Në gjashtë mujorin e parë të vitit 2025, Ministria e Punëve të Brendshme në Maqedoninë e Veriut ka regjistruar 4 krime të dënueshme sipas nenit 319 të kodit penal të Maqedonisë së Veriut “nxitje të urrejtjes, përçarjes ose intolerancës mbi baza kombëtare, racore, fetare dhe baza tjera diskriminuese” dhe ka ngritur padi për 11 persona. Ky numër është shumë i vogël duke e pasur parasysh që sektori joqeveritar vetëm për tre muaj ka regjistruar 213 raste të gjuhës së urrejtjes të cilat jodomosdoshmërisht lidhen me krime, por janë të dënueshme si vepra penale që nga viti 2014, shkruan Portalb.mk.
Komiteti i Helsinkit vetëm në 3 muajt e parë të vitit 2025 ka regjistruar 213 raste të gjuhës së urrejtjes në internet, të cilat i raporton në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Prokurori dhe në Komisionin për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi. Prej tyre për asnjërën nuk është parashtruar padi, e si rrjedhojë, nuk ka asnjë epilog gjyqësor. Për njërën prej rasteve, Komiteti ka vendosur që drejtësinë ta kërkojë para Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.
Denoncimet që arrijnë në Komitetin e Helsinkit përmes kësaj Platforme tregojnë se më e përfaqësuar është gjuha e urrejtjes në bazë të kombësisë, përkatësisë etnike, përkatësisë politike dhe orientimit seksual dhe identitetit gjinor.
Nga ana tjetër, policia ka vepruar vetëm për 4 raste dhe atë për gjashtë muaj.
Dhjetëra denoncime, por asnjë epilog
Portalb.mk, ka siguruar të dhëna nga Ministria e Punëve të Brendshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut në raport me krimet e regjistruara si dhe autorët e denoncuar penalisht në periudhën nga viti 2015 deri në qershor 2025 sipas nenit 319 të kodit penal.
Redaksia jonë e pyeti këtë institucion se sa akuza janë parashtruar në dhjetë vitet e fundit për të dyja nenet e kodit penal që kanë të bëjnë me gjuhën e urrejtjes (neni 319 dhe 394),
Në dekadën e fundit, nga viti 2015 e deri më vitin 2025 (përfshirë muajt janar- qershor) janë regjistruar gjithsej 31 vepra penale të dënueshme sipas nenit 319 të Kodit Penal. Gjatë të njëjtës periudhë, sipas nenit të njëjtë të kodit penal janë akuzuar penalisht 52 persona.
Pikërisht për monitorimin e lehtësuar rrjedhës të lëndëve lidhur me veprat penale të kryera nga urrejtja dhe diskriminimi, Prokuroria Themelore Publike Shkup fillimisht emëroi prokuror publik i cili është i ngarkuar ta monitorojë procesuimin e lëndëve të tilla.
Gjuha e urrejtjes – parakusht për krimin nga urrejtja
Megjithëse numri është i vogël, qytetarët i denoncojnë rastet e gjuhës së urrejtjes edhe te Avokati i Popullit.
Nga ky institucion potencojnë se parashtresat e llojit të tillë i ridërgojnë në Këshillin për Etikë në mediat, por vetëm nëse bëhet fjalë për portale në të cilat është shqiptuar gjuha e urrejtjes ndaj një grupi të caktuar të margjinalizuar. Kur gjuha e urrejtjes përhapet në rrjetet sociale, Avokati i Popullit nuk vepron sepse siç thonë prej atje, ato janë media private për të cilat ato nuk kanë kompetencë të veprojnë.
“Përveç në Këshillin për Etikë, AP-ja nuk ka procesuar dhe nuk ka vepruar për lëndë të tilla, me ç’rast parashtruesit i udhëzojnë dhe i orientojnë që të drejtat e tyre t’i kërkojnë para Prokurorisë Publike ose Komisionit për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi, potencojnë nga atje.
Duke treguar për rrezikun nga gjuha e urrejtjes, nga zyra e Avokatit të Popullit alarmojnë se kjo është një dukuri e cila mund të çojë edhe në krim nga urrejtja.
Incidentet në stadiume, drejtësi selektive
Tema e gjuhës së urrejtjes në Maqedoninë e Veriut u riaktualizua pas brohoritjeve nacionaliste dhe shprehjeve raciste në ndeshjen e parakualifikimeve për Kampionatin Botëror të basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, e cila u zhvillua në Kumanovë ku tifogrupi maqedonas prezent në sallë sportive këndoi: “Le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri maqedonas nuk do të zhduket,… Maqedoni e pastër, e pastër, e pastër”. Partitë politike shqiptare shfrytëzuan ngjarjen në Kumanovë për të akuzuar njëra tjetrën.
Më pas, në ndeshjen Shkendija-Karabak në arenën “Todor Proeski” në Shkup, brohoritja “Ilirida” dhe valëvitja e flamurit “Shqipëri e madhe” nga tifozët shqiptar u cilësua si gjuhë e urrjetjes.
Për këtë të dytën autoritetet vepruan me shpejtësinë e dritës duke e dënuar me kusht dhe duke e dëbuar shtetasin e Gjermanisë që valviti flamurin e “Shqipërisë së Madhe”.
Për të parën e cila si rast ndodh më herët dhe u dëshirua vdekja e shqiptarëve nga MPB na u tha se është arrestuar një person dhe se policia “ende merr masa për zbardhjen e rastit”.
Në analizën e Portalb.mk rreth temës në fjalë, eskpertët e komunikimit politik si dhe organizatat që merren me gjuhën e urrejtjes alarmuan se mosndëshkimi i kësaj vepre penale, sipas nenit 319 të Kodit Penal në RMV e ushqen edhe më tepër urrejtjen.
- LEXO: Përderisa autoritetet vepruan me shpejtësinë e dritës, dënim me kusht dhe dëbim për personin që valviti flamurin e “Shqipërisë së Madhe” në Shkup
- LEXO: Heshtja institucionale e ushqen urrejtjen në Maqedoni, nevojiten sanksione të rrepta për thirrjet nacionaliste dhe raciste
- LEXO: Tifozët e Kumanovës me thirrje raciste e gjuhë të urrejtjes ndaj shqiptarëve në prani të kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm