Këshilli i Prokurorëve Publikë, Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Shoqata e Prokurorëve Publikë sot, përmes një komunikate me shkrim, i drejtuan një thirrje të re Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar që iniciativat e tyre për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ndryshimeve ligjore me të cilat u ulën koeficientët për llogaritjen e pagave të prokurorëve publikë, të vendosen urgjentisht në rend dite dhe të shqyrtohen nga Gjykata, transmeton Portalb.mk.
Iniciativat kanë të bëjnë me vlerësimin e kushtetutshmërisë së ndryshimeve në dispozitat e Ligjit për Pagat e Prokurorëve Publikë dhe Ligjit për Pagat e Anëtarëve të Këshillit të Prokurorëve Publikë, të cilat institucionet dhe shoqata e prokurorëve në vend i dorëzuan para tetë muajsh, të pakënaqura me ndryshimin e koeficientëve, përmes të cilit pagat e tyre u ulën në tri raste.
Në komunikatën e përbashkët thuhet se Bordi Ekzekutiv i Shoqatës së Prokurorëve Publikë ka marrë vendim për të shprehur shqetësim serioz për shkak të, siç thuhet, mosveprimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me iniciativat e dorëzuara. Kjo, sipas tyre, jo vetëm që vë në pikëpyetje pavarësinë e Prokurorisë Publike dhe parimet e sundimit të së drejtës, por krijon edhe një dallim të konsiderueshëm ndërmjet funksionit gjyqësor dhe atij të prokurorisë publike.
Kjo, thuhet në komunikatë, është në kundërshtim me standardet evropiane dhe ndërkombëtare.
Nga radhët e prokurorisë thonë se nuk kanë asnjë dilemë lidhur me bazueshmërinë e iniciativave të dorëzuara. Si argument për këtë përmendin edhe faktin se Gjykata Kushtetuese, në aktvendimin me të cilin vendosi të nisë procedurë për iniciativat, shprehu dyshime se ligjvënësi, me uljen e koeficientëve për llogaritjen e pagave të prokurorëve publikë dhe anëtarëve të Këshillit të Prokurorëve Publikë, ka ndërhyrë në pavarësinë dhe mëvetësinë e garantuar me Kushtetutë të prokurorisë publike.
“Është e padiskutueshme se rregullimi i pagave është çështje ligjore dhe ligjvënësi ka të drejtë të përcaktojë lartësinë e pagave të prokurorëve publikë dhe anëtarëve të Këshillit të Prokurorëve Publikë, por Gjykata shprehu dyshime se ligjvënësi, me uljen e koeficientëve për llogaritjen e pagave të prokurorëve publikë dhe anëtarëve të Këshillit të Prokurorëve Publikë, ka ndërhyrë në pavarësinë dhe mëvetësinë e garantuar me Kushtetutë të prokurorisë publike, si dhe vë në pikëpyetje realizimin e së drejtës së të punësuarve për shpërblim të përshtatshëm, nga neni 32, paragrafi 3 i Kushtetutës, e cila buron nga statusi i tyre dhe krijon detyrimin e shtetit që, përmes rregullimit ligjor, të sigurojë bazën juridike për realizimin e saj”, thuhet në pjesën e aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese, të datës 24 dhjetor 2025, të cituar në komunikatë.
Duke pasur parasysh qëndrimin e shprehur nga Gjykata Kushtetuese, prokurorët thonë se për ta është e pakuptueshme çdo shtyrje e vendimmarrjes ose vënia në pikëpyetje e parimeve të pavarësisë dhe mëvetësisë në veprimtarinë e prokurorisë publike.
Ata thonë se ulja e pagave të prokurorëve publikë jo vetëm që është në kundërshtim me standardet evropiane për sundimin e së drejtës, por rrezikon të shkaktojë edhe largim të konsiderueshëm të kuadrit të prokurorisë, gjë që do të rrezikonte ushtrimin normal të funksionit të saj.
“Për më tepër, theksojmë se pagat e prokurorëve publikë në vendin tonë vazhdojnë të jenë, krahasuar me vendet e tjera, më të ulëtat në rajon. Të gjitha këto rrethana, së bashku me mungesën kronike të personelit në shërbimin e prokurorisë, buxhetit dhe kushteve elementare të punës, krijojnë një situatë plotësisht të paqëndrueshme, e cila rrezikon funksionimin e prokurorisë dhe, rrjedhimisht, ndikon drejtpërdrejt në realizimin e të drejtave dhe mbrojtjen e qytetarëve”, thuhet në komunikatë.
Në këtë kontekst, përfaqësuesit e prokurorisë thonë se presin që kjo gjendje të evidentohet edhe në raportin e ardhshëm të Komisionit Evropian për vendin, “si një regres i konsiderueshëm dhe rrezikim shtesë i mëvetësisë së Prokurorisë Publike”.
“Prandaj, kërkojmë nga Gjykata Kushtetuese që, pas më shumë se tetë muajsh nga dorëzimi i iniciativave, të tregojë gatishmëri për t’i shqyrtuar argumentet e paraqitura në to, të cilat mbështeten edhe nga analiza krahasuese të vendeve të rajonit dhe Evropës, me çka do të korrigjojë padrejtësinë që po i bëhet prokurorisë publike, si një nga shtyllat kryesore të shtetit të së drejtës”, thuhet në komunikatën e përbashkët të Këshillit të Prokurorëve Publikë, Prokurorisë Publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Shoqatës së Prokurorëve Publikë.
Prokurorët publikë kishin reaguar edhe në mesin e korrikut të këtij viti lidhur me të njëjtën çështje.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, në një brifing me gazetarët, të mbajtur një ditë pas reagimit të prokurorëve, tha se Gjykata kishte nisur procedurë për iniciativat, por ndërkohë Qeveria i kishte ulur më tej koeficientët përmes ndryshimeve të reja ligjore të shkurtit të këtij viti.
Për më tepër, ai tha se kur duhej të merrej vendimi, propozimi i gjyqtarit raportues nuk kishte marrë shumicën e nevojshme. Votimi i gjyqtarëve kishte përfunduar me rezultat të barabartë, katër me katër, pasi Gjykata Kushtetuese funksionon me një gjyqtar më pak.
Për rikujtim, ndryshimet e fundit në ligjet për pagat e prokurorëve publikë dhe të anëtarëve të Këshillit të Prokurorëve Publikë u miratuan në fund të shkurtit të këtij viti, me ç’rast u ulën koeficientët për llogaritjen e pagave të tyre. Shoqata e Prokurorëve Publikë kërkoi tërheqjen e ndryshimeve ligjore, por ato megjithatë u miratuan nga Kuvendi.
Edhe më herët, në vitin 2024, ishin miratuar ndryshime ligjore për uljen e pagave të funksionarëve, të cilat përfshinin edhe gjyqtarët dhe prokurorët publikë. Atëherë, përfaqësuesit e prokurorisë paralajmëruan se do t’i kundërshtonin përmes iniciativave ndryshimet me të cilat u uleshin pagat.