Këshilli i Prokurorëve Publikë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Shoqata e Prokurorëve Publikë reaguan sot përmes një deklarate të përbashkët, duke shprehur shqetësim serioz për, siç thonë ata, mosveprimin e Gjykatës Kushtetuese ndaj nismave për vlerësimin e kushtetutshmërisë së uljes së koeficientëve për llogaritjen e pagave të prokurorëve publikë, transmeton Portalb.mk.
Sipas njoftimit të përbashkët, koeficientët për përllogaritjen e pagave janë ulur për herë të tretë përmes ndryshimeve ligjore, ndërsa mosveprimi i Gjykatës Kushtetuese krijon një pabarazi të madhe në statusin mes prokurorëve publikë dhe gjyqtarëve.
Sipas reagimit, me këtë preket drejtpërdrejt pavarësia e garantuar me Kushtetutë e Prokurorisë Publike si organ shtetëror.
“Edhe një herë theksojmë se pavarësia financiare është një nga garancitë themelore institucionale për ushtrimin e pavarur dhe të paanshëm të funksionit të prokurorit publik dhe nuk mund të jetë objekt i ndërhyrjeve arbitrare dhe të përsëritura pa arsye objektive, të qarta dhe të justifikuara kushtetuese”, thuhet në reagim.
Duke rikujtuar se Kushtetuta përcakton pozitën e veçantë të Prokurorisë Publike si organ shtetëror i pavarur që ndjek autorët e veprave penale dhe veprave të tjera të dënueshme me ligj, Këshilli i Prokurorëve Publikë, Prokuroria Publike dhe Shoqata e Prokurorëve theksojnë se kjo pozitë kushtetuese nuk është vetëm një përcaktim formal, por një garanci thelbësore që prokurorët ta ushtrojnë funksionin e tyre në mënyrë të lirë, profesionale dhe pa ndikim nga ndonjë pushtet.
Për këtë arsye, thuhet në reagim, zgjidhjet ligjore që cenojnë pozitën financiare të prokurorëve duhet t’i nënshtrohen një kontrolli të rreptë kushtetues, pasi ato mund të ndikojnë drejtpërdrejt në pavarësinë institucionale të Prokurorisë dhe në besimin e publikut ndaj saj.
Më tej theksohet se çështja e trajtimit të barabartë të pavarësisë së Prokurorisë me pavarësinë e gjyqësorit tashmë është tejkaluar në të gjitha shtetet moderne evropiane. Sipas tyre, janë ofruar edhe shembuj krahasues nga vendet e rajonit, si Sllovenia, Kroacia, Serbia dhe Mali i Zi.
Ky qasje, shtojnë ata, është plotësisht në përputhje me standardet bashkëkohore evropiane dhe ndërkombëtare.
“Për këtë arsye, Këshilli i Prokurorëve Publikë, Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Shoqata e Prokurorëve Publikë presin që Gjykata Kushtetuese, si garantuese e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, të sigurojë mbrojtje efikase dhe në kohë të parimit të ndarjes së pushteteve, sundimit të ligjit dhe pavarësisë së garantuar me Kushtetutë të Prokurorisë Publike”, thuhet në reagim.
Sipas përfaqësuesve të prokurorisë, pavarësia financiare nuk është privilegj i prokurorëve publikë, por një garanci për funksionimin e pavarur të institucionit.
Ata theksojnë se çdo zgjidhje ligjore që, pa arsye objektive dhe kushtetuese, ul të ardhurat e prokurorëve, ndikon drejtpërdrejt në pozitën e Prokurorisë si organ shtetëror i pavarur dhe krijon rrezik për cenimin e parimit të ndarjes së pushteteve.
“Për këto arsye, Gjykata Kushtetuese duhet të eliminojë çdo rrezik që pushteti ekzekutiv të ushtrojë kontroll të drejtpërdrejtë mbi Prokurorinë përmes uljes së koeficientëve në Ligjin për Pagat e Prokurorëve Publikë dhe në Ligjin për Pagat e Anëtarëve të Këshillit të Prokurorëve Publikë. Në të kundërtën, kjo do të reflektohet edhe në të gjitha segmentet e tjera të punës së Prokurorisë dhe do të dëmtojë rëndë pozitën e saj në sistem. Pikërisht këtë duhet ta parandalojë Gjykata Kushtetuese, sepse roli i saj më i rëndësishëm në sistemin e ndarjes së pushteteve është të sigurojë që ky sistem të funksionojë realisht dhe të mos lejojë cenimin e tij”, thuhet në reagimin e përbashkët.
Ndryshimet e fundit në ligjet për pagat e prokurorëve publikë dhe të anëtarëve të Këshillit të Prokurorëve Publikë u miratuan në fund të shkurtit të këtij viti, me ç’rast u ulën koeficientët për llogaritjen e pagave të tyre.
Shoqata e Prokurorëve Publikë kishte kërkuar tërheqjen e këtyre ndryshimeve ligjore, por pavarësisht kësaj, ato u miratuan nga Kuvendi.
Edhe gjatë vitit 2024 u miratuan ndryshime për uljen e pagave të funksionarëve, të cilat përfshinë edhe gjyqtarët dhe prokurorët publikë. Në atë kohë, përfaqësuesit e prokurorisë paralajmëruan se do t’i kundërshtonin këto ndryshime përmes nismave në Gjykatën Kushtetuese.