Autoritetet vepruan me shpejtësinë e dritës, dënim me kusht dhe dëbim për personin që valviti flamurin e “Shqipërisë së Madhe” në Shkup

Pas identifikimit dhe paraqitjes së një kallëzimi penal nga ana e SPB Shkup, Prokuroria Themelore Publike Shkup, me procedurë urgjente, ndoqi penalisht një shtetas gjerman nga Gjermania për veprën – Nxitje e urrejtjes, përçarjes ose intolerancës në baza kombëtare, racore, fetare dhe të tjera diskriminuese sipas nenit 319 të Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.

“Ai u akuzua sepse më 5 gusht, menjëherë para ndeshjes së futbollit midis KF “Shkëndija” dhe KF “Qarabagu”, duke shfaqur dhe valëvitur flamurin e “Shqipërisë së Madhe” dhe me mbishkrimin “Autochthonous”, shkaktoi ndjenja urrejtjeje, përçarjeje dhe intolerance në bazë të përkatësisë etnike. Kjo u vu re nga zyrtarët e policisë, të cilët e privuan nga liria.

Bazuar në provat e siguruara në koordinim midis policisë dhe prokurorisë kompetente, Gjykata Themelore Penale Shkup menjëherë shpalli vendim me të cilin e shpalli të pandehurin fajtor dhe e dënoi me dënim me kusht prej dy vitesh burg, i cili nuk do të ekzekutohet nëse personi i dënuar nuk kryen një krim të ri në 5 vitet e ardhshme. Njëkohësisht, meqenëse ai është shtetas i huaj, Gjykata vendosi ta dëbojë atë dhe t’i ndalojë hyrjen në vend për pesë vitet e ardhshme.

Ndërkohë, Ministria e Brendshme dhe Prokuroria Publike vazhdojnë të ndërmarrin aktivitete të koordinuara për të zbuluar dhe identifikuar autorët e krimeve të përhapjes së urrejtjes dhe intolerancës që lidhen me garat sportive. Menjëherë pas identifikimit të autorëve, ata do të procedohen në përputhje me kompetencat e Prokurorisë Publike”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sektori për Punë të Brendshme – Shkup dje njoftoi se në koordinim me Prokurorinë Themelore Publike – Shkup, po ndërmerr veprime për brohoritjet  – “Ilirida”  në ndeshjen Shkendija-Qarabagu në arenën “Todor Proeski”.

“Ju informojmë se SPB Shkup, bazuar në materialin e regjistruar dhe të dokumentuar, po merr masa në koordinim me prokurorin publik kompetent”, thonë nga MPB.

Gjatë transmetimit të ndeshjes, dëgjohen thirrje “Ilirida”. Sipas mediave maqedonase Ilirida është emër i një koncepti politik “të një pjese të shqiptarëve në Maqedoni që nënkupton formimin e një republike të pavarur” në territorin e pjesës perëndimore të vendit.

Ky është rasti i dytë për prokurorët dhe policinë, pas incidentit në Kumanovë, për të cilin prokuroria lokale nisi procedurat pas brohoritjeve antishqiptare, ku në një ndeshje basketbolli në Ilinden, nga tribunat u dëgjuan thirrje sikurse “shqiptar i mirë është shqiptar i vdekur”, “dhoma gazi për shqiptarët”, “Maqedoni e pastër”.

Për ngjarjen në Kumanovë, Prokuroria kërkoi pamjet e kamerave të mbikëqyrjes, dhe policia tashmë ka arrestuar një person që u përpoq të sillte një banderolë me përmbajtje fyese.

Incidenti u përsërit dje, megjithëse policia njoftoi dënime të rrepta për këdo që përhap fyerje ose intolerancë nga tribunat sportive.

Gjuha e urrejtjesGjykata Themelore Penale Shkupi 1Ministria e Punëve të Brendshme (MPB)Prokuroria Themelore Publike (PTHP) RMV