me grushte dhe shqelma, duke u shkaktuar lëndime trupore. Në fushë hynë edhe persona të tjerë nga publiku, të cilët parandaluan përshkallëzimin e mëtejshëm të ngjarjes. Prokurori publik paraqiti edhe një propozim në Gjykatën Themelore në Shtip për zgjatjen e masës së paraburgimit të përcaktuar më parë për të pandehurin”, thonë nga Prokuroria.

Kujtojmë se incidentet në fushat sportive kanë filluar të shtohen në prag të zgjedhjeve lokale. Në ndeshjen e parakualifikimeve për Kampionatin Botëror të basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, e cila u zhvillua në Kumanovë, janë dëgjuar brohoritje me tone fyese ndaj shqiptarëve si “Le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri maqedonas nuk do të zhduket, Maqedoni e pastër, e pastër, e pastër”.

Tashmë mbi një muaj që kur ka ndodhur ngjarja, nuk ka informacion rreth zbardhjes së rastit.  

Kronologjia e reagimit institucional

Më 3 gusht 2025në ndeshjen e parakualifikimeve për Kampionatin Botëror të basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë në Kumanovë, u dëgjuan brohoritje me tone fyese ndaj shqiptarëve si “Le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri maqedonas nuk do të zhduket, Maqedoni e pastër, e pastër, e pastër”, “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur”, si dhe “Dhoma e gazit për shqiptarët”.  

 5 gusht 2025 Policia dhe Prokuroria thanë se janë thirrë për intervistë zyrtare disa persona përderisa në të njejtën datë ndodhi incidenti në ndeshjen Shkendija-Karabak në arenën “Todor Proeski” në Shkup, kur brohoritja “Ilirida” dhe valëvitja e flamurit “Shqipëri e madhe” nga tifozët shqiptar u cilësua si gjuhë e urrjetjes. 

Më 7 gusht 2025Prokuroria njoftoi se e ka dënuar me kusht dhe dëbuar shtetasin e Gjermanisë që valviti flamurin e “Shqipërisë së Madhe”, incident ky që ndodhi pas Kumanovës. Për këtë rast autoritetet vepruan me shpejtësinë e dritës. 

Më 8 gusht 2025 për Portalb.mk nga policia thanë se “SPB – Kumanovë po merr masa për të zbardhur rastin”, duke u përgjigjur shkurt kështu nga ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut në pyetjen se deri ku është procedura e identifikimit të fajtorëve për thirrjet nacionaliste dhe raciste në Kumanovë.   

Më 18 gusht 2025, sërish morëm përgjigjen e njejtë se policia, “po ndërmerr masa për zbardhjen e plotë të rastit.” 

Sot 25 gusht 2025, nuk kemi përgjigje nga autoritetet.

Kujtojmë se Portalb.mk përmes një serie shkrimesh ka argumentuar se si mosndëshkimi i gjuhës së urrejtjes ndër vite ka rritur edhe më shumë këtë fenomen në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Mosreagimi adekuat i MPB, prokurorisë dhe lëndëve të pakta me aktgjykim në gjykatë, e ushqejnë edhe më shumë gjuhën e urrejtjes. Këtë e vërtetuan edhe eskspertët e komunikimit politik si dhe organizatat që merren me gjuhën e urrejtjes në analizën e Portalb.mk rreth temës në fjalë.  

Dhunë - DhunaGjuha e urrejtjesKF ShkupiSportSport RMV